Templates by BIGtheme NET

Ç’fshihet pas punësimeve me portal

Nga Joe Hogan*

Dy ditë më parë kryeministri prezantoi portalin ‘infermier për Shqipërinë, një platformë elektronike, e cila ndihmon qytetarët, të cilët kane mbaruar infermieri edhe kërkojnë vende të lira pune. Po të shifhet me kujdes ky portal është një version 2.0  ‘copy-paste’ i portalit ‘mësues për Shqipërinë’, të lancuar 2 vite më parë nga Lindita Nikolla, ministre e Arsimit.

Ministrja e trumpetoi këtë portal si një arritje unike ku do të luftohej nepotizmi, ndërhyrja nga politika, apo edhe nga njohjet në dikaster dhe ku do të triumfonte vetëm meritokracia. Por çfarë ka ndodhur këto kohë që portali i infermierëve po përgatitej?

Për të treguar që Manastirliu është më e aftë se parardhësi i saj Ilir Beqaj, në muajin shtator nxjerrë një urdhër verbal për të gjithë drejtuesit provizorë të spitaleve dhe drejtoritë e shëndetit parësorë në vend, ku bllokon punësimet për infermierë për një afat të pacaktuar.

Ky fenomen bllokimi ka sjellë këto kohë edhe rënie të madhe të rendimentit të shërbimit nga institucionet shëndetësore në vend për shkak të mungesës së infermierëve.

Dy ditë më parë Rama tha se janë 420 vende të lira për infermierë në të gjithë vendin dhe i ftoi të gjithë që të konkurojnë, ku ministrja e tij ndihej si triumfatore, ndërsa shefi i vet fliste se ajo ia arriti qëllimit të bëjë shoën e radhës.

Por si qëndron e vërteta?

Si portali ‘mësues për Shqipërinë’ edhe ky portal ‘infermier për Shqipërinë’ do të jetë një farsë.

Ministrja tha se do të zhvillohet konkurs për vendet e punës por a do të jetë ky konkurs real apo do të jetë e njejta farsë si me drejtuesit e spitaleve në vend, ku të gjithë emrat janë anëtarë të Partisë Socialiste dhe nuk i zgjodhën në bazë të aftësive dhe meritokracisë.

Dhe sa provime të tjera duhet të japin infermierët shqiptarë, pas provimit të diplomës dhe provimit të lejës së ushtrimit të profesionit?

Emërimet në çdo qark do të kryhen nga partia. Çdo emër infermieri për spitalet duhet të kalojë nga kryetari i Bashkisë apo nga deputeti i zonës për qendrat shëndetësore. Më pas këta emra të përzgjedhur do të çohen individualisht tek shefja e Kabinetit të Ministrisë së Shëndetësisë. Pas miratimit, të përzgjedhurit e partisë do të fillojnë punë.

Këta emra do të kontrollohen nga Blerina Gjylameti, sekretare për Punësimin, nëse dikush ka devijuar apo ka shpëtuar nga linja e partisë. Dhe në fund asnjë s’do t’ia dijë për infermierët ekselentë por vetëm për partinë sepse është ajo që i fut njerëzit në punë pa meritë, në këmbim të votës për zgjedhjet e ardhshme 2019.

*Vini Re: Joe Hogan është nofka e autorit, i cili është funksionar publik në Tiranë

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto