Templates by BIGtheme NET

Koncensioni 120 mln euro në shëndetësi, pronarja tregtare duhani, administratori biznesmen karburanti

KOLAZH KONTRATA

Ne foto, kryeministri Edi Rama dhe biznesmenia Vilma Nushi

Emri i Vilma Nushit përmendet shpesh vitin e fundit në media, që kur ministri Ilir Beqaj, i hapi rrugë garës për tenderin e një koncensioni të majmë, 120 milionë euro.
Ky koncension ishte i pari i dhënë për një shërbim bazik të shëndetësisë shqiptare. Parashikonte zgjedhjen e një kompanie që do të kryente kontrollin parësor shëndetësor për moshat 40-65 vjeç në të gjithë vendin.

Vilma Nushi është një tregtare e vjetër, e lidhur fortë me ish-nomenklaturën komuniste dhe përherë ka përfaqësuar një linjë biznesi gjysmë-zyrtare të Partisë Socialiste.

Bizneset e znj.Nushi kanë njohur gjithnjë rritje të skajshme në përfitimin e fondeve publike, sa herë që kontrollin e qeverisë e merr Partia Socialiste.
Kështu ndodhi dhe me koncensionin e paprecedent të shërbimit parësor shëndetësor, i njohur ndryshe dhe si koncensioni i “Check-Up”.

Zonja Nushi ka mbajtur përherë një profil të tërhequr publik, ajo shmang prej dekadash kontaktet me mediat, i pëlqen të operojë me bizneset e saj në paskiuntë.

Në Tiranë shpesh e etiketojnë si “Vilma e Marlboros” për shkak se kompania e saj ka mbajtur ekskluzivitetin e korporatës “Philip Morris” për Shqipërinë.  Duhani ka qenë baza e fitimeve dhe suksesit të saj në biznes.

Logo Kontrata

Kontrata e Financimit për shërbimin “Check-Up”, ndërmjet Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe kompanisë “3P LIFE Logistic Shpk”.

Kjo kontratë që HashtagAL e publikon sot ekskluzivisht është nënshkruar mes Astrit Becit(sot nën hetim për një tjetër çështje), ish-drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe kompanisë “3P LIFE Logistic Shpk.”

Kontrata është nënshkruar më datën 8 Janar 2015 dhe autorizon financimin e kësaj kompanie me fonde shtetërore, për kryerjen e shërbimit të “Check-Up”.

Vetëm 24 orë përpara nënshkrimit të kësaj kontrate financimi, më datën 7 janar, e njëjta kompani kishte nënshkruar kontratën bazë të koncensionit së bashku me ministrin Beqaj. Kontrata bazë mbahet e fshehtë nga ministri. 

Kompania “3P LIFE Logistic Shpk.”, zotërohet në 80 për qind të saj nga biznesmenia Vilma Nushi, ndërsa 20 për qindëshi tjetër i përket një kompanie farmaceutike të quajtur “Trimed”.

Si administrator i “3P LIFE Logistic Shpk.” është emëruar shtetasi Altin Fani. Ky i fundit rezulton se ka qenë një investitor dhe biznesmen i fokusuar prej vitesh në fushën e karburanteve.

Në mesin e vitit 2014, ai shiti aksionet e tij në kompaninë “Everest Oil”, një kompani e lidhur ngushtë me Petroliferën në Vlorë. Ishte momenti kur në Tiranë biznesmenia Vilma Nushi po përgatitej që të fitonte tenderin e majmë.

Në finale, rezultati i prodhuar është angazhimi i ministrit socialist Beqaj për të dhënë me koncension një shërbim bazik në shëndetësi, kapja e këtij koncensioni nga një biznesmene cigaresh me lidhje shumëfishe me socialistët dhe caktimi si administrator i koncensionit një person që deri më sot ishte marrë me punë karburantesh.

Prokuroria ka konfirmuar sot se ka nisur hetimet “kryesisht” për disa koncensione të dhëna në fushën e shëndetësisë, por ky nuk është ndonjë lajm që mund të bëjë dikë euforik, sepse prokuroria të tilla njoftime bën për secilin biznes miliardash që thotë se po e heton e ca muaj më pas thotë se dosja u pushua.

ilir-beqaj

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj

Koncensioni i Check-Up, nuk është thjesht një shërbim privat me vlerë kolosale prej 120 milionë eurosh , por është dhe i vetmi koncension që është konsideruar si lëvizje “strategjike” e qeverisë së majtë në sektorin e shëndetësisë, ndonëse strategjia nuk duket kurrkund.

Pikësëpari, sepse kontrata teknike me specifikimet e shërbimit dhe pagesës për kompaninë private “3P LIFE Logistic Shpk” mbahet e fshehtë.

Askush nuk e di se çfarë logjistike, çfarë kapacitetesh teknike dhe standard operimi i ka caktuar ministri i Shëndetësisëë kompanisë që e zotëron një biznesmene duhani dhe e administron një tregtar karburantesh.

Ndonëse do paguhet 120 milionë euro për një shërbim publik, kontrata dhe detyrimet e kompanisë mbahen të fshehta, për më tepër, Ministria e Shëndetësisë nuk ka ofruar deri më sot asnjë të dhënë zyrtare mbi ecurinë e punës së kësaj kompanie, realizimin e objektivave dhe detyrimeve të saj.

Sa shqiptarë kanë përfituar nga ky shërbim(që nuk është gjë tjetër veçse kampionim i urinës) në çfarë cilësie dhe garancie kryhet shërbimi dhe sa qytetarë shqiptarë kanë parandaluar sëmundje nga ky shërbim?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto