Templates by BIGtheme NET

U thirrën në Prokurori për audio-përgjimin e Agron Xhafajt, pse nuk u paraqitën tre zyrtarët e PD-së

Deputetët e Partisë Demokratike, Ervin Salianji dhe Enkeljd Alibeaj si edhe eksperti ligjor i kësaj force politike, Gazment Bardhi nuk janë paraqitur sot në Prokurori.

Mësohet se shkak për këtë është bërë seanca e sotme plenare në Kuvend, ku Salianji dhe Alibeaj duhet të merrnin pjesë.

Kërkesa e Prokurorisë për të thirrur tre zyrtarët demokratë për të dëshmuar, erdhi një ditë pas sekuestrimit të audioregjistrimit për vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj.

Tre eksponentët e PD-së, duhej që të paraqiten në orën 10:30, por seanca plenare ishte parashikuar në orën 10:00 dhe ata s’mund të mungonin për shkak të rëndësisë që kishte. Ndaj ata i kanë kërkuar Prokurorisë të lënë një datë tjetër për të dëshmuar.

Për shkak të ngjarjeve të fundit lidhur me vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafajt, kjo seancë mund të mos jetë fare normale.

Kjo sepse deputetët e opozitës do të tentojnë të bllokojnë punimet, si shenjë revolte ndaj Xhafajt, të cilit i kërkojnë dorëheqjen nga detyra e tij si ministër i Brendshëm.

Në Komisionin e Medias që u zhvillua dy ditë më parë, nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho kërkoi dorëheqjen e ministrit, pas publikimit të audio-përgjimit të vëllait të tij, Agron Xhafaj, i cili sipas PD-së rezulton i dënuar në Itali me 7 vite e 2 muaj burg.

Spaho deklaroi se PD nuk do të lejonte zhvillimin e seancave plenare dhe as të komisioneve derisa Xhafaj të vendosë të japë dorëheqjen, duke paralajmëruar kështu bojkot të Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare.

“Nuk do të ketë seancë plenare derisa ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen, as në komisione as në Kuvend, sepse ne jemi të vendosur të mos lejojmë që ministri t’i shërbejë narkotrafikantëve, që kjo polici të shkojë të arrestojë qytetarët e Kukësit dhe ata që s’paguajnë energjinë elektrike dhe të lërë Agron Xhafën të endet i lirë dhe të merret me trafikun e drogës, në drejtim të Europës. Kjo nuk është sjellja e një vendi anëetar të NATO-s.”, tha Spaho.

Përsa i përket Agron Xhafajt, vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj, ai e ka mohuar që audio-përgjimet të jenë të vërteta, megjithatë ka deklaruar se do t’i dorëzohet autoriteteve italiane për të kryer dënimin që i është dhënë disa vite më parë. Ai madje ka kallëzuar penalisht Salianjin, Alibeajn dhe Bardhin për shpifje ndaj tij, pasi ishin ata që e bënë publik audio-përgjimin që sugjeronte se Geron (Agron) Xhafaj vazhdonte aktivitetin kriminal.

Sakaq në seancën e sotme pleenare, pritet të bëhet betimi i Spartak Brahos, i cili do marrë mandatin e deputetit, nga i cili hoqi dorë Saimir Tahiri. Por me tensionet që mund të zhvillohen në Parlament, nuk dihet në Braho do arrijë ta bëjë betimin. 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto