Templates by BIGtheme NET

Projekti Veliera/ Rinisin punimet në zonën A, kundra vendimit të gjykatës

Një kalvar i gjatë protestash e ka ndjekur çështjen e projektit ‘Veliera’ në qytetin bregdetar të Durrësit, që prej muajit shkurt kur u zbuluan disa pasuri arkeologjike, muret e lashtë poshtë Torrës Veneciane si edhe një top mesjetar.

Edhe pse që prej muajit shkurt të vitit të kaluar, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës, vendosi që të ndërpresë punimet në zonën ku u zbuluan strukturat arkeologjike, blogu Amfora.al shkruan se prej dy javësh, firma private që po zbaton projektin, ka nisur punimet në Zonën Arkeologjike A, që i ndalon ndërhyrjet në nëntokë.

Sipas Amfora.al, një shtresë prej betoni është vendosur përbri rrugës dhe zbulimeve arkeologjike. Ndërsa ndërhyrja më e madhe po bëhet përbri Torrës Veneciane, ku po gërmohet me kazëm, po vendosen bazamente prej hekuri dhe pritet mbushja e tyre me beton, që duket se do të shërbejë si trotuar.

Mbi këto punime Amfora.al pyeti në bashkinë Durrës, ku na u bë me dije se pritet zbardhja e vendimit të gjykatës, i cili do të apelohet nëse nuk lejon vijimin e punimeve, por megjithëse kanë kaluar 50 ditë, vendimi ende nuk është zbardhur.

Po ashtu burimet nga bashkia Durrës shtuan se, punimet që po kryhen nga firma që po zbaton projektin nuk e prekin zonën e përcaktuar nga gjykata.

Kujtojmë se në muajin korrik 2017, punëtorët e firmës nisën thyerjen me kazëm të murit rrethues të qytetit, ngjitur me Torrën Veneciane, që është Monument Kulture i Kategorisë I.

Punimet që po kryhen këto ditë rrezikojnë ta dëmtojnë përsëri, teksa ngjitur me armaturën që po ndërtohet si brez mbrojtës për dherat e sipërfaqes mbi nivelin e rrugës, rrezikojnë të dëmtojnë dy profile blloqesh gurësh të punuar, që janë zbuluar dhe nuk janë zhvendosur nga institucionet e arkeologjisë.

Bashkia e Durrësit investoi për projektin ‘Veliera’, një shumë prej mbi 6 milion dollarësh, për të ndërtuar një strukturë betoni mbi zbulimet arkeologjike.

Gjykata Administrative e Durrësit ka pranuar pjesërisht padinë e shoqërisë civile për punimet e projektit ‘Veliera’.

Në vendimin e shkurtit, gjykata vendosi ndalimin e punimeve në zonën arkelogjike të këtij qyteti vetëm në zonën A, ndërkohë që lejoi nisjen e punimeve në zonat e tjera, ku ka pasur kundërshti të forta nga ana e Shoqërisë Civile.

Marrë nga Amfora.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto