Templates by BIGtheme NET

Aktrimi i sistemeve, përmes batutash

Edhe pse takimi i sotëm mes kryeministrit Rama e ministres Nikolla me Senatin e Universitetit të Tiranës pritej të kishte debate të ashpra mbi mënyrën e funksionimit të universiteteve, ligjin e arsimit të lartë dhe problematika të tjera, ai është shoqëruar me batuta mes palëve.

Që në fillim të fjalës së tij, Rama tha se ky takim u kërkua nga disa pedagogë që sot nuk ishin fare të pranishëm në sallë dhe sipas tij kjo ishte e pajustifikueshme.

 Batuta 1

‘Ky takim është thirrur nga disa profesorë në media dhe që nuk janë sot këtu. Kjo është e pajustifikueshme. Askush nuk e merr dot peng reformën dot, as me shfaqje as me firma as me shqetësime sado legjitime të jenë, shqetësimet kanë mundësi të shprehehen, se problemi themelor që ka sot unversiteti është me vetveten, as me qeverinë as me legjislacionin, është një sfidë e re e tij e autonomisë së zgjeruar dhe debati që doja të bëja është arë duhet të bëjë qeveria më shumë për ta garantuar këtë autonomi të zgjeruar jo si të ndërhyjë dhe të ndajë engjëjt nga djajtë. Edhe me akreditimin dolët shumë keq. Jeni bishti i fundit i kavallit’.

Gjatë gjithë fjalës së tij, Rama zgjodhi aktrimin duke iu shmangur thelbit të problematikave të shumta me të cilat përballet universiteti dhe ku qeveria ka përgjegjësinë e saj.

Rama aktron sikur do ua zgjidhte problemet, duke u thënë mos flisni per ligjin (thelbin e problemit që ata kanë), madje dhe i përuli duke u treguar shkumësin, bravën etj.

Duke iu referuar deklaratave të njëri prej profesorëve që kishin thirrur takimin dhe që nuk ishte i pranishëm, Rama tha:

Batuta 2

‘Si mund të ngrihet një profesor e të thotë, s’kemi shkumësa, e ka fajin ligji. Ç’është kjo.  Ankoheni për bravat e dyerve. Këto gjëra i kam parë dhe dëgjuar te Federata e Mundjes. Zgjidhini vetë problemet.’

Në një replikë me dekanin e Fakultetit të Drejtësisë, i cili e ‘kundërshtoi’ kryeministrin duke i thënë: Qeveria s’mund të thotë ne nuk zgjidhim konfliktet tuaja të brendshme, më lejoni t’ju kundërshtoj’, Rama iu përgjigj duke i kujtuar gijotinën dhe prerjen e kokave.

Batuta 3

‘Unë e di që po erdhi puna në një pikë fundore, na e jep ne ligji të drejtën të ndërhyjmë. Po ajo është pikë fundore dhe është seancë ndëshkimi, nuk është më seancë pajtimi. Mos me çoni tek pika fundore, se ligji na e lejon të ndërhyjmë, por unë nuk dua. Po vajtëm tek ajo pikë, aty duhen prerë koka. Ti shkove direkt te gijotina’.

Ndërsa përfaqësuesit e sistemit universitar, aktronin sikur iu ish prekur dinjiteti.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, në fjalën e tij, u shpreh se askush mund të tallej me profesorët lidhur me vonesën me tre ditë të pagave.

Batuta 4

‘Askush nuk mund të tallet me ne. Na u vonuan pagat tre ditë dhe sikur vdiqëm për bukë. Janë disa personazhe mediatike që e kanë fryrë këtë çështje në media. Na shohin si ata që kanë mbetur pa lekë dhe pse na u vonuan pagat 3 ditë u bë hataja. Na vjen turp të dalim rrugës e dëgjojmë që thonë se na u vonuan rrogat tre ditë dhe ne u ankuam. Kush ju jep të drejtën të tallen me integritetin tonë. Bënë mirë që u shqetësuan për rrogat në fakt sepse buxheti i Ekonomikut nuk u realizua se ka ndodhur futur një situatë e turpshme kur pezullohej administratori dhe rrinte prapar derës se nuk i donte qejfi rektorit që ai të futej brenda. Hallet tona nuk na i zgjidhni dot ju.’ – iu drejtua Kule, kryeministrit.

Edhe diskutimet e pjesëmarrësve të tjerë të Senatit të UT-së, të pranishëm në takim ishin në të njëtën frymë dhe në thelb gjatë takimit nuk u trajtua asnjë çështje me rëndësi dhe as nuk u zgjidh gjë, por gjithçka u përmblodh në një shkëmbim batutash mes tyre dhe kryeministrit.

Rama u justifikua për vonesën ne paga dhe bëri show-n e tij të zakonshëm, kurse Koni, Kule e të tjerët që përfaqësonin sistemin universitar, vazhduan stilin e uljes së kokës.

Epilogu

Hidh e pritjet mes përfaqësuesit qeveritar dhe përfaqësuesve universitarë:

Rama: ‘Logjikën e keni mbimesatare. Biseda që nuk janë në lartesinë e titullit tuaj akademik. ‘Pse vetëm Universiteti i Tiranës i ka këto probleme?’

Pedagogët nga salla i thonë se duhet studim i thelluar dhe Rama u përgjigjet:

‘Bëjeni vetë studimin. Asnjë nen të ligjit nuk komentoj! Mos u fut aty.’

/Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto