Ditën e sotme ka nisur Botërori i 17-të i Atletikës për salla të mbyllura, që po zhvillohet në Birmingham të Anglisë.
Rreth 600 atletë nga 150 vende të ndryshme do të garojnë në pistën e “Birmingham Arena” për 4 ditë me radhë, kur do të zhvillohen disa nga finalet kryesore.
Sa i përket vendit tonë, Shqipëria do të përfaqësohet me vetëm një sportiste, e ajo është Luiza Gega, e cila do të marrë pjesë në garën e 1.500 metrave.
Por edhe Gega duket se ndodhet në kompeticion me kushtet e veta pasi edhe uniformën me të cilën do të garojë e ka blerë vetë duke i vendosur edhe flamurin shqiptar në të.
Fakt ky që ka bërë zhurmë mediatike pasi u publikua nga komentatori i njohur, Dritan Shakohoxha, i cili në një Instastory shkruan: “Turp të na vijë të gjthëve, nuk e meritojmë këtë kampione”.
Kampioni tjetër i Ballkanit, Izmir Smajlaj, është tërhequr nga gara këtë Botëror për të ruajtur fizikun e tij, që sipas mjekut ka nevojë për pushim. Ai pretendon të jetë gati për Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në Terragona të Spanjës, në muajin qershor, e më pas për kampionatin Europian, që do të zhvillohet në muajin gusht.
Botërori i Birminghamit, ka përfitimet financiare shumë të larta, duke filluar nga 2 milionë dollarë që janë në dispozicion të fituesve të 6 kategorive të ndryshme, për të kaluar te 20 mijë dollarët për vendin e dytë, 10 mijë dollarë për vendin e tretë, 8.000 dollarë për vendin e katërt, 6.000 për të pestin dhe 4.000 dollarë për vendin e gjashtë. Për çdo atlet që do të arrijë të thyejë një rekord do të ketë një shtesë prej 50 mijë dollarësh bonus.
MUND TË KOMENTOSH
Komento i pari