Templates by BIGtheme NET

Trump shkarkon Tillerson, kronika e një vendimi të paralajmëruar

Presidenti amerikan Trump ka shkarkuar Sekretarin e Shtetit, Tillerson. Ky shkarkim vjen pas një përplasjeje të gjatë mes kreut të Shtëpisë së Bardhë dhe tashmë ish-Sekretarit, Tillerson.

Vendimi është publikuar fillimisht nga ‘Washington Post’ dhe më pas është konfirmuar edhe nga Trump në ‘Twiter’.

Vendin e Tillerson e ka marrë drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, kurse CIA do drejtohet nga zëvendësja e Pompeos, Gina Haspel.

Haspel ka mbajtur deri tani postin e zëvendësdrejtores së CIA-s. Ajo është gruaja e parë që udhëheq shërbimin e inteligjencës amerikane.

Që kur Tillerson mori postin në shkurt të vitit 2017, ka pasur jo pak përplasje mes tij dhe Trump lidhur me çështjet e mëdha ndërkombëtare, përfshirë atë koreano-veriore. Mediat amerikane kanë muaj që e trajtojnë përplasjen mes Trump e Tillerson dhe e kanë paralajmëruar shkarkimin e Sekterarit të Shtetit.

Kjo është një tronditje e madhe në kabinetin e Trump. Tillerson u detyrua të shkurtonte udhëtimin e tij në Afrikë, për t’u kthyer në Uashington një ditë para njoftimit, ndërkohë që po bëheshin përgatitjet për një takim mes Presidentit Trump dhe liderit koreano-verior, Kim Jong-un.

Tillerson kohët e fundit kishte marrë një qëndrim të dyzuar ndaj Koresë së Veriut. Në mes të shkurtit, ai tha se e kishte njërin vesh nga Pheniani, duke shtuar se puna e tij ishte të siguronte koreanoveriorët, se Uashingtoni i mbante hapur kanalet e negociatave. Në të njëjtën kohë, ai tha gjithashtu se SHBA ende preferonte politikën e përdorimit të forcës në marrëdhëniet me Korenë e Veriut.

Pompeo duket se ka një qasje më të ashpër. Të dielën, ai tha se Trump nuk do të bënte ‘lëshime’ ndaj udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Duke folur për ‘Fox News’, ai tha gjithashtu se Pheniani duhet të ndalë testet e saj të raketave dhe të ‘lejonte’ SHBA-në të kryente stërvitje ushtarake në rajon. Koreja e Veriut gjithashtu duhet të vinte në tabolinën e bisedimeve edhe çështjen e denuklearizimit, shtoi ai.

Tillerson ishte gjithashtu jashtë linjës së Shtëpisë së Bardhë në lidhje me rastin e Sergei Skripal, ish-agjentit të dyfishtë i cili u helmua në Britaninë e Madhe.

Tillerson tha se nuk e dinte nëse qeveria ruse kishte ndonjë njohuri për sulmin, por u pajtua me hetuesit britanikë se Moska ishte ‘ndoshta përgjegjëse’.

Në të kundërt, sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, refuzoi të atribuonte përgjegjësinë për incidentin, duke sugjeruar se para nxjerrjes së përfundimeve kishte nevojë për më shumë prova.

Marrëdhëniet mes Trump dhe Tillerson kanë kohë që janë tendosur. Në tetor 2017, ‘NBC’ tha se Tillerson e quajti presidentin një ‘hajvan’ dhe e kishte kërcënuar me dorëheqje. Por më vonë, Sekretari i Shtetit, i mohoi raportet se kishte pasur si qëllim të dorëhiqej. Ai gjithashtu ka hedhur poshtë zërat se e kishte thirru Trumpin, ‘hajvan’.

Para pak kohësh, ish-Sekretari Tillerson, me anë të një vendimi i ndaloi hyrjen në SHBA, ish-Kryeprokurorit Llalla dhe familjarëve të tij.

Vendimi theksonte se Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni. /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto