Templates by BIGtheme NET

VOTIMI KUNDËR SHBA – A e negocioi Damian Gjiknuri pazarin me turqit?

Ditën kur në OKB do të votohej rezoluta kundër SHBA-ve (për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit), ministri shqiptar i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri ndodhej në Turqi, ai ishte i ftuar special i një konsorciumi të fuqishëm të biznesit turk, në një ceremoni që mbahej për një projekt investimi 1.4 miliardë USD.

Gjiknuri nuk kishte ndonjë lidhje me këtë projekt në Turqi, por ai ishte i ftuar special i kompanisë ‘Kalyon Group’, një kompani në pronësi të afaristit turk Orhan Kalyoncu.

Zoti Kolyoncu është një miliarder që mbështet fort Presidentin Erdogan dhe që mban lidhje biznesi me dhëndrin e Erdoganit të quajtur Berat Albayrak (ministër i Energjisë në Turqi).

Në fotot e shpërndara për këtë ceremoni mund të dallohet familjariteti i zotit Gjiknuri me biznesmenin Kalyoncu dhe dhëndrin e Erdoganit, Berat Albayrak.

Të tre kanë pasur mundësi të presin e përcjellin disa herë njëri tjetrin në muajt e fundit.

Por një burim diplomatik i informuar dhe i angazhuar në proces, i tha Hashtag.al se javët e fundit objekti kryesor i takimeve mes palëve ka qenë mbështetja e Shqipërisë për rezolutën turke e cila ndëshkonte SHBA-të.

Burimi pretendon se kontaktet-turko shqiptare mbi këtë çështje kanë nisur në muajin nëntor 2017.

Më 28 Nëntor 2017, Zv/Presidenti i SHBA-ve Mike Pence deklaroi publikisht se Presidenti Trump po vlerësonte seriozisht mundësine e zhvendosjes në Jerusalem të ambasadës së SHBA-ve në Izrael.

Kjo deklaratë e Mike Pence i vuri të gjitha palët në lëvizje, ndërsa burimi diplomatik informon se në lëvizje u vu dhe afaristi turk Orhan Kalyoncu.

“Ekzekutivë të ‘Kalyon Group’ kanë mbërritur në Rinas më datën 29 Nëntor 2017, ata erdhën me një avion privat TC-KHG, të cilin e kishte marrë me qira. Kjo ishte vizita e parë dhe një shtet fqinj me Shqipërinë i cili ka mbikëqyrur lëvizjet, informoi shërbimet partnere për këtë vizitë.Pas kësaj date, deri më 21 Dhjetor janë realizuar edhe disa udhëtime të tjera mes palëve drejt Tiranës apo Ankarasë e Stambollit. ‘Kalyon Group’ ka intensifikuar kontaktet me zyrtarë dhe biznesmenë shqiptarë pas 29 nëntorit dhe ne mendojmë se shkaku kryesor i këtyre vizitave të shpeshta lidhet me rakordimin për votimin në OKB”, – sqaron burimi diplomatik.

I njëjti burim diplomatik thotë se “Kalyon Group” është një firmë e profilizuar në ndërtimet infrastrukturore, rrugë dhe vepra, ndërsa familjariteti i zotit Gjiknuri me këtë kompani mund të ketë bërë që “Kalyon Group” të ketë mbështetur dhe lobuar kalimin e Ministrisë së Transporteve në varësinë e Gjiknurit në qeverinë Rama-2.

Aktualisht kompania ‘Kalyon Group’ është e angazhuar dhe në ortakëri me gjigandin rus të energjisë atomike ‘RosAtom’ në ndërtimin e një impianti atomik në Turqi. / Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto