Templates by BIGtheme NET

Serbia liston sërish Thaçin dhe Haradinaj si të kërkuar në INTERPOL

Qeveria e Kosovës nuk ka ende një qëndrim zyrtar rreth paralajmërimeve nga Beogradi për kthimin emrave të shumë qytetarëve të Kosovës në listën e personave të kërkuar nga INTERPOL-i (Policia Ndërkombëtare).

Pamundësia e Kosovës që të bëhet anëtare e INTERPOL-it, po shihet si pengesë për spastrimin e listës së personave të kërkuar mbi bazën e urdhër-arresteve të Serbisë.

Në mesin e atyre që u janë kthyer emrat në këto lista, janë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.

Sipas tij, akuzat e organeve të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës janë rikthyer tashmë në sistemin e INTERPOL-it.

Në këto lista, ka nënvizuar Stefanoviq, ndonëse u figurojnë emrat, akuzat ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk do të zbatohen në këtë fazë, për shkak të funksioneve që kanë aktualisht.

Ministri serb ka thënë se kthimi i akuzave në dosjet e INTERPOL-it, pasoi presionin e Serbisë ndaj këtij institucioni, duke kërkuar që të respektohet e Drejta Ndërkombëtare.

Në fillim të vitit të kaluar, kryeministri i tanishëm i Kosovës Ramush Haradinaj, ishte arrestuar nga policia franceze, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Haradinaj ishte arrestuar edhe në Slloveni në vitin 2015, arrestim ky i bazuar, po ashtu, në fletarrestin e Interpolit, lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2006.

E, në fund të vitit të kaluar, emri i kryeministrit Ramush Haradinaj dhe emrat e 17 personave, ishin larguar nga lista e INTERPOL-it për arrestim.

Pritet që gjatë këtij viti Kosova të jetë anëtare e organizatës më të madhe të policisë në botë, INTERPOL.

Burimi: Gazeta Express

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto