Templates by BIGtheme NET

Milva i ka idetë e qarta: Kemi receta kuzhine dhe investime nga Makao (!)

15966488_10209578605196027_311083268_o
Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi në një intervistë televizive në “Ora News”, ofroi një panoramë interesante mbi arritjet e Shqipërisë, por sidomos edhe mbi planet e ministres për të na zhvilluar edhe më tepër. 

Zonja Ekonomi u është përgjigjur edhe shqetësimeve të gazetares me një kompetencë të dukshme. Një ndër shqetësimet, është mungesa e investimeve të huaja të rëndësishme. Ndërsa vendet e rajonit kanë arritur të tërheqin kompani me emër, në Shqipëri vijnë vetëm fasonë dhe call Center.

Por zonja Ekonomi thotë se kjo situatë do të ndryshojë:

Ajo që është më e rëndësishme është se kryeministri e ka në vëmendjen kryesore këtë gjë, që të nxisë dhe të shtojë mundësinë e investitorëve të huaj për ta kuptuar Shqipërinë si një destinacion i mirë ku ato mund të investojnë… Ka kompani që vijnë nga Makao që kanë ardhur dhe kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri”.

Makao është një ishull i vogël i cili është i shquar për tre cilësi:

E para, ka industrinë më të zhvilluar të bixhozit në botë;

E dyta, ka ekonominë ndër më të dobëtat në botë;

E treta, ka ekonominë ndër më spekulativet në botë, ku pothuajse gjithçka është jashtë kontrollit.

Duket e çuditshme se si nga ky vend do vijnë kompani të njohura dhe me peshë.

Por për të parë se sa e ka të qartë situatën zonja Ekonomi, duhet të presim përgjigjen për pengesat që has biznesi.

Zonja Ekonomi thekson se në këtë drejtim Shqipëria është një vend me fat. Dhe ky fat vjen nga fakti se ministria e Ekonomisë drejton dy forume të krijuara nga vetë Qeveria.

Në ministrinë e Ekonomisë kemi fatin që drejtojmë dy forume shumë të mëdha komunikimi me biznesin. I pari është Këshilli i Investimeve dhe i dyti është Këshilli Ekonomik Kombëtar”.

Por zonja Ekonomi e prish paksa qartësinë e mendimit kur pyetet nëse ka një strategji se si do të zhvillohet turizmi.

Sipas ministres së Ekonomisë dhe Turizmit, strategjia përqëndrohet në dy pika:

Po ndajmë llojin e produkteve turistike që ofron Shqipëria, sipas bashkive apo qarqeve, dhe të gjitha këto po kalojnë në një matje të re statistikore, falë bashkëpunimit që ne kemi krijuar me INSTAT, lidhur me një anketë që ato bëjnë një herë në vit, për të matur impaktin që jep turizmi në ekonominë shqiptare, por si industri më vete tashmë, jo si pjesë e grupit të shërbimeve. Pra, edhe kjo gjë po arrihet për të kuptuar ecurinë turistike të vendit”.

Pra, pika e parë e strategjisë së dikasterit të Ekonomit është të bëjë anketa dhe matje të impaktit që ka turizmi në Ekonomi.

Po e dyta?

Investimet janë të lidhura me mënyrën se si ne po kërkojmë të zhvillojmë një territor ku ka mundësi të zhvillohet turizmi. Ndërkohë, për sa kohë ne promovojmë turizmin në Shqipëri dhe si një turizëm që ka biodiversitet të shumëllojshëm dhe ka akoma produkte bio, po përpiqemi që edhe kultura kulinare e rajonit të promovohet, duke çuar atje kulinarinë pak më të sofistikuar, pra që produkti përpunohet dhe bëhet një recetë e re për rajonin, dhe duke e promovuar këtë, por edhe duke krijuar mundësinë që ekonomitë lokale të marrin pjesë në këtë promovim që i bëhet kulturës kulinare të zonës”.

Pika e dytë qenka më interesante. Me fjalë më të thjeshta, zonja Ekonomi dhe stafi i saj po zhvillon turizmin duke promovuar receta kuzhine të sofistikuara që do të zëvendësojë gatimet tradicionale.

E ç’mund të thuash pas gjithë këtyre risive strategjike përveçse: Faleminderit zonja Tefta! /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto