Templates by BIGtheme NET

Ekskluzive-Kontrata / Stafet e qendrave shëndetësore do punojnë për Vilma Nushin


Një kontratë-standarde e hartuar nga Ministria e Shëndetësisë zbulon se qendrat shëndetësore të lagjeve dhe mjekët e familjes, janë shndërruar në punonjës të koncensionarit të Check-Up, në pronësi të biznesmenes Vilma Nushi.

Kontrata është siguruar ekskluzivisht nga Hashtag.al.

Historia e kësaj kontrate fillon në datën 29 Dhjetor 2017, kur në fshehtësi të plotë është miratuar (me vendim të këshillit administrativ të Fondit të Sigurimit Shëndetësor) kontrata e re “Për financimin e qendrave shëndetësore për vitin 2018” për mjekët, infermierët dhe drejtuesit e qendrave shëndetësore.

Po të shihet me vëmendje në këtë kontratë kemi një risi në nenin 8, për herë të parë është përmendur Kontrolli Mjekësor Bazë (Mjeku e ka detyrim profesional të kontrollojë gjendjen shëndetësore të çdo pacienti që paraqitet në qendër shëndetësore dhe t’i shërbejë këtij të fundit) që në të vërtetë është koncensioni-PPP Check-Up i biznesmenes Vilma Nushi.

Ky nen detyron Qendrat Shëndetësore dhe stafin e tyre, mjekët dhe infermieret që të vihen në shërbim të CheckUp-PPP, të evidentojnë të gjithë shtetasit shqiptarë nga mosha 35 deri 70 vjeç dhe të kryejnë CheckUp , kontrollin e shëndetit. Ky detyrim që sjell neni 8 i kësaj kontrate rrit automatikisht vizitat për koncensionin  e zonjës Nushi.

Por shtrëngimet e kësaj kontrate vijojnë dhe me nenin 9, ku prezantohen detyrimet e drejtorëve të qendrave shëndetësore. Për herë të parë në historinë mjekësore, drejtori i qendrës duhet të japë llogari për aktivitetin e koncensionit PPP ose ndryshe kontrollit bazë.  Ky nen e detyron drejtorin e qendrës shëndetësore të mobilizojë stafin e vet që të marrë sa më shumë analiza për grup moshën 35-70 vjeç, kur është qytetari që duhet të shkojë te mjeku dhe jo mjeku të thërrasë me pahir qytetarin.

Më tej, drejtori i qendrës shëndetësore detyrohet në këtë kontratë, që çdo muaj të raportojë për rezultatin mjekësor të koncensionit-PPP, nëse rezultati është i dobët për drejtorin mund të ketë pasoja.

Një pikë tjetër e kësaj kontrate është neni 11, CheckUp-PPP është futur si shërbim që e detyron mjekun e familjes të kontaktojë shtetasit e grup moshës 35-70 vjeç që të paraqiten pranë kabineteve të tyre dhe kryejnë CheckUp që të rrisin numrin e analizave. Me rritjen e analizave rriten edhe të ardhurat e zonjës Nushi.

Gjithashtu neni 11 pika 7 detyron përsëri mjekun e familjes të përgjigjet për objektivat ditore dhe mujore për kontrollet e moshave 35-70 vjeç, a thua se mjeku ka punë vetëm me këtë grup moshë?!

Neni 14 i kësaj kontrate gjithashtu detyron infermierët të jenë në shërbim të kontrollit mjekësor bazë ose CheckUp-PPP, po ashtu si mjekët.

Kontrata parashikon se nëse nuk arrihen objektivat e numrit të kontrolleve dhe kryerjes së analizave, për drejtorin e qendrës shëndetësore ka penalizime deri në shkarkimin e tij nga puna.

Mjekët si agjentë marketingu

Paralelisht me këtë kontratë ekziston dhe marrëveshja që koncensioni i zonjës Nushi ka me Fondin e Sigurimit Shëndetësor. Sipas kësaj marrëveshje, janë punonjësit e zonjës Nushi, pra punonjësit e koncensionarit ata që duhet të ndërgjegjësojnë dhe të bindin qytetarët për të kryer kontrollin bazë mjekësor.

Por kontrata e lidhur së fundmi mes Fondit dhe Qendrave Shëndetësore detyron dhe këto të fundit të vihen tërësisht në dispozicion të interesave të zonjës Nushi, duke i kthyer drejtorët e këtyre qendrave, mjekët dhe infermierët në agjentë marketingu.

Ingranimi i stafeve të Qendrave Shëndetësore si agjentë marketingu e kthen koncensionin e zonjës Nushi, automatikisht në pronar të këtij sektori të shëndetësisë, pasi të gjitha burimet njerëzore të qendrave janë të detyruar të punojnë për të.

Gjasat janë që pas kësaj kontrate, fitimet e zonjës Nushi të rriten ndjeshëm, por nuk është kjo më e rëndësishmja.

Pasi efektet e kësaj kontrate, më tepër se financiare janë dekurajuese për qindra punonjës në mjekësi.

Le të përpiqemi ta përmbledhim atë çfarë ka ndodhur me fjalë të thjeshta.

Imagjinoni një mjek që ka shpenzuar vite, energji dhe sakrifica në mjekësi dhe ka nisur punë në një qendër shëndetësore.

Një ditë të bukur i vjen urdhëri që e kthen në agjent marketingu i një biznesmeneje si zonja Nushi, e cila nuk ka asnjë lidhje me shëndetësinë, që emrin dhe pasurinë e bëri duke shitur duhan dhe në shëndetësi kapi një koncension meqenëse ka shok kryeministrin Rama.

Çfarë ndodh me këtë mjek që e gjen veten si agjent marketingu të zonjës Nushi? Po me pacientët e tij çfarë do ndodhë?

Ky duket dhe problem real i kësaj kontrate pasi përveç efekteve financiare, kontrata depersonalizon dhe përçudnon  stafet e qendrave shëndetësore. / Hashtag.al

⇒ Shkarkoni kontratën e plotë duke klikuar këtu.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto