Templates by BIGtheme NET

BULETINI JAVOR – Zonja Ema Radi mahnitet nga zoti Edi Rama

Përshëndetje zoti Endri Fuga!

Unë jam Ema Radi, por po të duash mund të më thërrasësh dhe Era Madi, ose Ida Rema, pasi për mua është e rëndësishme që të mbetem një anagramë e emrit të idhullit tim, Edi Rama. 

Mua më prezantoi një shoku i Vangjushit në Durrës me idhullin tim Edi Rama. Kur unë i tregova ditarin tim personal, Edi u mallëngjye, po i mbahej fryma, grisi një fletë nga ditari e bëri tub dhe u lëshua mbi tavolinë me stil horizontal pa ndërprerje. Në fillim u habita pak, se mendova mos i grisej hunda nga rrëshqitja, por ai me qetësoi dhe më tha se sa herë lexon gjëra kaq  të veçanta i duhet të marrë një dozë glukoze.

Edi më kërkoi që çdo javë të bëj një përmbledhje në formë ditari të aktiviteteve kryesore në vend dhe të ta nis ty.

Të kam sjellë peshqeshin e parë sot,  përmbledhjen e kësaj jave:

 

Elektriçisti shpëton kinematografinë shqiptare

Në videon e postuar në profilin zyrtar të Edi Ramës në lidhje me gjetjen e punës për një person me profesion elektriçist, çdo gje duket kaq e përsosur. Mbushesh me pozitivitet kur kryeministri thotë se do i jepet zgjidhje me anë të sistemit të zyrave të punësimit; aty mendon se ja kaq e pati dhe papunësia në Shqipëri.
Pasi elektricisti fakir paraqitet në zyrën përkatëse, punonjësja e bën me dije se ekziston 1 vend i lirë pune  prane ‘Joti shpk’, duke mos i dhënë alternativa zgjedhjeje, me siguri prej mungesës së mundësive në kompani të tjera. Po shyqyr shyqyr shyqyr, o Baba Tomorr se larg qoftë, po të mos kishte asnjë vend të lirë pune, Edi Rama do dilte gënjeshtar para popullit, gjë që s’është aspak e vërtetë.

Elektricisti shpreh pëlqimin ndaj pagës 370 mije lek të vjetra (baraz me një kile hashash në fshat, bereqavez). Pra tani ai mund t’u paguajë fëmijëve masterin shkollor që kushton gati 2 milionë lek të vjetra, korentin, ujin, s’bëhet llaf fare, plazhin në Rodhos ose Radostinë dhe me ça mbetet mund t’i fusë kursime në bankë ose t’i investojë te Gulf Petrol si aksioner e t’i thotë ku të kam parë fukarallëkut.

Këtë lloj matematike pritet që ta aplikojnë në të ardhmen dhe ndërrmarjet ndërkombëtare, po për momentin formula mbahet sekret te xhepi xhinseve të asaj rilindëses lozonjare te zyra e punës.

Punësimi i fakirit elektricist krijon perspektiva të reja dhe nga pikëpamja kinematografike duhet thënë. Është një risi.
Komplimente për realizimin e këtij filmi me metrazh të shkurter, regjia, skenari dhe kolona zanore ishin të duhurat. Qr sa bukur.

 

Rama i shtoi lumturinë zonave kodrinore

Brenda pak ditësh shënohen arritje te reja të kryeministrit Edi Rama, midis tyre ishte renditja në vendin e 10 midis liderëve botërorë.

Kjo është një datë historike për vendin tonë, i cili gjendet krahë për krahë me SHëBëAnë, Indinë, Indonezinë e Argjentinën dhe kjo falë Edit tonë, keqen keqen keqen tyja re Edi.

Lajmi se Edi Rama është një ndër 10 politikanët më aktivë në Facebook, është një sihariq për mbarë vendin tonë, por sidomos për zonat kodrinore bregdetare ku moti këtë javë do të jetë me vranësira dhe erëraa të forta.  

Më falni një sekondë. Se shtypa padashje Acuweather. 

 

Zbulohet hileja ajrore e Maqedonisë

Një tjetër arritje e qeverisë ishte shtimi i disa linjave ajrore vetëm për periudhën e sezonit turistik.

Është një çështje që kërkonte zgjidhje prej vitesh, që na mundonte shumë dhe për nga rëndësia vjen e para, nqs e nis numërimin nga fundi.

Kjo përpjekje e qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama kryhet në kushte shumë të vështira atmosferike si pasojë e rreshjeve që pritet të karakterizojnë gjithë javën në vijim.

Edi Rama e di shumë mirë se sa hileqarë e mburravece janë shtetet fqinje kur vjen puna për t’i rënë nga ajri.  Shtete fqinje si Maqedonia s’do bëjnë ndonjëherë hajër dhe pse kanë çmime 2 herë më të lira për fluturimet drejt Gjermanisë.

Do kenë gjetur ndonjë rrugë që i bien shkurt, se s’ka mundësi. Por shtetet fqinje duhet ta dinë mirë se një ditë ka për t’u dalë hileja në shesh, ose në pistë, kur të ulin avionin.

 

Tollonat e GULF janë kura kundër plevitit

Mua më frymëzon optimizmi që karakterizon kryeministrin Edi Rama. Think pozitiv o bejbi 🙂

Portalet e kazanit ça nuk thanë për falimentimin e asaj kompanisë Gulf, por Edi nuk e dha veten në asnjë moment dhe ja ku e pa Zoti.

Temperaturat do ulen ndjeshëm kësaj jave plus rreshjet e dëndura dhe ja ku lind nevoja për ta ndezur sërish zjarrin e oxhakut.

Tashmë asnjë nga qytetarët që u kishte mbetur tolloni Gulfit te xhepi i pasëm i xhinseve nuk ka pse shqetësohet.

Një rrugë e dy punë, tollonat janë material shumë i mirë, sidomos për të ndezur zjarrin në oxhak, qytetarët s’kanë pse të mbërdhijnë e të plevitosen, s’kanë pse i mbajnë kot në xhep ato tollona. Zgjidhja u gjet, brenda javës madje. Vetëm falë optimizmit dhe largpamësisë së Edi Ramës.

 

*E-mail i mbërritur në sepete, nga adresa: ana_grama@kryeministria.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto