Templates by BIGtheme NET

Kotzias vizitë dy ditore në Shkup, fokusi kryesor zgjidhja e konfliktit për emrin

Shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias do të vijë në Shkup më 22 dhe 23 mars, shkruan e përditshmja greke Tanea. Ndonëse zyrtarisht e pakonfirmuar nga Shkupi e Athina zyrtare, kjo sipas Taneas është vizitë e rëndësishme, pasi do të diskutohen propozimet e dy palëve për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Në fokus të propozimeve pritet të jenë ndryshimet eventuale kushtetuese dhe mënyra e implementimit të marrëveshjes, në mënyrë që t’i mundësohet Shkupit të marrë ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e korrikut dhe të marrë datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

Nikos Kotzias më 23 mars do të takohet me kolegun e tij, Nikolla Dimitrov, ndërsa mbrëmjen paraprake do të kenë darkë të përbashkët. Nuk përjashtohet mundësia që ministri i Jashtëm të ketë takime edhe me politikanë të tjerë të vendit fqinj, por programi akoma po formulohet. Rezultati i bisedimeve në Shkup do të jetë i rëndësishëm në prag të takimit të ardhshëm të planifikuar të Kotziasit dhe Dimitrovit me përfaqësuesin special të OKB-së, Metju Nimic, shkruan “Ta Nea”.

Presidenti grek Prokopis Pavlopolus, në deklaratave të tij për çështjen emrit vazhdimisht ka theksuar  se Shkupi fillimisht duhet që të miratojë ndryshimet kushtetuese dhe më pas të nënshkruhet marrëveshja mes dy vendeve.

Para se të hyjë marrëveshja në fuqi dhe para se të kompletohet përmbajtja, është e nevojshme të bëhet rishikim i Kushtetutës së vendit tonë fqinj, i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, sepse ne evropianët që e kemi këtë mentalitet demokratik nuk mund të mendojnë se një vend nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare, obligohet ndërkombëtarisht, duke e shkelur kushtetutën e saj dhe duke thënë që ndryshimi nuk është shumë i rëndësishëm – deklaroi presidenti grek, Prokopis Pavlopolus.

Ndërkohë Iefimerida shkruan se zgjidhja e çështjes së emrit pritet të ndodhë pas Pashkëve kur Qeveria do t’i përkushtohet seriozisht procesit. E përditshmja greke, hedh dyshime për ndryshime të mundshme në koalicionin qeveritar grek për shkak të kontradiktave për emrin mes partive në pushtet.

Pasi partia Grekët e Pavarur në krye me Panos Kamenos mban qëdnrim të hapur se nuk do ta votonte një zgjidhje që do të përmbante termin “Maqedoni”, sipas Iefimeridas ka shumë gjasa që partia Potami në krye me Stavros Theorodakis të jetë partneri i ardhshëm i koalicionit të Ciprasit. Kjo për shkak se Theorodakis disa herë ka konfirmuar se mbështet Qeverinë në zgjidhjen e konfliktit shumëvjeçar rreth emrit.

Burimi: Alsat-M

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto