Templates by BIGtheme NET

JO, mos i bojkotoni produktet ‘Kastrati’

Nga Hashtag.al

Në parantezë, vlen të thuhet se Hashtag.al nuk ka përfituar ndonjëherë asnjë qindarkë drejtëpërdrejtë ose tërthorazi nga grupi  i biznesit ‘Kastrati’ apo entitete të lidhura me të.

Vazhdojmë.

Në 48 orët e fundit si pasojë e ngjarjeve të zhvilluara në pikën tarifore të rrugës Rrëshen-Kalimash, protestat kanë vijuar me arrestime, deklarata dhe qëndrime, ku vëmendja është zhvendosur sidomos tek biznesmeni përfitues i koncensionit ‘Rrëshen-Kalimash’, Shefqet Kastrati dhe kompanitë e tij.

Sidomos në rrjetet sociale po bëhet thirrje për bojkot ndaj produkteve të grupit Kastrati. Këtu merr shkas dhe ky shënim.

A duhet ta bojkotojmë Kastratin?

Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje, le të përdorim si busull orientuese ligjin, pasi është e vetmja referencë mbi të gjitha palët.

A e ka shkelur ligjin Shefqet Kastrati dhe grupi i tij i biznesit?

Përgjigja është JO. Nuk ka shkelur asnjë ligj, është duke zbatuar një kontratë  ligjore koncensioni me qeverinë shqiptare.

Që nga ky moment, Shefqet Kastrati, apo cilido biznesmen qoftë, ka zero përgjegjësi. ZERO.

Atëherë nëse ka një problem, i bie që ta kemi me ligjin e koncensioneve dhe qeverinë.  Aty është shkaku, gjëndra që lëshon ‘metastazat’,  Kastrati është thjesht njëri prej zgjatimeve.

Rasti i këtij koncensioni shkaktoi revoltë pasi është natyra e koncensionit që fut dorën direkt te xhepi i qytetarit, por për shkak të politikave koncensionare të ndjekura në 12 vitet e fundit, të tjera koncensione na kanë dëmtuar edhe më shumë, por në mënyrë më indirekte, më të kamufluar.

Përtej debatit teknik dhe studimeve profesionale nëse duhet  bërë ose jo me pagesë kjo rrugë, për lehtësi arsyetimi le të supozojmë për një moment se rruga duhet bërë me pagesë.

 Pyetja që vjen më pas është, pse nuk e ofron qeveria këtë shërbim?

Ka vetëm dy raste logjike kur një qeveri kërkon bashkëpunim me kompanitë private:

  1. Kur shërbimi është patentë ekskluzive e kompanisë. (Si përshembull prodhimi i një lloji të caktuar mikroçipi etj)
  2. Kur kompania ofron zhvillimin e një zone/sektori/shërbimi me risk të lartë në plan-biznes.

Në asnjë rast tjetër nuk ka asnjë kuptim që qeveria të heqë dorë nga zhvillimi i një sektori fitimprurës.

Rasti i tarifës koncensionare për Rrëshen-Kalimash klasifikohet te koncensionet më arbitrare, thuajse kriminale. Duket si një grabitje e dhunshme nëpërmjet forcës së ligji.

Le ta shpjegojmë.

Dikush ka vënë traun në rrugë dhe u mbledh paratë udhëtarëve. Me paratë dhe fitimet e mbledhura nga sporteli, privati merr përsipër dhe të mirëmbajë rrugën.

Të dyja shërbimet dhe ai i sportelit dhe ai i mirëmbajtjes së rrugës, janë shërbime krejt të rëndomta dhe plotësisht të realizueshme dhe nga qeveria më e lodhur e planetit.

Imagjinoni sikur dhe Shefqet Kastrati, asaj financieres që mbledh lekët nga filialet e firmës së tij, t’i linte një përqindje nga xhiroja.

A i jep përqindje nga xhiroja zoti Kastrati financieres së tij? Jo. I jep thjesht një rrogë.

Po atëherë pse Edi Rama nëpërmjet forcës së ligjit të koncensioneve, i jep përqindje dhe pjesë Kastratit vetëm pse ky ka vendosur një sportel dhe po mbledh ca lekë?

Pse duhet ta mirëmbajë Kastrati rrugën, ndërsa prej dekadash në Shqipëri ka një sektor shtetëror që përgjigjet për mirëmbajtjen?

Çfarë njohurish, mundësish, ka Kastrati që nuk mund t’i kenë këto ente shtetërore?

Skema që imponon ligji i koncensioneve është thuajse kriminale, është grabitje banale, me dhunë, primitive.

Edi Rama mund ta ketë perfeksionuar këtë skemë, por kjo histori  nuk nis me Edi Ramën, por nis që prej vitit 2006 me ligjin për koncensionet.

Njësoj arbitrar është fjalavjen dhe ai koncensioni  i kolaudimit të automjeteve që i është dhënë monopol në vitin 2009 një kompanie private.

Imagjinoni pak, ligji detyron çdo përdorues mjeti që të kolaudojë automjetin. Pra pagesa është e detyrueshme me ligj, është taksë. Një përdorues automjeti shkon që në sabah të zërë radhën për të kolauduar dhe paguar, sepse nëse nuk e bën ndëshkohet.

Pra është një shërbim me fitim të garantuar. Pse dreqin duhet që këtë fitim të garantuar ta mbledhë një privat?

Si mund të jepet me koncension mbledhja e fitimit të garantuar? Si mundet që ligji të na imponohet kaq dhunshëm duke grabitur më fortë dhe më dhunshëm nga ç’mund të bënte një bandë grabitësish  me maskë?

Le të marrim shembullin dhe nga bota e kumarit po të doni. Imagjinoni sikur në një kazino, dikush që ka fituar, t’i lërë kasieres një përqindje fitimi vetëm pse ajo po ja mbledh fishat?(!).

As në kazino, as në botën e kumarit nuk ka shance të ndodhë ajo çfarë ndodh në Shqipëri me pronën dhe shërbimet publike.

Ligji i koncensioneve është gjendra e gjithë problemit dhe këtë ligj e kanë shfrytëzuar të treja partitë kryesore PS-PD-LSI dhe askush prej këtyre tre faktorëve deri më sot nuk ka një avantazh apo kartë morale sa i përket këtij problemi.

Ndaj dhe mos u merrni me Kastratin,  apo cilindo të ngjashëm të tij.

Problemi është kryeministri, mazhoranca, e djeshmja dhe e sotmja.

Bllokoni Edi Ramën, por jo pse po kombinon me Kastratin por sepse po gjunjëzon me ligj shqiptarët dhe pasuritë publike.

Mos e refuzoni apriori protagonizmin e Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit, por kushtëzojini ata, kërkoni garanci prej tyre se do imponojnë aksion opozitar për shfuqizimin e kësaj skeme kriminale koncensionesh. Kërkojuni të japin provën se e kanë seriozisht këtë punë.

Mos i mbani shpresat as te ambasadori amerikan, sepse ai flet për peshqit e mëdhenj, por dikur i shkoi në zyrë kryeprokurorit të vendit dhe i kërkoi të ndërpriste hetimet për koncensionarin Bankers Petroleum. Ky koncensionar i ka fitimet vjetore sa dyfishi i të ardhurave që mbledh qeveria nga taksa e qarkullimit.

E as mos mendoni  se duke bojkotuar Kastratin keni zgjidhur ndonjë gjë.

Ligjin e koncensioneve e keni aty, si çengel mbi kokën dhe xhepat tuaj, si me Kastratin, si pa Kastratin.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto

ăn dặm kiểu NhậtResponsive WordPress Themenhà cấp 4 nông thônthời trang trẻ emgiày cao gótshop giày nữdownload wordpress pluginsmẫu biệt thự đẹpepichouseáo sơ mi nữhouse beautiful