Templates by BIGtheme NET

Baton Haxhiu, ky drejtor i propagandës neokoloniale

Nga Boiken Abazi

Po të mos ishte drejtor i një TV, Baton Haxhiu, do të ishte thjesht një manipulant qesharak. Por nga që e mban atë pozicion atëherë çështja nuk është më për të qeshur, pasi ka uzurpuar një frekuencë publike të cilën e ka vendosur në shërbim të pushtetit autoritar dhe Klanit Pronto, dhe në vija të përgjithshmë në funksion të neokolonializmit në Kosovë. Ai shkruan për 40 Prioritetet e Republikës që paraqiti Lëvizja VETËVENDOSJE! në fushatën e zgjedhjeve parlamentare, duke i quajtur “fjali pompoze pa asnjë elaborim përkatës metodik”, dhe këtë e quan “arrogancë politike të Kurtit që vjen nga vetëprojektimi i supremacisë së diskursit të tij politik”.

Le të merremi me disa zbërthime të shpejta të pretendimeve të Batonit lidhur me 40 prioritetet. I shpjegojmë Batonit, që bën sikur nuk e ka ditur, që shumica e 40 Prioritetet të Republikës kanë dalë të përditësuara nga Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE! (e publikuar që në vitin 2013), libër jo i vogël e tejet përmbajtësor, i botuar megjithatë në versionin e shkurtër për ta bërë më të lehtë leximin, sepse versioni i gjatë ishte mbi dy herë më i zgjeruar, për të cilin kanë punuar e kontribuar me dhjetra persona.

Secili prej 40 prioriteteve të fushatës është zbërthyer me shkrim, por edhe në prezantime publike e në emisione TV, jo vetëm prej Albinit por edhe prej kandidatëve të tjerë për deputetë, duke bërë ndërlidhjen me buxhetin, shpjegimin elaborues, e duke treguar metodat e zbatimit. Në fakt këto prioritete kanë dalë pas një diskutimi të gjatë mes anëtarëve të Shtabit zgjedhor dhe grupit që punoi për platformën programore të kësaj fushate. Në këtë grup pune, përveç Albinit, ka marrë pjesë Besnik Bislimi (drejtuesi), Dejona Mihali, Shpend Ahmeti, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Besnik Pula, unë, e plot të tjerë që kanë kontribuar me shumë ide të përfshira në prezantimin final të 40 prioriteteve.

Tash, duke ia mveshur meritat për të 40 Prioritetet e Republikës Albin Kurtit, Batoni në mënyrë qesharake dhe hipokrite (sepse tregoi në emision që dinte për diskutime të brendshme të VETËVENDOSJE!s nga persona të brendshëm, së paku që para 3 muajve) ngre kultin e Albinit, gjë për të cilën ai pretendon se është kundër.

Batoni, me cektësinë manipulante që e karakterizon, në thelb thjesht tenton të sulmojë programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bashkimin kombëtar dhe social-demokracinë që mban distancë nga centrizmi neoliberal, pasi ai nuk është pajtuar kurrë me qëndrimet dhe programin e Lëvizjes. Ai ka qenë hapur dhe publikisht për “Zajednicën”, për “Demarkacionin”, për Nikolla Gruevskin, për disa privatizime të egra e shkatërruese e për shumë padrejtësi të tjera që i janë bërë shqiptarëve në mënyrë supremaciste. Batoni që përdor frekuncat publike për të rrënuar publiken, gjen kurajo të akuzojë si “supremacistë” ata që mbrojnë publiken dhe lirinë kolektive kundër sojit të tij.

Batoni, që është ulur në të gjitha llojet e tavolina të pushtetit shtypës (nga ku buron edhe pushteti edhe jeta e tij e kamur dhe luksoze në një Kosovë të zhytur në varfëri), Batoni, që për nga natyra politike i ngjan pikërisht asaj specieje “më të barabartë” të fermes së famshme të Orwellit, Batoni ka gojë të flasë për barazi! I ngritur pikërsht përmes shfrytëzimit dhe thellimit të pabarazisë, Batoni mbron prej shumë vitesh luftën e asaj specieje “më të barabartë” Orwelliane ndaj gjithkujt që lufton pabarazinë.

Në shkrimet e tij Batoni vërteton edhe një herë se ka qenë një nxënës i devotshëm i mësimeve demagogjike të ish shefit të Sigurimit Sekret të Serbisë, Stanishiqit (i cili nga takimet me Batonin, po del që mund ta ketë për zemër), dhe praktikave supremaciste të Serbisë gjatë viteve 1990. Në atë kohë, Serbia nga një anë digjte e shkretonte popullin në Kosovë, nga ana tjetër e paraqiste veten si viktimë të “terrorit shqiptar”. Shkolla e demagogjisë supremaciste të Stanishiqit, mund të jetë e vetmja dije që ka mbetur në zbrazëtinë intelektuale, por megjithatë manipulante, të Batonit, këtij drejtori të propagandës neokoloniale.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto