Tarifat doganore të Trump/ Malaj: Ekonomia shqiptare preket indirekt, do ulen të ardhurat reale të konsumatorëve


Ish-ministri i Financave Arben Malaj shprehet se institucionet duhet të ndërmarrin masa për të ‘zbutur’ ndikimet negative që do të kenë tarifat doganore e vendosura nga Donald Trump, të cilat prekin edhe Shqipërinë.

Sipas tij, ekonomia shqiptare do të preket indirekt për shkak të deficitit të madh tregtar.

Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, Malaj deklaroi tarifat kanë rritur inflacionin dhe ky faktor mund të ndikojë në uljen e të ardhurave reale të konsumatorëve.

“Kërkojmë që ministria e Ekonomisë të shikojë të gjitha masat lehtësuese për të amortizuar këtë rritje tarife. Ndërsa ekonomia shqiptare në tërësi nga lufta e tarifave do të preket më shumë indirekt pasi jemi një vend me deficit të madh tregtar, dhe sa më shumë të importosh nga vendet e tjera, aq më shumë do të importosh edhe inflacionin e rritur. Cilat janë shqetësimet konkrete për biznesin dhe konsumatorin shqiptar nga kjo luftë tarifash. E para,  tarifat kanë rritur inflacionin duke filluar nga SHBA ku niveli i inflacionit ligjor 2 për qind, ndërsa në fakt është mbi 3.8 për qind. Trump ka kërcënuar dje guvernatorin e Bankës së SHBA që të ulë sa më parë koston e parasë në rast të kundërt është duke bërë politikë. Ne duke importuar shumë dhe duke marrë një inflacion më të lartë, do të bien të ardhurat reale të të gjithë pjesës konsumatore por do të preken më rëndë shtresat më të varfra dhe të mesme. Duke pasur inflacion të lartë, bien të ardhurat reale. Në kushtet kur ka inflacion do të blesh më pak. Kur nuk ka shitje, atëherë kërkesa agregate përcakton ritmet e rritjes së ekonomisë. Kur kërkesa nga individi bie, atëherë ekonomia ngec. Në kushtet kur bie rritja ekonomike, fillojnë dalin në pah problemet sociale. Një rritje ekonomike e vogël, do të thotë rritje të papunësisë dhe varfërisë.”, u shpreh Malaj.