Templates by BIGtheme NET

Kemi një kryetar bashkie që sfilitet për shëndetin tonë

Nga Ergys Mërtiri

E sigurtë është që Lali Eri është aktor më i madh se ata që protestuan kundër projektit të tij të teatrit me kullë. Ai është aktori më brilant i humorit në skenën shqiptare.

Sipas fjalëve të tij, del se e gjithë kjo zhurmë mbi teatrin po bëhet ngaqë ai shqetësohet shumë për shëndetin e artistëve. Duke qenë se teatri në fjalë është ndërtuar me material kancerogjen si asbesti, ai ka vendosur të japë një leje ndërtimi për një kullë gjigande, në mënyrë që të mund t’iu ndërtojë artistëve një teatër të ri pa kancer.

Jo vetëm kaq, por ai është gati të shkelë edhe ligjin për hir të tyre. Teatri ekzistues mbrohet nga shteti si monument kulture, por për hir të shëndetit të artistëve, Erioni nuk pyet as për ligj. Ai e vendos vetë, në kokë të tij, se ku e ka mire ligji dhe ku e ka gabim!

Gjithsesi, Veliaj na qetësoi dje se projekti i teatrit nuk do ketë kullë. Projekti për kullën do të bëhet veç, pra në letra të tjera. Natyrisht, nuk mund të kemi një projekt për dy vepra!

Gjithashtu, ai tha se teatri nuk do ta ketë kullën lart, por anash, ndaj dhe ne nuk kemi pse shqetësohemi. Kulla anash, sipas tij duhet bërë patjetër, sepse përndryshe nuk kemi ku i gjejmë lekët për të ndërtuar godinën e re të teatrit. Pra do të kemi një teatër qyl, sipas skemës PPP, Partneritetit Publik-Privat!

Artistët tani mund të jenë të kënaqur. Kulla nuk do jetë në letra, ndërsa filantropi i madh në bashki, do t’i shpëtojë nga kanceri ku punojnë prej gjysëm shekulli. Sherrnaja e tyre me bashkinë u zgjidh me një happy end, dhe gjysma e tyre, e kapur me fonde e projekte, mund të vazhdojë tashmë të stolisë si dekor fushatat e saj.

Kemi një kryetar bashkie që sfilitet për shëndetin tonë, aq sa nuk po lë vazo e saksi pa gjelbëruar. Shëndeti ynë do të jetë i garantuar me PPP, shpikja më brilante që ka bërë ndonjëherë ky shtet.

Sipas kësaj skeme privati është i vetmi që mund të na bëjë të mundur të ndërtojmë socializmin me forcat tona. Nëpërmjet skemës “një pallat një pemë” do të mund të gjelbërojmë këtë qytet duke ruajtur balancën, “një metër kub beton, për gjethe”!

Urime!

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto