Templates by BIGtheme NET

Goditja e elitës-Pedagogët pa paga, artistët pa teatër

Pedagogët e Universitetit të Tiranës, që prej janarit ende nuk i kanë marrë rrogat e tyre. Edhe pse sot është data 10 shkurt, ende nuk kanë dalë rrogat e janarit.

Rastin në fjalë e denoncuan publikisht disa pedagogë të njohur të Universitetit të Tiranës, midis tyre Artan Fuga, Dhurata Shehri, zv.dekani Agron Gjekmarkaj, Shezai Rrokaj, etj.

“Pedagogët e universiteteve publike në të gjithë vendin pa rroga, u kanë prerë bukën!”, ishte sinjalizimi i akademikut Artan Fuga.

Ndërkohë nga ana tjetër, Dhurata Shehri u bën thirrje kolegëve të saj që të reagojnë lidhur me këtë situatë të paprecedentë, pasi është një turp për ta.

Pedagoget te kuptojne se kercenimi me rrogen dhe humbja e dinjitetit mund t’i beje te turperohen nje dite. 
Kokeulur e heshtur po pranojme nje poshterim qe ndoshta e MERITOJME nese nuk reagojme shpejt e fuqishem.”, shprehet Shehri.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Zv.dekani i Fakultetit të Filologjisë, Agron Gjekmarkaj, i cili kërkon shpjegime përmes një letre zyrtare. Sipas tij, pedagogët nuk i kanë marrë pagat që u takojnë për arsye të mungesës së një VKM-je.

“Ne nje shtet demokratik kur ke nje kontrate pune rroga eshte nje e drejte e patjetersueshme nje detyrim ligjor i pakapercyeshem. Na thuhet se mungon nje VKM (vendim i keshillit te ministrave) sikur ajo te jete nje fatkeqsi natyrore, ortek, bore, shi, termet e pastaj çdo gje rregullohet po se kur e si askush nuk na e thotë”, shkruan ndër të tjera Gjekmarkaj.

Më tej Gjekmarkaj u bën thirrje kolegëve të tij të reagojnë lidhur me këtë situatë, ndërsa u kërkon studentëve mirëkuptim dhe mbështetje, që të mos kryejnë sezonin e provimeve pa u rregulluar kjo situatë.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe pedagogia në UT Dhurata Shehri, e cila shkruan se nëse pedagogët nuk reagojnë shpejt lidhur me këtë situatë, do pranojnë kokëulur një poshtërim.

Gjithë debati kaloi edhe në diskutimin politik, pas reagimeve të deputetes demokrate Albana Vokshi dhe deputetit të LSI-së Shezai Rrokaj.

Deputetja demokrate Albana Vokshi i bën thirrje urgjente ministres së Arsimit Lindita Nikolla që të sigurojë fondin e pagave për universitetet sepse pedagogët nuk janë paguar.

“Ministrja e Ramës, Lindita Nikolla, duke u marrë me eksperimentet e urdhëruara nga Rama apo me “merkaton” e pushtetit ka lënë pa paga të gjithë pedagogët !

Në universitete, askush nuk ka marrë rrogat sepse Qeveria ende nuk ka kaluar fondet … Sot, Universitetet nuk kanë para në llogari për pagat.”, denoncon Vokshi, duke ironizuar me karikaturën ‘Në pritje te bankomati’.

Vokshi, kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit i bën thirrje Nikollës duke i përsëritur: “Siguro urgjent fondin e pagave!”

Ndërkohë deputeti i LSI-së, ish-dekani i fakultetit të Histori-Filologjisë, ngre pyetjet se përse akti nënligjor që Ministria e Arsimit nuk e ka bërë aktin nënligjor në kohën e duhur dhe kërkon një reagim nga vetë institucioni lidhur me këtë.

“Po përse ky akt nënligjor nuk është bërë në kohën e duhur? Përse nuk ka një komunikim administrativ a publik nga ministria përgjegjëse? Çfarë qenka kaq e vështirë për një akt nënligjor në raport me 6000 mijë familjet e profesoratit? 
Ka vetëm një përgjigje: papërgjegjshmëri. Kur mendon se sa kohë shpenzon qeveria për fasada ekranesh e aktrime nëpër salla doemos qytetarët, kinse në bashkëqeverisje, mbeten më të keqpërdorurit prej saj.”, shprehet Rrokaj.

Përpos çështjes së pagave të pedagogëve, një tjetër grup i elitës shqiptare është goditur. Bëhet fjalë për artistët e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë shqiptare, të cilët kanë firmosur një peticion kundër zhvendosjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

I pari që reagoi lidhur me këtë ishte Robert Ndrenika, i cili është i mendimit se Teatri Kombëtar është vjedhur vit pas viti, duke iu referuar vendimit të ministres Mirela Kumbare për ta zhvendosur diku tjetër.

“Atë “Turbinën”  unë vajtja e pashë edhe me shokë ajo ishte qesharake për teatër ajo nuk bën. Ishte vetëm për ndonjë fushatë elektorale në fund  prandaj ajo fjala që i paskam thënë ministreshës që do shtrihem tek teatri dhe ajo që ka thënë le të vijë të interpretojë të shtrihet tek “Turbina” që ma ironizoi ajo paska qenë me vend. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër pa marrë vesh se çfarë do të bëhet në të,”, tha Ndrenika duke iu referuar me “turbinë” vendodhjes së re të përcaktuar nga Kumbaro për TK.

Pas fjalës së Ndrenikës në peticion, reagoi edhe Përparim Kabo i cili u shpreh: “Të pashë e të dëgjova Robert Ndrenika…ai laku erdhi edhe në grykën time jo si buka e munguar por si shpirti që po mbytet…Popujt e vegjël mund të mbahen nga identiteti, nga kontributet dhe ne shqiptarët në artin teatror e kemi të madh e të shquar atë çfarë kemi bërë…”

Ndryshe nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla për çështjen e pagave, ajo e Kulturës Mirela Kumbaro ka reaguar për çështjen e TK.

Kumbaro tha se ndryshimet në ligj janë bërë si pasojë e kërkesës së artistëve dhe intitucioneve kulturore, ndërsa ka thënë se do i takojë artistët.

‘Patjetër që do t’i takoj artistët. Ne jemi duke ndërmarrë një nismë ligjore që vjen si pasojë e kërkesave jo vetëm të artistëve por edhe të institucioneve kulturore, qendrore por edhe vendore.  Ligji aktual për artin dhe kulturën që është ai i vitit 2010 ka krijuar një mekanizëm lehtësimi për projektet kulturore që përjashton nga prokurimi nëpërmjet formulës së kolegjiumeve vetëm për Ministrinë e Kulturës. Ne gjykojmë që ky mekanizëm duhet të përhapet edhe tek institucione të tjera me qëllim decentralizimin dhe nxitjen e financuesve të tjerë për mbështetjen e aktiviteteve kulturore’, deklaroi Kumbaro.

Përpos këtyre problemeve, aktorja Anila Bisha ka denoncuar në një emision live drejtorin e Teatrit Kombëtar, Hervin Çulin, duke thënë se ai nuk e lejon të jetë aktore në teatër. Sipas aktores, shkak për këtë vendim të Çulit është bërë fakti se ajo ka shprehur thjesht një mendim të sajin për mënyrën si funksionon Teatri Kombëtar.

“Jemi të terrorizuar. E di ti që unë nuk jam e angazhuar në Teatrin Kombëtar. Dhe më ka thënë direkt në sy: ‘Sa të jem unë ti nuk do të punosh në Teatrin Kombëtar. Kështu më tha drejtori Hervin Çuli. E gjitha kjo ishte vetëm sepse unë kisha shprehur mendimin tim si funksionon teatri në publik. Nuk thonë kot, që neve na trajtojnë si skllevër”, tha aktorja për drejtorin e TK.

Në këtë mënyrë, brenda një kohe shumë të shkurtër, elita e vendit është kundër veprimeve të qeverisë dhe ndihet e fyer, e sulmuar.

Përsa i përket çështjes së parë, në një moment apo në një tjetër, Ministria e Arsimit do detyrohet tua japë pedagogëve pagën që u takon, ndërkohë që për çështjen e teatrit nuk dihet ende si do venë punët.

Por, pas gjithë kësaj lind pyetja: A po e sulmon qeveria elitën e vendit? A ekziston një plan i strukturuar për t’i bërë presion?/ HASHTAG.AL

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

Më njofto
avatar

ăn dặm kiểu NhậtResponsive WordPress Themenhà cấp 4 nông thônthời trang trẻ emgiày cao gótshop giày nữdownload wordpress pluginsmẫu biệt thự đẹpepichouseáo sơ mi nữhouse beautiful