Templates by BIGtheme NET

Rama shpëton Xhafajn – Si “e lau gojën” para shqiptarëve kryeministri

Gjatë fjalës së gjatë përpara deputetëve socialistë, kryeministri Edi Rama, se ministri i Brendshëm i qeverisë së tij, Xhafaj, nuk mund dhe nuk duhet të mbante përgjegjësi as ligjërisht dhe as moralisht për veprimtarinë e të vëllait.

“Ministri i Brendshëm nuk duhet të përgjigjet, ligjërisht jo e jo por edhe moralisht.” – tha Rama.

Ai arriti ta shpëtojë ministrin Xhafaj duke u mbrojtur pas 4 lëvizjeve.

E para janë akuzat e përsëritura të Ramës ndaj opozitës, që sipas tij po vinte në jetë një skenar për destabilizimin e vendit dhe për të penguar procesin e çeljes së negociatave.

“Kjo është një maskaradë e mirëfilltë destabilizuese, e vënë në skenë nga opozita. Duan të pengojnë çeljet e negociatave me BE-në. Po bëjnë gjithçka për këtë. Llumi i baltës që vjellin çdo ditë është i frikshëm dhe qëllimi i tyre i ditur”.

E dyta ka të bëjë me autenticitetin e audio-përgjimit të publikuar nga partia demokratike për të vëllanë e ministrit Xhafaj. Ai deklaroi se e ka çuar materialin audio në një nga laboratorët më të mirë shkencorë dhe sipas tij, audio-përgjimi nuk është autentik. 

Ndërkohë duhet theksuar fakti se Rama nuk e tregoi emrin e laboratorit ku ishte kryer analiza dhe kur prokuroria e Krimeve të Rënda që ka sekuestruar materialin audio nga PD-ja, nuk ka dhënë ende  përgjigje për këtë rast.

“Për sa i përket regjistrimit audio, unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një nga laboratorët shkencorë të botës, mua ajo përgjigje më mjafton. Po bëj një parantezë jo për të influencuar hetimin për të thënë montazh, por nuk jemi përballë asnjë prove kompromentuese, por përballë një mashtrimi me një material joautentik me të cilin synohet destabilizimi i qeverisë dhe çelja e negociatave.”, thotë Rama.

E treta ka të bëjë me justifikimin e kryeministrit kur tha se qeveria dhe ministri i Brendshëm, nuk mund të mbanin përgjegjësi për kërkesën e munguar të drejtësisë italiane ndaj vëllait të ministrit Xhafaj.

“Në mungesë të kërkesës nga drejtësia italiane, Shqipëria nuk mund të veprojë dot, sepse nuk ka si të veprojë. As kur PS ka qenë në opozitë as edhe sot që qeverisim. Për ne dhe për mua askush nuk është mbi ligjin. Ministri i Brendshëm nuk duhet të përgjigjet, ligjërisht jo e jo por edhe moralisht. Kjo vlen për vëllain e ministrit, i cili ka shkuar me këmbët e veta në Itali për të vuajtur dënimin. Sepse nuk jemi njësoj pra. Nuk i shkelim dot ligjet. Për mua nuk ka pasur asgjë të panjohur në këtë histori.” – deklaroi Rama para deputetëve socialistë.

Kjo deklaratë e Ramës para deputetëve socialistë erdhi pas vendimit të Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm për t’u dorëzuar tek autoritetet italiane ditën e sotme.

E katërta ka të bëjë me mbrojtjen e Xhafajt nëpërmjet delegacionit të BE-së në Tiranë për sa i përket ndryshimit të ligjit 491 (f) të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas opozitës ky ligj ishte manipuluar nga Xhafaj për të shpëtuar të vëllanë por Rama e hodhi poshte duke u fshehur pas deklaratës së delegacionit të BE-së.

“Lidhur me akuzat për ndryshimin e ligjit të shumëpërfolur, që gjoja është bërë për të mbrojtur vëllanë e ministrit Xhafaj, nuk mund të shtoj asnjë presje ndaj asaj që ka deklaruar delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë për çështjen në fjalë.”

 

Rama për Xhafajn

Më herët Rama, kishte deklaruar ‘se drejtësia nuk mund të bëhej duke shkruar pas gjurmëve të njerëzve tanë.’

Ai e mbrojti ministrin Xhafaj duke thënë se materiali audio ndaj vëllait të ministrit, nuk ishte autentik dhe kishte kërkuar vërtetimin e kësaj nga një prej laboratorëve më të mirë.

Në fjalën e tij në grupin parlamentar të PS-së, Rama ka theksuar se ka kërkuar hetim të plotë dhe të gjerë të audio-përgjimit si dhe çështjes së vëllait të ministrit.

Ai ka theksuar se deputetët dhe ministrat e qeverisë nuk janë të paprekshëm nga të këqijat që sjell karrigia e pushtetit, por ndryshe nga të tjerët, socialistët mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Mos e lësho edhe Fatmirin siç lëshove Saimirin. E lëshove një ministër me incizime, mos e lësho edhe këtë tjetrin për të mbajtur postin. Kështu më thonë njerëzit. Këto kanë qenë reagimet në rrjetet sociale. Drejtësia nuk mund të bëhet duke shkruar pas gjurmëve të njerëzve tanë, ndërkohë që çfarë nuk i kanë bërë këtij vendi. Nuk jemi të paprekshëm nga ato që vijnë nga të këqijat që vijnë kur ulesh në një karrige, qoftë nga ato të voglat ne zyrat lokale e më tej.

Rama për Tahirin

Edi Rama ka patur sot një koment edhe për arrestin e shtëpisë së Saimir Tahirit duke ia dhënë qartë: Ai nuk ka të bëjë fare me këtë gjë.

“Kurrë s’kam qenë të mbroj askënd dhe të angazhoj PS-në, kur është fjala për t’u përballur me akuzat e organeve të drejtësisë. Kur Saimir Tahiri u dënua me arrest shtëpie, unë kisha faj nga mbrojtja e arrestit me burg dhe po unë kisha faj pse e lëshova dhe nuk e mbrojtja nga arresti i shtëpisë. “Po më falni…natyrisht e kam me këta tanët, ku hyj unë këtu në këtë mes, dhe pse duhet të hyj në këtë mes?! Unë nuk di të tallem me nderin e jashtëzakonshëm që më kanë dhënë ata që më kanë zgjedhur, mundësinë e rrallë fare për një individ që të udhëheq vendin.”, komentoi Rama.

Rama ka siguruar se për Tahirin do të mbante të njëjtën qëndrim, po t’ia kishin kërkuar prapë në kuvend, duke thënë: “100 herë do të mbanim të njëjtin qëndrim, të njëjtin fjalim jo për të mos lëshuar njeriun tonë po në mbrojtje të së drejtës sonë kushtuese për të refuzuar një padrejtësi! /Hashtag.al

AUDIO-PËRGJIMI I AGRON XHAFAJT

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto