Plani me kushte i rritjes, 31 reformat e Shqipërisë


Shqipëria duhet të zbatojë 31 reforma që lidhen me 141 ndërhyrje që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, arsimin, infrastrukturën dhe teknologjinë deri në vitin 2027, për të përfituar nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në dispozicion të Shqipërisë janë 922 milionë euro në dy vitet në vijim, por kushtet për alokimin e tyre synojnë disa reforma që janë më të efektshme se sa vetë fondet. Ekspertët sqarojnë qëllimet e planit të rritjes dhe ndikimin e tij në ekonomi dhe në sundimin e ligjit.

Në nëntor të vitit 2023, Bashkimi Europian miratoi një plan të ri rritjeje për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia) nëpërmjet të cilit synohet që në dekadën e ardhshme, ekonomia e Rajonit të dyfishohet me synimin për të reduktuar hendekun ekonomik me BE-në.

Plani mbështetet nga një fond prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027, prej të cilit Shqipëria përfiton 922 milionë euro. Vendi ynë ka përfituar paraprakisht një shumë prej 64 milionë eurosh, ndërsa pjesa tjetër do të alokohet në bazë të zbatimit të një agjende reformash, e cila u miratua në tetor të vitit të kaluar nga Komisioni Europian.

Kjo agjendë përfshin 31 reforma kryesore dhe disa investime të mbështetura nga 922 milionë euro financim. Gjithsej janë 143 piketa të lidhura me disbursimin e fondeve.

Më shumë se mbështetja me fonde, ekonomia e Shqipërisë dhe ajo e Rajonit do të përfitojnë nga reformat strukturore, hapja e tregjeve dhe asistenca teknike që jep BE në sektorët kyçë të ekonomisë.

Ardian Haçkaj, Drejtor Kërkimor i Institutit të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit me fokus agjendën e integrimit, thotë se financimet për Shqipërinë nga Plani i Rritjes janë ndarë sipas një formule të caktuar nga BE për çdo vend të Ballkanit.

Sipas tij, përfitimi i Shqipërisë do të varet nga shkalla e thithjes së fondeve. Z. Haçkaj shpjegon se suksesi i kësaj agjende varet nga koordinimi i fuqishëm ekzekutiv, kapacitetet e zgjeruara administrative dhe qasja gjithëpërfshirëse për zbatimin dhe monitorimin.

Plani i ri i rritjes ekonomike të Rajonit është bazuar në katër shtylla që synojnë integrimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së, avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, thellimin e reformave në lidhje integrimin në BE.

Gjithashtu synohet që të rriten financimet e paraanëtarësimit në funksion të përshpejtimit të konvergjencës socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria përfshijnë që nga përmirësimi i klimës së biznesit, lehtësimi i tregtisë rajonale, arsimi, teknologjia, të drejtat e njeriut, transparenca e buxhetit, dekarbonizimi etj.

Agjenda e reformave për Shqipërinë është një material voluminoz prej 200 faqesh, në të cilën ndërmerren angazhime specifike në të gjitha fushat dhe sektorët në vend.

Ardian Haçkaj, Drejtor Kërkimor i Institutit të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit vëren se sektori privat nuk ka pasur interes për qasje në fondet dhuratë të BE-së, teksa investimet e fundit private të lajmëruara në infrastrukturën rrugore shqiptare po bëhen nëpërmjet PPP.

Si pasojë, biznesmenët shqiptarë nuk po shfrytëzojnë faktin se duke filluar nga qershori 2024, BE bashkëfinancon me grant deri në 50% të kostos së një projekti infrastrukture transporti, shtoi ai.

Plani i Rritjes në Shqipëri parashikon mbështetje financiare prej 922 milionë eurosh për një periudhë 4-vjeçare (shumë e cila u shtohet fondeve ekzistuese IPA), nga të cilat një e treta është dhuratë. Së bashku me fondet e IPA-s, shuma e fondeve nga BE si dhuratë (jo kredi) për vendin tonë në këtë periudhë shkojnë në 180 milionë euro në vit, thotë z. Haçkaj.

Këto shuma planifikohen të kontribuojnë në bashkëfinancimin e projekteve të infrastrukturës në vend si Linja ajrore e re e transmetimit 400 kV Rrashbull (Shqipëri) – Arachtos (Greqi); Rehabilitimi i HEC-it të Vaut të Dejës; Hekurudha Kristalopigji/Greqi me Pogradecin; segmenti Stacioni hekurudhor Vlorë – Aeroporti i Vlorës (12 km), “Smart Labs”, etj.

Këto projekte, kryesisht infrastrukturore do të vijnë nëpërmjet instrumentit të investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Pesë grupet e reformave që duhen kryer deri më 2027

Nga plani i rritjes, të paktën 50% e 922 milionë eurove do të shkojnë për investime nëpërmjet Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Sipas agjendës së planit të Rritjes, disbursimi i fondeve do të bëhet dy herë në vit, në bazë të përmbushjes së kushteve përkatëse. Nëse kushtet nuk përmbushen, fondet do të pezullohen ose do të ridistribuohen te partnerët e tjerë.

Komisioni Europian e ka miratuar agjendën e reformave që do të zbatohen nga Shqipëria deri më 2027 dhe që synojnë realizimin e 5 objektivave kryesore. Në varësi të zbatimit të tyre do të akordohen edhe fondet prej 922 milionë eurosh ndaj vendit tonë.

Më tepër se aspekti financiar (granti 80 milionë euro në vit), Plani i Rritjes duhet të jetë një ushtrim i mirë (ose stërvitje) për institucionet shqiptare për të qenë gati për anëtarësim dhe për të maksimizuar përfitimet nga qasja e institucioneve shqiptare dhe aktorëve të biznesit në politika të ndryshme të BE-së, instrumenteve financiare dhe programeve përkatëse, përpara anëtarësimit të vendit.

Në vlerësimin tonë, ky është përfitimi më i madh nga Plani i Rritjes, thotë zoti Haçkaj.

Objektivi i parë është rritja e konkurrueshmërisë dhe politikave ekonomike kombëtare. Ky objektiv përfshin disa nisma kryesore që nxisin klimën e biznesit dhe konkurrencës, duke kontribuuar kështu në rritjen ekonomike të vendit, nëpërmjet reformave si rritja e të ardhurave buxhetore dhe përmirësimi i sistemit tatimor.

Reformat synojnë sigurimin e transparencës dhe efikasitetin e shërbimeve shtetërore të kadastrës, për investitorët dhe qytetarët dhe ofrimin e një politike gjithëpërfshirëse për përdorimin e tokës. Duhet të rritet transparenca e investimeve dhe përmirësimi i qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore dhe ndihmës shtetërore ndaj tyre.

Duhet të përmirësohet korniza e investimeve dhe duhet të vendosen sistemet inteligjente të transportit dhe e-mallrave. Synohet promovimi i eksportit dhe ndërkombëtarizimi, duke përfshirë lehtësimin e eksporteve dhe tregtisë, zinxhirin e vlerës dhe rritjes, etj.

Objektivi i dytë përfshin transformimin e arsimit për një fuqi punëtore të kualifikuar dhe të përgatitur nga ana dixhitale, të lidhura fort me zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Reformat kryesore për arritjen e këtij objektivi kanë të bëjnë me rishikimin e sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional për të përshtatur më mirë kërkesën për aftësi të tregut të punës. Do të përditësohen kurrikulat në arsimin fillor dhe të mesëm për kompetencat e të mësuarit.

Duhet të përmirësohet Korniza Kombëtare e Kualifikimeve në përputhje me atë të Zonës Europiane të Arsimit të Lartë (ESG).

Përparojnë aftësitë dhe arsimin digjital për të rinjtë dhe infrastrukturën TIK për shkollat dhe universitetet publike. Forcohet efikasiteti i skemës së papunësisë, mjedisi i kërkimit dhe inovacionit.

Objektivi i tretë është ndërtimi i një infrastrukturës digjitale të sigurt, tё qëndrueshme dhe të aksesueshme.

Për të arritur këtë objektiv, parashikohen deri në 2027 disa nisma kryesore, që konsistojnë me përafrimin me rregulloren e BE-së për identitetin Digjital dhe zbatimin e e-Portofolit Digjital për shërbimet publike.

Do të rritet siguria kibernetike, me standardet e BE-së dhe do të përmirësohet korniza për një infrastrukturë digjitale të sigurt dhe të qëndrueshme.

Do të përmirësohet mjedisi i bizneseve inovative dhe mbështetja e nismave të bizneseve me potencial për tranzicionin e gjelbër dhe digjital, si dhe nxitja dhe rritja e sipërmarrjes inovative.

Objektivi i katërt lidhet me avancimin e qëndrueshmërisë energjetike dhe integrimin e tregut rajonal me atë të BE-së. Reformat nën këtë objektiv konsistojnë në rregullimin gradual të tarifave ndaj çmimeve të tregut dhe në nxitjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme përmes zhvillimit të një plani ankandi transparent dhe konkurrues për energjinë e rinovueshme.

Do të vendosen mekanizma për uljen e emetimit të karbonit.

Objektivi i pestë lidhet me konsolidimin e shtetit të së drejtës. Masat që përfshihen nën këtë objektiv lidhen me fuqizimin e punës për parandalimin e korrupsionit dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe forcimin e kapacitetit institucional dhe kuadrit strategjik në fushën e parandalimit dhe luftës kundër drogave.

Do të sigurohet një kornizë e besueshme dhe e qëndrueshme për të parandaluar dhe për të luftuar pastrimin e parave dhe do të konsolidohet pavarësia e llogaridhënies së sistemit të drejtësisë nëpërmjet transparencës.

Synohet rritja e efikasitetit të sistemit të drejtësisë në të gjitha nivelet dhe parandalimi efektiv i korrupsionit. Synohet rritja e lirisë së shprehjes, në përputhje me standardet europiane./Monitor