Templates by BIGtheme NET

Zbulimet arkeologjike tek “Veliera”, kafe dhe parkim makinash (FOTOT)

Një kalvar i gjatë protestash e ka ndjekur çështjen e projektit ‘Veliera’ në qytetin bregdetar të Durrësit, që prej muajit shkurt kur u zbuluan disa pasuri arkeologjike, muret e lashtë poshtë torrës Veneciane si edhe një top mesjetar.

Së fundmi, blogu Amfora.al shkruan se rrethimi metalik pranë bastionit osman ishte zhvendosur, duke u parkuar makinat mbi strukturat arkeologjike të zbuluara.

Gazetarët e Amfora.al pyetën mbi rastin inxhinierin e firmës private që po zbaton projektin, “Everest sh.p.k”, i cili u shpreh se nuk kishte dijeni për rastin dhe dha një përgjigje të paqartë nëse do të merreshin masa për zhvendosjen e rrethimit, për të mbrojtur strukturat e zbuluara.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës (DRKK), rrethimi mbrojtës i zbulimeve arkeologjike ishte përgjegjësi e firmës private. Po ashtu ky institucion bën me dije se kjo situatë është përsëritur edhe herë të tjera, si pasojë e zhvendosjes së rrethimit nga bizneset apo banorët për të parkuar makinat aty. Sipas DRKK-së, ajo është detyruar t’i kërkojë firmës që po zbaton projektin të marrë masa.

Në zonën ku janë bërë zbulimet arkeologjike, janë vendosur disa tavolina dhe karrige, në funksion të një biznesi që operon aty pranë. Qytetarët e Durrësit, protestuan pas ngjarjes dhe Gjykata Administrative Durrës vendosi pezullimin e punimeve në Zonën Arkeologjike A dhe si pasojë po vijon procesi gjyqësor midis shoqërisë civile dhe bashkisë Durrës.

Bashkia e Durrësit investoi për projektin ‘Veliera’, një shumë prej mbi 6 milion dollarësh, për të ndërtuar një strukturë betoni mbi zbulimet arkeologjike.

Gjykata Administrative e Durrësit ka pranuar pjesërisht padinë e shoqërisë civile për punimet e projektit ‘Veliera’.

Në vendimin eshkurtit, gjykata vendosi ndalimin e punimeve në zonën arkelogjike të këtij qyteti vetëm në zonën A, ndërkohë që lejoi nisjen e punimeve në zonat e tjera, ku ka pasur kundërshti të forta nga ana e Shoqërisë Civile.

Marrë nga Amfora.al

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto