Templates by BIGtheme NET

Vendimi i Metës përtej konsumit politik

Nga Panajot Barka

Realiteti mediatik dhe në publik i përplasjës së fundit institucionale midis Presidentit të Republikës dhe dhe Qeverisë (MEPJ), mendoj se përbën rastin më tipik të fshehjes së thelbit të kësaj përplasjeje, me qëllim përdorimin e saj në shërbim të politikës së ditës dhe më shumë të mbajtjes gjallë të anti-helenizmit, qoftë për të penguar përpjekjet dypalëshe për zgjidhjen e ngërçeve dhe klimën e acaruar (çdo zhvillim pozitiv në këtë drejtim u heq atyre objektin e ‘betejave nacionaliste’), qoftë për të imponuar ‘vullnet popullor’ edhe në këto zhvillime të fundit shqiptaro-greke, (‘vullnet’ aq të dëshirueshëm nga pala shqiptare, për ta përdorur si instrument imponimi ndaj palës greke)

Duke qenë se isha i pari që shpreha në publik shqetësimin se pala shqiptare po negocion me Athinën në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, (që do të thotë se në këto kushte çdo lloj marrëveshjeje e re për detin me Greqinë është lehtësisht e rrëzueshme), duke patur një informacion më sferik që lejon dhe vëzhgimin prapa perdes, dua të theksoj që në fillim, se ndryshe nga sa konsumohen përditë në lidhje me këtë çështje, problemet nuk janë ato që duken.

Këtu qëndron mesa duket edhe gabimi i detyruar i Metës, për të bërë publike një fakt, që në kushte të tjera do të përbënte një procedurë rutine protokollare. Pra, Meta kërkoi dëshmitar ‘publikun’ dhe presionin e tij, jo aq për të mbrojtur kushtetutetshmërinë, se sa për të krijuar mundësinë, nga njera anë për të bërë korrigjime, dhe nga ana tjetër për të leëjuar vëzhgimin më thellë dhe në interes, së pari të Shqipërisë, pastaj të të dy vendeve.

Në këtë këndvështrim nuk do të ndaja mendimin se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, bëri me nxitim dhe shkel e shko një kërkesë Presidentit Meta për të marrë autorizimin e plotfuqishmërisë. Aspak! Kjo kërkesë përbën një vijimësi të negociimit të deritanishëm në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e qeverisë.

Pra dhe kërkesa nga ana e saj, me përmbajtjen e konstatuar, përbën një dukument në shkelje të kushtetutës dhe ligjshmërisë tjetër përkatëse shqiptare. Aq më tëpër në kushtet e egzistencës së një precedenti, që për nga motivet dhe vendin që zuri në egocentrizmin nacionalist shqiptar dhe situatat politike egzistuese, vështirë se mund të lejohet të ripërsëritet apo të kapërcehet.  

Më këtë logjikë, një autorizim plotfuqishmërie i cënueshëm ligjërisht, do të përdorej si një ‘AS’ në mëngë i qeverisë, qoftë për t’ju imponuar palës greke në arritjen e pikësynimeve të palës shqiptare, por më shumë të faktorëve të tretë, qoftë për të mos lejuar të kundërtën.

Kjo do të thotë se Greqia nga ana e vet do të vihej në të njëjta pozita si në vitin 2009. Do të arrinte, nëse po, një marrëveshje për detin, e cila do të kishte vlerë deri sa Tirana, të shmangte qëndrimin pengues të Athinës për hapjen e negociatave me BE, apo dhe realizimin e kërkesave të tjera të veta ndaj Greqisë, dhe pastaj do të rishfaqej Gjykata Kushtetuese me vendim të parathënë për shkak të precedentit të vitit 2010. 

Ndryshimi është se në këtë rast fajtor nuk do të ishte qeveria.(!!) Ajo edhe pse më shumë vonesë, ndryshe nga qeveria Berisha, i kërkoi Presidentit autorizimin për plotfuqishmërinë. Që do të thotë se fajtor do të dilte Presidenti i Republikës, i cili, me argumentin ‘për të kënaqur Greqinë e keqe dhe kundër Ramës’ e dha autorizimin pa e ballafaquar me kushtetutshmerinë!!

Sot Meta akuzohet për të kundërtën (!!), sikur po pengon qeverinë të arrijë një marrëveshje shumë të dobishme për Shqipërinë. (Në fakt bëhet fjalë në favor të lojërave të qeverisë, që në vetvete po përbëjnë një precedent të rrezikshëm për marrëdhëniet midis dy vendeve).

Vendimi i Metës për të kërkuar saktësime në tri nivele në kërkesën e qeverisë për autorizim plotfuqishmërie, u interpretua edhe në mediat greke me të njëjta konotacione si në Tiranë. Që Meta hodhi në erë marrëveshjen e detit, që ishte aq pranë. Edhe në Athinë nuk u kuptua se me qëndrimin e vet, Meta i bëri një shërbim të madh mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme për detin në favor të të dy palëve.

Problemi do të ishte i manaxhueshëm nëse, nga ana tjetër, nuk do të vihej re, me një mënyrë, ose në një tjetër, se marrëveshja e detit me Greqinë kërkon me një impenjim shumë më të padukshëm, por të nënvizuar dukshëm nga shumë analistë dhe politikanë në Shqipëri (çuditërisht, zbehtë në Greqi), të krijojë nga pala shqiptare precedentë lehtësisht të referueshëm nga Turqia, në raportet e veta kufitare detare me Greqinë. Kjo situatë mund të interpretohet, pse jo, se nëse marrëveshja për kufirin detar në Jon nuk do të krijojë realitete të kësaj natyre, arritja e saj të jetë e diskutueshme deri dhe e pamundur.

Por, a është vetëm ky problem?!

Ndryshe nga Greqia, ku qeveria i mban letrat të mbyllura, opozita respekton autoritetin e qeverisë duke pritur të shprehë gjykimin e vet në momentin e duhur dhe mediat greke konsumojnë më shumë lajme që prodhohen në Shqipëri; tek ne synimi i çdo marrëveshjeje me Greqinë (në këto bisedime) shpallet nga vet autoritetet shqiptare, në formë verbale dhe të veshur me një retorikë joshëse për frymën nacionaliste anti-helene (kjo bëhet më shumë me qëllim që nesër ta përdorë këtë qëndrim të opinionit si argument vijeje të kuqe në bisedime me palën greke).

Në këtë kuadër, një ndjekës i kujdesshëm i daljeve të fundit publike të ministrit Bushati, nuk mund të mos vërë re argumentin, se në lidhje me marrëveshjen e detit, bëhet fjalë për një marrëveshje të re, e cila, përveç të tjerave, do të arrihet duke respektuar vendimin korrespondues të Gjykatës Kushtetuese të prillit 2010. (!)

Çfarë do të thotë kjo me terma të tjera? Që përveç se, pas tërheqjes së Greqisë, do të kemi një marrëveshje të re, kjo marrëveshje do të duhet të respektojë pikat e përmbajtjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që faktikisht marrin vlerën juridike të ligjit.

Për palën greke kjo me siguri përbën një kafshatë që mbetet në çfarëdo lloj fyti. Së pari, pavarësisht se deri më sot pala greke negocioi me palën shqiptare jashtë kontrollit të opozitës, ajo do ta ketë shumë të vështirë të gjejë instrumenta argumentuese që motivuan ndërmarrjen e iniciativës për anashakalimin e marrëveshjes së 2009-ës, të nënshkruar në nivel qeveritar dhe vetëm pa marrë miratimin e parlamenteve reciproke, duke respektuar kështu vendimin e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare.

Aq më e vështirë bëhet situata, në rastin konkret për vet qeverinë greke, të negociojë duke respektuar vijat e kuqe të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, të cilat në thelb janë të papranueshme për interesat greke dhe legjislacionin ndërkombëtar.

Problemi bëhet akoma më i ndërlikuar dhe i mprehtë, kur përditë e më shumë po dalin në dukje detaje se të gjitha rezultatet e negociatave të palës shqiptare, kalojnë, sipas deklaratave zyrtare të qeverisë, nga filtra të treta, që duhet lexuar nga interesa të palëve të treta që shpesh, brenda dhe jashtë parlamentit shqiptar, në media e kudo janë identifikuar me interesat e Turqisë në raport me Greqinë.

Ka edhe një moment të fundit. Në Greqi së fundmi shumë analistë kanë filluar të bëjnë bilancin e përfitimeve greke nga marrëvëshjeve me palën shqiptare. Dhe përveç klimës së përmirësuar, nuk gjejnë ndonjë përfitim tjetër.

Përkundrazi! Flasin me argumenta se Greqia i jep Shqipërisë gjithçka, madje duke e akuzuar qeverinë greke dhe për problemin çam dhe nuk merr asgjë. Dhe me këtë nuk është se harrojnë fillimin e proceseve për varret e ushtarëve grekë, pasi, këto procese të cilave për momentin u dihet vetëm fillimi (!), përbëjnë një detyrim moral e human që rrjedh nga detyrimi ligjor ndërkombëtar dhe se bëhet fjalë për ushtarët e fundit të luftës së dytë botërore pa një varr!

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto