Templates by BIGtheme NET

Menuja e re plot me dilema

Fillimisht dua të nis këtë replikë timen kundrejt menusë së re, me faktin se shkenca e nutricionit është gjithmonë ‘under construction’- ‘nën ndërtim e sipër’. Plus teknologjia ushqimore dhe FDA apo Food and Drug Administration, kane bërë kaq shumë ndryshime revolucionare në ushqim (s’ka rëndësi për mirë apo për keq), saqë ne nuk hamë më ushqime, por produkte që duken si ushqime. Nuk do të bëj analizë cilësore të menusë pasi dua të besoj që e ka ndërtuar vërtet një profesioniste! Dua të sjell mbase një këndvështrim timin si profesioniste (Ph.D.c. in nutrition) mbi mënyrën se si e shoh unë këtë rast, gjithmonë nisur nga burimet e autorëve që unë mësoj, lexoj dhe praktikoj mbi fushën përkatëse.

Dilema e parë është tërshëra. Personalisht kam shumë rezerva për përdorimin e saj. Nisur nga shprehja e Arthur Baer ‘Alimonia është si të blesh tërshërë për kalin e vdekur’ (Alimonia është një suport financiar i ish-bashkëshortit apo bashkëshortes pas divorcit), në parim e dimë të gjithë, që tërshëra është ushqim për kuajt. Dhe për të ndryshuar shëndetshëm mënyrën e të ushqyerit, për mendimin tim, duhet të dalim jashtë kutisë së tërshërës. Kjo dilemë nuk është alla shqiptare. Le të kapemi e të përpiqemi të bëjmë të zgjuarin sa të duam. Në Angli për shembull tërshëra ju jepet kuajve, kurse në Skoci e hanë njerëzit. Dhe këtë nuk e thashë unë, por një njeri më i zgjuar se unë, që quhej Samuel Johnson.

Çështja tjetër është se tërshëra (pa u ndalur në cilësinë e saj), mund t’i japë dikujt energjinë e një kali, por dikujt tjetër, atë të breshkës Chelonya mydias. Pse? Sepse ne kemi individualitet biokimik të ndryshëm, pra reagojmë ndryshe. Personalisht mua dhe familjes time, na bën kaps. Problemi tjetër me tërshërën që duhet theksuar, është mënyra se si kombinohet ajo. Tërshëra përmban phytate, të cilat bllokojnë përthithjen apo absorbimin e mikronutrientëve të rëndësishëm. A mund ta deaktivizojmë? Po, vetëm nëse e lëmë gjatë gjithë natës në ujë apo në lëng të fermentuar si kosi i shtëpisë apo edhe uthulla e mollës (kjo e fundit jo për fëmijët) para se të përgatiten. Por sa e zbatojnë këtë në çerdhe?

Problemi tjetër me tërshërën është cilësia. Pasi ekziston rreziku nga arseniku, njësoj si me orizin e bardhë (besoj e dini testin e orizit, që kokrrat e orizit që pluskojnë në ujë, duhen hequr pasi nuk janë për konsum). Vetë OBSH vendos tërshërën në vendin e tretë si një nga burimet e mundshme të përmbajtjes së arsenikut, i cili ka pasoja në shëndet (Lexo Këtu)

Çështja tjetër është përpunimi i saj. Tërshëra për fëmijë e marketeve ka një përqindje goxha të bukur të sheqerit të shtuar, më pak fibër dhe më shumë sodium (që ju shtohet për të rritur jetëgjatësinë e produktit në raft). Dhe sa më e gjatë lista e shtesave në produkt, aq më e shkurtër jeta jonë dhe e fëmijëve tanë. Përgjithësisht llojet e ndryshme të tërshërave për fëmijë, janë një katastrofë nutricionale të spërkatura me vitamina sintetike, një fantazi e ushqimit të shëndetshëm. (Lexo Këtu

Kemi edhe diçka tjetër për tërshërën, pasi nëse lexoni protokollet e Dr.Oz, ai e rekomandon për dobësim. A kanë nevojë fëmijët të dobësohen?

Ndërsa kur jemi tek trahanaja, besoj që është gjëja më e mirë për t’u shtuar në menunë e fëmijëve (dhe prapë këtu flas për trahana të gjysheve). Një nga parimet e mia si nutricioniste, është që mos t’ju japim fëmijëve asgjë që nuk e kanë njohur gjyshet tona. Do thoni juve ‘po avokadon që është super për nga përmbajtja e acideve yndyrore’? Keni të drejtë, por mos harroni që avokado nuk është ushqim me ‘kilometrin zero (0)’, që do të thotë se ne duhet të përshtasim të ushqyerit tonë, me ushqimet e territorit tonë, mundësisht. Jemi mesdhetarë (çaji kinez për shembull dobëson kinezin, por i sjell gurë në veshka shqiptarit). Qelizat tona, indet tona, organizmi ynë, është ndërtuar me ushqimet që nëna jonë ka ngrënë dhe për këtë arsye kur jetojmë jashtë vendit, merr kohë adaptimi apo përshtatja e organizmit tonë me ushqimet e reja, por kjo eksperiencë s’ka pse të ndodhë në një çerdhe shqiptare.

Sepse ne jemi çfarë hamë (nuk ka lidhje kjo me faqen e B. B pasi është shprehje e Anthelme Brillat-Savarin, në Physiologie du Gout, ou Meditations de Gastronomie Transcendante, 1826: “Dis-moi ce que tu manges, je te dirai ce que tu es”, jo e B.B sa për informacion)

Ajo që unë rekomandoj është që shteti të sigurohet që të merret trahana e sigurtë cilësore.

Si nënë e kuptoj plotësisht shqetësimin e nënave të tjera kur thonë se kthehen fëmijët në shpi të uritur apo disa edhe bëhen për spital (nëse jam e mirë informuar). Atëherë, sipas mendimit tim, shtimi i perimeve në menu është i mirëseardhur, por duhet bërë kujdes me kombinimet e ushqimeve dhe sasinë e marrjes.

Nuk e di si është dukur menuja e mëparëshme ushqimore, por nëse ka qenë ajo me të cilën jemi rritur ne (pasi çerdhet shtetërore kanë tendencën të ruajnë traditën e ushqimeve të gjysheve), unë jam pro saj. Shkenca e ushqimit lë gjithmonë hapësirë për debat. Besoj edhe këtu mund të gjeni kundërshtime sa të doni. Prandaj edhe ju lashë linqet më lartë qe te keni nje bazë shkencore mbi ato qe shkruhen. Edhe shkencëtarët e ushqimit përplasen me njëri tjetrin. Ka edhe nga ata që paguhen për të shfaqur vlerat e një antiushqimi (si për shembull në Prishtinë vitin e kaluar u mbajt një seminar ku kishte edhe studentë të mjekësisë për të promovuar vlerat ushqyese te Coca Cola 0).

Rekomandimet e mia në përgjithësi janë si më poshtë:

Jepuni fëmijëve kos shtëpie fillimisht pasi stabilizon florën bakteriale apo raportin midis baktereve të mira dhe të këqija.

Jepuni peshk (mendoj që mishi duhet shtuar kur të dalin dhëmbët pasi kjo është një shenjë ‘fiziologjike’ që tregon se fëmija është pjekur organikisht për të tretur proteinat e mishit, por kjo lë shumë vend për diskutim).

Nëse jo peshk, se paku vaj peshku pasi acidet yndyrore i duhen për të formuar një sistem nervor të shëndetshëm. Dhe mos i jepni fëmijës ushqime të përpunuara dhe pastaj të çuditeni se përse nuk i ha fëmija frutat apo perimet. Sidomos ato me përmbajtje sheqeri, krijojnë varësi.

Albert Ajnshtajn ka një shprehje shumë të bukur (në fakt ai të gjitha i ka të bukura) ku thotë: ‘Kur mendja e njeriut hapet drejt dimensioneve të reja, është shumë e vështirë për t’u kthyer pas!’. Unë do shtoja ‘dimensionet ushqimore’.

Mësoni fëmijët të duan botën e fruta perimeve (meqë ra fjala, një studim para disa ditësh tregoi se edhe ato ndjejnë dhimbje njësoj si kafshët dhe njerëzit kur i presim).

Edukoni frigoriferin në shtëpi duke shtuar ngjyrën jeshile, ngjyrën e klorofilit, ngjyrën e shëndetit! I paçi fëmijët jetëgjatë sa malet dhe të fortë si diamanti!

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Hashtag.al. Diola Dosti-Baftiu ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë në degën e Biologjisë, pastaj master shkencor për biologji në Fakultetin e Shkencave Matematiko- Natyrore në Universitetin ‘Hasan Prishtina’, në Prishtinë. Vijoi me studimet në Akademinë Italiane të Nutricionit (një bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë në Prishtinë) ku harton edhe plan programin për studentët vijues të  nutricionit. Tashmë është studente e doktoraturës (Pd.D.c/nutrition) në fushën e nutricionit, pranë Universitetit Shtetëror të Velesit. Mund ta ndiqni te MËSIMET E DIOLËS.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto

ăn dặm kiểu NhậtResponsive WordPress Themenhà cấp 4 nông thônthời trang trẻ emgiày cao gótshop giày nữdownload wordpress pluginsmẫu biệt thự đẹpepichouseáo sơ mi nữhouse beautiful