Templates by BIGtheme NET

 Olsi Rama akuza të rënda për FSHF-në: Po falsifikon kampionatin

Në konferencën e zakonshme për shtyp të klubit të Partizanit, ditën e djeshme u shfaq Drejtori Sportiv i klubit, Olsi Rama dhe jo ndihmës-trajneri Klevis Dalipi.

Olsi Rama e sulmoi Dalipin, duke thënë me ironi se po del vetë në konferencën për mediat për shkak se ndihmës-trajneri i e ka kohën të limituar.

 “Duke marrë shkas nga një shkresë që ka ardhur nga Komisioni i Disiplinës, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit për një dënim ndaj 2 lojtarëve tanë kryesorë, kapitenit Batha dhe Trashit erdha sot këtu që t’i jap kohë Dalipit, që të shkojë të përgatitet se ka shumë punë për të bërë.

S’kam një kapele magjistari, që t’ia jap për të shpikur diçka në ndeshjen e radhës, duke marrë mirëkuptimin tuaj, do të kërkoj ta lëmë Dalipin t’i përvishet punës, bashkë me stafin teknik. Kjo nuk është një çështje sportive tekniko-taktike, por është diçka më shumë se sa vlerat që Partizani përpiqet të shprehi në fushën e lojës. Po mua më mirë, shko mendo bashkë me trajnerët e tjerë, për përgatitjen e ndeshjes me Kukësin”, tha Olsi Rama.

Vëllai i kryeministrit Edi Rama, duket mjaft i pakënaqur nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila drejtohet nga Armando Duka. Olsi Rama tha se po tentohet të falsifikohet kampionati.

Këtë deklaratë ai e bëri ndërsa fliste për pezullimin e kapitenit të Partizanit Idriz Batha dhe mesfushorit  Lorenc Trashi. Këta u dënuan nga Komisioni i Disiplinës me 2 ndeshje pezullim për shkak të ofendimit nga zyrtarëve në fundin e takimit.

“Unë akoma nuk kam kuptuar arsyet dhe shkaqet e këtij dënimi. Që jepet 2 ditë përpara ndeshjes. Mesa kemi arritur të komunikojmë, ka të bëjë me një episod pas ndeshjes, ndërkohë që ka pasur një sërë episodesh gjatë këtyre ndeshjeve që kanë treguar njëanshmëri në disfavor të Partizanit.

Unë mendoj që jetojmë në një vend demokratik, ku të gjithë kanë të drejtë të shprehin preferencat në raport me vendimmarrjen, për arsyen se Federata organizon Superligën dhe ka shumë vendimmarrje në mbarëvajtjen e kompeticionit. E them në mënyrë të hapur që Partizani ka mbajtur deri tani një qëndrim shumë korrekt pavarësisht pasojave që ka vuajtur. Ky është një kompeticion sportiv në të cilin harxhohet një shumë e konsiderueshme lekësh.

Është një dëm ekonomik që i bëhet klubit në të gjitha drejtimet. Një situatë e disfavorshme për futbollin shqiptar duke pasur parasysh raportin e 2 inspektorëve të UEFA-s në lidhje me Skënderbeun. Ne përballemi me një realitet që përsëri tenton të falsifikojë kampionatin. Jemi një klub që respektojmë të gjitha standarde. Jemi një klub që jemi interesuar më shumë se kurrë për disiplinën, qoftë brenda klubit apo edhe në fushë.”, tha Rama.

Kujtojmë se Olsi Rama, në zgjedhjet e FSHF-së mbështeste kandidaturën e socialistit Bashkim Fino, i cili i humbi zgjedhjet përballë Armando Dukës, që vazhdon të qëndrojë në karrigen e presidentit për të pestën herë radhazi.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto