Bardhi nga Fieri: Socialistët janë lënë në harresë, pas 12 vitesh s’vazhdohet më kështu


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha nga Fieri, ku prezantoi kandidatin për zgjedhjet e 11 majit, Gentian Koçi, se vendi nuk mund të ecë më në të njëjtin drejtim pas 12 vitesh nën PS-në.

Ai tha se socialistët mendojnë të njëjtën gjë si demokratët, se janë lënë në harresë.

“Pas 12 vitesh nuk mund të vazhdohet më kështu. Dhe këtë, jam i bindur që nuk e thonë vetëm demokratët. Por, nuk shtyhet më kështu e thonë edhe anëtarët e thjeshtë të Partisë Socialiste që janë lënë në harresë njëlloj si ne demokratët. Nuk shtyhet më kështu, se ka zero fonde për bujqësinë. Nuk shtyhet më kështu se po ikin të rinjtë. Unë jam shumë i lumtur që këtu ka shumë të rinj në sallë, sepse nuk e kemi gjetur këtë në asnjë zonë tjetër të Fierit. Kudo ku kemi shkuar, kemi parë që të rinjtë mungojnë, janë larguar nga fshati”, deklaroi drejtuesi politik i PD-së në qarkun e Fierit. “­ – tha Bardhi.

Ai u bëri thirrje banorëve të qarkut Fier që të votojnë opozitën që ka programin më të mirë qeverisës. Bardhi theksoi premtimet për rritje rrogash e pensionesh dhe ulje taksash.

“Mesazhi që duhet t’i jepni secilit pensionist në zonë, meqë edhe këtu ka pensionistë, nëse duan që edhe vitin tjetër pensionin ta kenë 70 mijë lekë të vjetra, apo ta kenë 200 mijë lekë? Kjo është fushata për të cilën, ne po hyjmë. Ata që janë në marrëdhënie pune, qoftë kjo edhe në biznese private, duan ta kenë rrogën 400 mijë lekë, sa e kanë sot, apo ta kenë minimalen 500 mijë lekë? Një mësues i zonës, do ta ketë rrogën 800 mijë lekë aq sa e ka sot apo ta ketë 1 milonë e 200 mijë lekë me ne në pushtet pas 1 viti. Dhe të gjithë ne bashkë këtu si ekip, dhe unë këtu në Cakran nuk e kam fare merak, sepse shoh burra, edhe zonja që do na bashkohen gjatë fushatës, shoh të rinj, që do të jenë një ekip i jashtëzakonshëm në këto ditë që kanë mbetur për të mbledhur çdo votë për Partinë Demokratike dhe për të siguruar në Cakran fitoren e Partisë Demokratike”, u shpreh Gazment Bardhi.