Templates by BIGtheme NET

KUR RAMA HIQET SI ‘ASHIK’ I GJYQËSORIT

CaptureBlog: Diary of Tirana

Historia e reformës në drejtësi nis me komisionin e ngritur në nivel ekspertësh të cilët pas propozimeve që sollën pretendonin të ndërtonin një arkitekturë të pavarur nga politika. Por një vëzhgim i shpejtë i ekspertëve solli në evidentimin se raporti i komisionit nuk qe aq etik, lidhjet familjare mes anëtarëve të qeverisë me ekspertët e komisionit përbënin një problem më vete. Siç edhe raporti që prodhuan ato në dukje qe një reformë e cila do të zhbënte lidhjet e drejtë për drejta me politikën por që në thelb kishte shumë gjasë të bënte lidhjen nëntokësore mes kryeministrit dhe anëtarëve të gjykatës.

Ndonëse reforma në drejtësi lindi si nevojë edhe domosdoshmëri për një vend si Shqipëria, që nuk ka dëshirë të respektojë maksimalisht as ato parime për të cilat ka rënë dakord. Pikërisht mungesa e këtyre parimeve arriti të kthejë, sidomos gjatë presidencës së Bamir Topit, sistemin gjyqësor në një korporatë të madhe.

Kështu sistemi aktual i drejtësisë, ndonëse është tërësisht i kalbur, e ka këtë kalbje si pasojë e ndërhyrjes së pa principtë të politikës për ta kontrolluar atë.

Nuk besoj se është i rastësishëm dufi i kryeministrit që lëshohet ndaj drejtësisë sa herë që vendimet e saj janë kundër interesave të tij apo personave pranë tij. Janë pikërisht këto segmente të shpërthimeve që duhen pasur parasysh sa herë që kryeministri flet nga foltorja e Kuvendit apo ndonjë institucioni tjetër si një ashik i lidhur ngushtë me drejtësinë. Siç nga krahu tjetër, imituesit e tij si rasti i Tahirit, përpiqen të krijojnë një relatë të ngushtë me liderin duke e imituar sulmin ndaj gjyqësorit sa herë që ky i fundit ka diçka serioze.

Janë të largëta ditët kur Tahiri shkonte në zyrën e Llallës për t’i kërkuar të hetohej për akuzat, apo jo?!

Kjo dyanësi qëndrimi ndaj sistemit gjyqësor dhe atij hetues janë një tjetër argument për të kuptuar se opozita ka një farë drejtësie në frikën e saj ndaj reformës në drejtësi. Frikë e cila morri përgjigjen e saj nga komisioni i Venecias. Ky i fundit pasi parashtroi një sërë pikash të rëndësishme që fundosën qartësisht reformën e propozuar nga ekspertët, i dhanë mundësinë politike opozitës të futej në lojë.

Një mundësi të cilën Rama nuk kishte ndërmend t’ia jepte përderisa qasja politike e opozitës me shumë mundësi ishte më e sigurt se e mazhorancës. E cila ndër të tjera në betejë duket se vinte edhe e dyzuar me një aleat që nuk ia kishte edhe aq shumë qejfi të përfshihej në një reformë që mund të shndërrohej në gijotinën e tij.

Por një arsye tjetër se përse mazhoranca nuk parapëlqente ta trajtonte politikisht këtë fenomen qe edhe nga mungesa e armëve për t’u përballur jo vetëm me argumentat e opozitës por mbi të gjitha me realitetin gri që prodhonte kryeministri me shpërthimet e herë pas hershme ndaj gjyqësorit.

Në këtë lojë, ishin qartazi dhe ndërkombëtarët të cilët u investuan fuqimisht që reforma të merrte drejtimin e duhur për t’u miratuar në parlament. Në bazë edhë të këshillave e sugjerimeve të Venecias, përpos kërkesës së vazhdueshme të Opozitës, ato këshilluan dialogun politik përveç diskutimit në nivel ekspertësh.

Mbështetësit e teorisë së mazhorancës se nuk ka nevojë për dialog politik, heshtën duke i lënë vendin një arsyetimi më politik ndaj kësaj çështje dhe mbrojtja edhe apologjia e tyre kundër dialogut rreshti me një të rënë të lapsit duke u shumëzuar me zero.

Me të drejtë? Ndoshta, duke qenë se politika nuk mund të jetë një outsider në raport me atë çfarë po ndodh ndaj një pushteti të rëndësishëm si gjyqësori aq më shumë kur defektet e Reformës “Jopolitike” qenë të dukshme dhe u evidentuan përpara se të shkonin deri në Venecia.

Por nëse dialogu politik nisi në rang deputetësh, kryeministri duket se e kishte të qartë dhe bindte veten dhe të tjerët se do të votohej një reformë në drejtësi që nuk do të kënaqte të dyja palët.

Pikërisht, me këtë qëllim në mendje mediat pranë tij nisën ndërtimin e një historie në të cilën përfshiheshin sa gjyqëtarë të lidhur me Berishën dhe PD-në ashtu edhe histori që do të çonin më në fund para togave të zeza Berishën dhe ministrat e tij. Madje jo pak herë analistë të cilët qartësisht paraditeve janë një zë në veshin e Ramës, përpiqeshin në darke të pikturonin një të ardhme të errët deri edhe për Bashën që kjo reformë do të sillte.

Në përgjigje të tyre edhe opozita përdori me mënyrat e saj jo dhe aq efiçente, të njëjtët armë për të dëshmuar që ishte Rama dhe mazhoranca që nuk dëshironte një Reformë në Drejtësi. Arsyeja se përse kjo ligjëratë e opozitës ngjiti vjen edhe si pasojë e skandaleve të njëpasnjëshme që shpërthyen në qeverinë Rama të cilët e bënë më të besueshme këtë teori.

Gjithsesi, qeveria e Ramës që njësoj si qeveria Berisha e quajti Gërdecin aksident teknologjik dhe që u mbrojt për 21 janarin në të njëjtën mënyrë, vazhdonte të trumbetonte me aftësinë e saj të pakrahaueshme propaganduese se qe Berisha që pengonte PD-në për të pranuar reformën.

A mund të jetë kështu? Edhe mundet! Por nga sa lexohet në kohëzgjatjen e gjithë këtyre bisedimeve, në çështjet e rëndësishme është PD ajo që ka arritur të mposhtë Reformën e Fatmir Xhafaj dhe mazhorancës.

*Shkrim i marrë me shkurtime nga faqja elektronike diaryoftirana.com

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto