Templates by BIGtheme NET

Rikthehen bandat e ’97-ës!

 

Nga Flamur Vezaj

Zgjedhjet për kreun e FSHF-së, kanë nxjerrë nga strofulla disa prej kriminelëve më të rrezikshëm të vendit!

Po po, kriminelë dhe persona me precedent të rrezikshëm kriminale nga të cilët është kërkuar mbështetje dhe prezencë ditën e zgjedhjeve në Durrës!

Kanë shkuar deri aty, sa një prej biznesmenëve të njohur në vend me të kaluar të dyshimtë, që është edhe personi kryesor që mbështet kandidatin e PS-së pas kunitave paska tentuar që në emër të OSBE-së të rezervojë disa dhoma në Hotel “Adriatiku” me arsyetimin se do bëjnë seminar!

Po çfarë seminari do të bëjnë këta kriminelë dhe ish-punonjës policie e persona me probleme me ligjin ditën e zgjedhjeve!!??

Apo thjesht për të qenë brenda hotelit kur të plasë sherri apo kur i kërkohet të ndëhyjnë. Duke parë këtë situatë, më thonë se është kërkuar edhe prania e forcave të policisë që me shumë gjasa nuk do të mungojnë! Jo forca të thjeshta por të atyre të RENEA-s që të jenë prezentë tek hoteli që një ditë para zgjedhjeve!

Por, jo vetëm kaq, më thonë se nuk mungojnë edhe presionet e kërcënimet e hapura me telefon e me vizita poshtë shtëpisë së anëtarëve të Asamblesë duke i kërkuar mbështjetjen për kandidatë të veçantë!

Në mesin e këtyre kërcënuesve me telefon qenkan edhe të paraburgosur “VIP” nga “313” apo burgu i Peqinit dhe Fushë-Krujës! Jo vetëm kaq, në mbështetje të Finos na paskan përfshirë edhe grupe kriminale nga Shkodra e Elbasani duke mos harruar ata të Vlorës ose me saktë një grup të vjetër e të njohur në Shqipëri i ngritur që në vitin 1996 që tashmë po përdor edhe median për këtë fakt!

Për këto probleme na qenka njoftuar edhe kryeministri i vendit që për momentin paska vendos t’i injorojë këto alarme ndoshta edhe për faktin se i vëllai është përfshirë në këtë histori!

Përballë këtyre edhe Duka nuk paska mbetur mbrapa, ku ka kërkuar ndihmë nga grupet e Shijakut dhe Laçit, ku disa prej tyre me shumë gjasa nuk do të mungojnë edhe në ditën e zgjedhjeve përballë këtyre të Finos! Është shumë e turpshme që në këtë mënyrë duan të zgjidhen krerët e kësaj Federate që tashmë është “privatizuar” nga Duka!

Unë prej kohësh kam kërkuar largimin e Dukës se ka shkatërruar kampionatin e dërrmuar tifozët! Por në këtë rast më mirë Duka, se të pakten merr vesh pak nga Futbolli se ka disa vite eksperiencë sa Bashkim Fino, një arrogant i pandreqshëm që nuk mbahet mend për ndonjë gjë të mirë dhe që para se të marrë drejtimin e FSHF-së, bën presione e kërcënime me burg e me dosje, çka tregon se vazhdon të jetojë në vitin 1997!

Nuk është ky që i duhet federates pasi ai nuk mund të sjellë frymë të re siç pretendon me metoda të vjetra! Këtë e bën se ka edhe mbrapa prokurorinë që për faqe të zezë është vënë në lëvizje pak ditë para zgjedhjeve në FSHF nga individë e klube që deri dje kanë mbyll sytë përballë këtyre “shkeljeve” e tashmë kur është përfshirë një deputet në garë me mbështetjen e vëllait të kryeministrit u kujtuan!

Një fjalë e urtë thotë, më mirë vonë se kurrë por jo, boll me këto metoda presioni, kërcënimi, alabakësh e duke përdor pushtetin dhe institucionet me të vetmin qëllim të zgjidhen në krye të një OJF-je një deputet!

O njerëz, është sporti më i bukur në botë dhe nuk ka nevojë përfshirja e kriminelëve!

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto