Templates by BIGtheme NET

I dërguari i Trump viziton Ballkanin, injoron në mënyrë spektakolare Ramën

Ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai do të vizitojë, Prishtinën, Shkupin, Beogradin, Athinën dhe Nikosinë në datat 12-17 mars.

Ajo që të bie në sy në këtë vizitë të zyrtarit më të lartë të SHBA-së për Evropën juglindore është se Tirana mungon në axhendën e tij. Ai nuk do ndalojë në kryeqytetin shqiptar duke e anashkaluar takimin me krerët e shtetit shqiptar si rrallë herë në historinë e vizitave të zyrtarëve të lartë amerikanë.

Arsyet e shmangies së Mitchell nga vizita në Tiranë mund të jenë kokaina e kapur në Portin e Durrësit në fund të shkurtit, qëndrimi i deklaruar kundër presidentit Trump nga ana e kryeministrit Rama si dhe përkrahja e heshtur e këtij të fundit për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

Më 12 mars në Prishtinë, ai do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës, duke përfshirë Presidentin Thaçi, Kryeministrin Haradinaj dhe përfaqësues të tjerë politikë e të shoqërisë civile për të riafirmuar lidhjet e ngushta mes Kosovës dhe SBA-së.

Ai do të inkurajojë qeverinë e Kosovës për të përparuar marrëdhëniet e normalizuara me Serbinë, për të forcuar sundimin e ligjit, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të kapërcyer sfidat rajonale në favor të stabilitetit dhe integrimit perëndimor.

Në Shkup më 13 mars, ai do të takohet me Kryeministrin Zaev dhe Ministrin e Jashtëm Dimitrov. Gjatë takimit me ta ai do të riafirmojë mbështetjen e SHBA-së për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë, do të ofrojë mbështetje për negociatat e vazhdueshme me Greqinë dhe do të kërkojë nga qeveria maqedonase të zbatojë reformat për të përmirësuar qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit dhe një media të lirë.

Më 14 mars në Beograd, ai do të takohet me zyrtarë të lartë serbë, duke përfshirë presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Brnabiç dhe udhëheqësit e opozitës. Ai do të riafirmojë marrëdhënien e fortë midis Serbisë dhe SHBA-së dhe do të nxisë qeverinë serbe të shtyjë përpara për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, për të bërë reformat e nevojshme për të arritur qëllimin e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe për të mbështetur në mënyrë aktive stabilitetin rajonal.

Në Athinë më 15 mars, Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë grekë për të diskutuar thellimin e lidhjeve strategjike të SHBA-së dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë fushat e mbrojtjes, energjisë, tregtisë dhe investimeve.

Së fundi, në Nikosia më 16 mars, ai do të takohet me zyrtarë të lartë të Republikës së Qipros për të diskutuar çështjet dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë zhvillimin e burimeve energjetike në Mesdheun Lindor. Ai do të takohet gjithashtu me krerët grekë qipriotë dhe turq qipriotë, si dhe me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara. /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto