Templates by BIGtheme NET

Audio-përgjimi për vëllain e Xhafajt, sot priten tensione në Kuvend

Sot në orën 10:00 pritet të nisë seanca plenare e javës, mirëpo për shkak të ngjarjeve të fundit lidhur me vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafajt, kjo seancë mund të mos jetë fare normale.

Kjo sepse deputetët e opozitës do të tentojnë të bllokojnë punimet, si shenjë revolte ndaj Xhafajt, të cilit i kërkojnë dorëheqjen nga detyra e tij si ministër i Brendshëm.

Në Komisionin e Medias që u zhvillua dy ditë më parë, nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho kërkoi dorëheqjen e ministrit, pas publikimit të audio-përgjimit të vëllait të tij, Agron Xhafaj, i cili sipas PD-së rezulton i dënuar në Itali me 7 vite e 2 muaj burg.

Spaho deklaroi se PD nuk do të lejonte zhvillimin e seancave plenare dhe as të komisioneve derisa Xhafaj të vendosë të japë dorëheqjen, duke paralajmëruar kështu bojkot të Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare.

“Nuk do të ketë seancë plenare derisa ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen, as në komisione as në Kuvend, sepse ne jemi të vendosur të mos lejojmë që ministri t’i shërbejë narkotrafikantëve, që kjo polici të shkojë të arrestojë qytetarët e Kukësit dhe ata që s’paguajnë energjinë elektrike dhe të lërë Agron Xhafën të endet i lirë dhe të merret me trafikun e drogës, në drejtim të Europës. Kjo nuk është sjellja e një vendi anëetar të NATO-s.”, tha Spaho.

Përsa i përket Agron Xhafajt, vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj, ai e ka mohuar që audio-përgjimet të jenë të vërteta, megjithatë ka deklaruar se do t’i dorëzohet autoriteteve italiane për të kryer dënimin që i është dhënë disa vite më parë.

Sakaq në seancën e sotme pleenare, pritet të bëhet betimi i Spartak Brahos, i cili do marrë mandatin e deputetit, nga i cili hoqi dorë Saimir Tahiri. Por me tensionet që mund të zhvillohen në Parlament, nuk dihet në Braho do arrijë ta bëjë betimin. /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto