Templates by BIGtheme NET

Haradinaj: Presim lajme të mira për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nënshkrimi i sotëm i deklaratës së përbashkët në Samitin e Sofjes dhe diskutimet që janë bërë aty flasin për një gatishmëri të BE-së për t’i çmuar reformat e arritura të vendeve të Ballkanit Perëndimor në një hap tjetër. 

“Serbia dhe Mali i Zi janë në pozicion më të avancuar, ndërsa pritet hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, kurse Kosova para vetes ka përgatitjen për status të kandidatit. Përpara kësaj është liberalizimi i vizave”, ka thënë Haradinaj gjatë një interviste për Klan Kosovën në Sofje.

Haradinaj ka thënë se pranimi si palë i Kosovës dhe progresi i arritur u respektua.

“Secili vend e ka një kërkesë të menjëhershme – Kosova e ka liberalizimin e vizave. Bisedova edhe me Presidentin e Francës, Macron, jo me kancelaren Merkel, por këshilltaren e saj. Ka ardhë koha që Kosovës t’i jepet lëvizja e lirë. Isha direkt aq sa munda që t’iu them se kemi nevojë për përkrahjen e juaj në këtë temë. Mendoj që institucionet e BE-së brenda javës do të na pranojnë zbatimin e të gjitha kritereve, pastaj janë vendet veç e veç, proces që mund të marrë edhe disa muaj. Nuk japin ‘hua’, pa i parë rezultatet e pritura”, tha Haradinaj. 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto