Templates by BIGtheme NET

Kumbaro-Ndrenikës: Heshtët kur Teatri u kthye në bingo

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, me anë të një letre të hapur, i ka kthyer përgjigje akuzave dhe dyshimeve të aktorit të madh Robert Ndrenika, për të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Në letrën e saj Kumbaro i kujtoi aktorit Ndrenika heshtjen gjatë kohës kur Teatri Kombëtar u kthye në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë, por jo artdashës dhe kohën kur qeveria e mëparshme shpenzoi miliona euro për zhvendosjen e Teatrit te godina e Piramidës.

“Teatri, aty ku është sot, nuk do të prishet dhe do të vijojë të përdoret, deri ditën kur një projekt i ri Teatri Kombëtar do të fillojë të ndërtohet”-sqaron ministrja.

Letra e hapur e Kumbaros

I dashur Robert, Ndoqa përmes medias fjalën e ndjerë, siç vetëm një mjeshtër i artit, i fjalës, i skenës dhe i shpirtit mund të ta thotë. Dua t’ju them menjëherë, i dashur Robert, se unë mendoj njësoj si ju. Unë mendoj njësoj si ju që artistët dhe skena shqiptare e Teatrit, nuk mund të liheshin mbi 60 vjet në një godinë të ndërtuar për të rezistuar jo më shumë se 15 vjet, siç është ajo ngrehinë e ushtrisë musoliniane.

Unë mendoj njësoj si ju me dhimbje se Teatri Kombëtar u la pa investim, pa rehabilitim për dekada, derisa degradimi i tij mbërriti në kufijtë e skajshëm saqë është i parikuperueshëm. Unë mendoj si ju sot, se ne, të gjithë bashkë, kemi nevojë më shumë se kurrë për një skenë të re, për kushte të reja dhe të shëndetshme për aktorët, për auditor dinjitoz dhe shërbim cilësor për publikun, për teknologji bashkëkohore të skenës. Unë mendoj, ma do mendja, siç duhet të mendoni dhe ju, se kjo nevojë do duhej të ishte marrë përsipër nga shteti shumë vite më parë dhe sot do të kishim Teatrin që duam dhe ndërkohë humbëm shumë kohë. Por unë mendoj gjithashtu se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që Teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë, por jo artdashës. Nuk di ç’mendoni ju për këtë, i dashur Robert.

Unë mendoj se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë duhej të kishte reaguar fort kur qeveria në vitin 2008-2009 vendosi të investojë rreth 6 milionë dollarë për të ndërtuar një teatër brenda Piramidës dhe ku pasi shpenzoi gjysmën e kësaj shume, e braktisi atë projekt për ta shkatërruar krejt piramidën në përfitim të një projekti tjetër për Parlament, duke na lënë sot një ngrehinë të dëmtuar rëndë nga këto ndërhyrje dhe për çka duhen të paktën 20 milionë euro për ta rehabilituar e rifunksionalizuar.

Nuk kujtoj që aktorët të kenë reaguar asokohe për paratë e groposura për dreq, gjynah! Për të mos thënë, kriminale! Unë mendoj se komuniteti i aktorëve ka pasur të drejtë kur mërzitej ndonëse nuk u ngrit në protestë kur aktorët në Teatrin Kombëtar dhe muzikantët në TOB emëroheshin pa kurrfarë konkursi, me një telefonatë politike nga lart dhe kur aktorë të rinj nuk e arrinin dot skenën, ndonëse në Teatrin Kombëtar kishte jo pak aktorë që prej vitesh merrnin rrogën pa hipur një herë në skenë.

Unë mendoj se ishte shumë e trishtuar kur Teatri Kombëtar u katandis me 2 premiera në vit dhe me javë të tëra ku s’jepej asnjë shfaqje, por nuk kujtoj ndonjë protestë për këtë, ndonëse me shumë të drejtë të gjithë qaheshin nëpër kafene. Unë mendoj se shteti ishte i vonuar në ndërhyrjet që bën për restaurimin e Teatrit Migjeni në Shkodër, për rindërtimin e Teatrit Çajupi në Korçë, për rindërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, për ndërtimin e Qendrës së re teatrale Turbina që po shkon drejt përfundimit.

Por, më mirë vonë se kurrë, shumë shpejt do të kemi në Tiranë dy skena të reja, të cilat bashkë me sallën ekzistuese të Teatrit Kombëtar do të administrohen nga vetë Teatri Kombëtar qoftë për produksionet e veta, qoftë për trupa të tjera që kanë nevojë për skena dhe që pasurojnë kalendarin skenik, siç ndodh edhe sot e kësaj dite. Unë dua t’ju shpjegoj, i dashur Robert, se nuk di pse ju kanë keqinformuar kur ju kanë thënë se aty do të vendoset definitivisht Teatri i Operës.

Ende nuk e kuptoj pse-në e kësaj fantazie, po pak rëndësi ka kjo. Trupat e Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, i kanë aktualish, dhe derisa të mbarojë rindërtimi te Pallati i Kulturës, mjediset ku punojnë dhe bëjnë provat, nganjëherë edhe në kushte të vështira, por ata s’kanë një skenë fikse, prandaj kalendari i tyre është lëvizës duke shfrytëzuar të gjitha skenat e mundshme në Shqipëri, herë në bashkëpunim e herë përkundrejt qirasë që paguhet nga Ministria e Kulturës.

Me shtimin e skenave në Tiranë, artistët e TKOBAP, që bëjnë një punë të jashtëzakonshme, do të kenë mundësinë të performojnë edhe në skenat e Teatrit Kombëtar në koordinim me administratën e Teatrit, siç edhe tashmë ka ndodhur. TKOBAP nuk është armiku i skenës, i dashur Robert! Ky është jo vetëm komunikim mes institucioneve të ngjashme të artit, por dhe solidaritet i domosdoshëm mes kolegësh, artistësh dhe mënyra se si Ministria e Kulturës menaxhon të gjitha mjediset e institucionet që mbahen me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Unë mendoj njësoj si ju, që Teatri, aty ku është sot, nuk do të prishet dhe do të vijojë të përdoret, deri ditën kur një projekt i ri Teatri Kombëtar do të fillojë të ndërtohet. Edhe unë dua një Teatër Kombëtar të së ardhmes, të plotë, Teatër Kombëtar ku është sot ngrehina e “doppolovaro-s”. Por kjo nuk bëhet në një ditë. Me sa thashë më sipër, kemi bërë jo pak Robert i dashur dhe ju siguroj se do të punoj çdo ditë, për sa kohë jam në këtë detyrë, që të vijojë puna për projektin e Teatrit Kombëtar, punë e përbashkët me kryetarin e Bashkisë, me të cilin po bashkojmë forcat për shumë punë të mira të kulturës në Tiranë.

Sa për të paharruarin Kujtim Spahivogli, besoj që lapidarin ia kemi ngritur në vendin e merituar, në krye të një Teatri tjetër Kombëtar ku e njeh dhe e lexon e gjithë Tirana dhe Shqipëria, siç është Teatri Eksperimental. Unë ju falënderoj përulësisht dhe me gjithë zemër për pasionin dhe burimin e frymëzimit që keni e jeni, për përkushtimin ndaj Teatrit dhe sërish uroj që ju të jeni pafundimisht aktori i preferuar në skenat e reja të Teatrit Kombëtar.

Ju përqafoj!

Juaja,

Mirela Kumbaro

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto