Templates by BIGtheme NET

Bashkëshorti i prokurores Rrumbullaku transferta nga kompanitë në “offshore”-I përfshirë në biznesin e basteve

Alban Mësonjësi, djathtas bashkëshortja, prokurorja Ornela Rrumbullaku

Biznesi i basteve, i konsideruar nga agjencitë të rëndësishme ndërkombëtare si “lavatriçe parash të pista” është më pak i kontrolluari nga autoritetet shqiptare. Mungesa e kapaciteteve njerëzore, por, sidomos, mungesa e dëshirës së institucioneve, ka krijuar për një pjesë të kompanive të basteve “parajsën shqiptare”.

“Lajme.al” ka realizuar një investigim, në bazë të të cilit krijohen dyshime të forta se dy kompani bastesh, me shumë mundësi fiktive, kanë krijuar një sistem për pastrim parash.

Në janar 2015, biznesmeni Alban Mësonjësi, bashkëshort i prokurores në Durrës, Ornela Rrumbullaku, merr një transfertë prej 125 mijë dollarësh nga një kompani në Qipro, e njohur si “parajsë fiskale” për krijimin e kompanisë së basteve “Timbast”.

Në Prill 2015, i njëjti biznesmen merr një transfertë prej rreth 100 mijë euro, nga një kompani e regjistruar në Panama, një tjetër vend i konsideruar “parajsë fiskale”, për krijimin e kompanisë “24Bast”.

Të dyja kompanitë, sipas dokumentave zyrtare të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, kanë selinë në të njëjtën adresë. Ato kanë pasur të dyja të njëjtin administrator, Alban Mësonjësi. Dhe, siç do të shihet më poshtë gjatë investigimit të “Lajme.al”, ato të dyja nuk kanë ushtruar asnjë aktivitet tregtar, kanë bilance zero dhe, në vitin 2016, administratori ka dhënë dorëheqjen nga të dyja kompanitë.

Të gjithë lëvizjet krijojnë dyshime të forta se regjistrimi dhe më pas largimi i administratorit dhe ortakut kryesor, Alban Mësonjësi, nga “Timbast” dhe “24Bast” janë veprime fiktive, duke krijuar një skemë pastrimi parash.

Kompania e basteve “Timbast” regjistrohet në QKR, në dt. 06.01.2015. Ortaku kryesor dhe administrator është biznesmeni Alban Mësonjësi, me 40 % të pjesëve në kapital. Në statusin e kompanisë, është shënuar se ortaku Mësonjësi ka derdhur shumën 20 milion lekë të reja për “kapital fillestar”. Kjo shumë, siç rezulton nga dokumentat, nuk është pasqyruar në asnjë dokument zyrtar.

Atij iu bashkuan në krijimin e kësaj kompanie bastesh edhe një shtetas qipriot dhe një kompani qipriote, vend i njohur si “parajsë fiskale”. Më konkretisht, bashkë-ortak me Mësonjësin ishin Charino Holding co.Limited, me seli në Nikosia, Qipro, si edhe shtetasi qipriot Christoforos Varianos, konkretisht me nga 23% dhe 20% të kapitalit. Pjesa tjetër përbëhej nga një ortak shqiptar dhe një maqedonas.

Pak ditë para regjistrimit të Timbast, në llogarinë e biznesmenit Alban Mësonjësi transferohet shuma prej 125 mijë dollarësh, nga kompania qipriote Charino Holding co.Limited. Më pas, kompania nuk kryen asnjë aktivitet financiar.

Në bilancin e dorëzuar një vit pas krijimit në QKR, në mars 2016, kompania “Timbast” shënon në të gjitha rubrikat vlerën ‘zero”,  pra, asnjë aktivitet. Për më tepër, në pasqyrat e bilancit nuk shënohen as shumat financiare që janë derdhur nga ortakët për krijimin e kapitalit fillestar. Madje, nuk gjendet as shuma prej 125 mijë dollarë, e cila i ishte transferuar administratorit Alban Mësonjësi.

Në datë 25.04.2016, administratori Alban Mësonjësi jep dorëheqjen nga detyra e administratorit, ndërkohë që “Timbast” vijon të jetë ende me statusin “Aktiv”, por nuk ka asnjë lloj veprimtarie tregtare.

Në mënyrë identitike është vepruar edhe me krijimin dhe veprimet e mëtejshme me kompaninë “24Bast”. Kjo kompani regjistrohet në QKR në dt. 13.05.2015, me ortak kryesor dhe administrator Alban Mësonjësi, i cili ka 40% të pjesëve në kapital. Edhe për këtë kompani, sipas statusit të saj, ortaku kryesor Mësonjësi ka derdhur shumën 20 milionë lekë të reja për “kapital fillestar”. Njëlloj si në kompaninë “Timbast”, edhe në bilancet e kompanisë “24bast” nuk gjendet askund e pasqyruar se Alban Mësonjësi të ketë derdhur këtë shumë parash.

Në kompaninë “24Bast”, atij i bashkohen si ortakë dy kompani me seli në Panama, e konsideruar gjithashtu si “parajsë fiskale”. Kompanitë panameze “Trillado Enterprises” dhe “Atilova Enterprises” kanë përkatësisht 23% dhe 20% të pjesëve në kapital.

Kompania “Atilova Enterprises” përfaqësohet nga qiprioti Christoforo Varianos, me të cilin Alban Mësonjësi kishte krijuar edhe “Timbast”. Edhe kompania “24Bast” ka të njëjtën adresë me “Timbast”. Pra, adminstratori Alban Mësonjësi ka regjistruar dy kompanitë e basteve në të njëjtën adresë, duke krijuar kështu dyshime të forta se gjithçka është fiktive.

Pak ditë para regjistrimit në QKR të kompanisë së dytë të basteve, “24Bast”, kompania panameze “Trillado Enterprises”, nëpërmjet përfaqësuesit të saj Richard Buiteman, transferon në llogari të administratorit Alban Mësonjësi shumën prej 100 mijë eurosh, me shënimin “për kapital fillestar”.

Njëlloj si në rastin e kompanisë së parë, “Timbast”, edhe kompania “24Bast” rezulton që nuk ka kryer asnjë aktivitet tregtar. Në raportin e bilancit vjetor, dorëzuar në QKR në mars 2016, të gjithë rubrikat e kompanisë “24Bast” janë shënuar me “zero”. Pra, zero aktivitet, por në bilanc nuk gjendet e deklaruar as transferta me 100 mijë eurosh, të cilët i janë derdhur Alban Mësonjësit nga kompania panameze “Trillado Enterprises”.

Në të njëjtën ditë që dha dorëheqjen nga kompania e parë, “Timbast”, pra në 25.04.2016, administratori Alban Mësonjësi jep dorëheqjen edhe nga ‘24Bast”.

Vlera totale e transaksioneve, të deklaruara si të kryera nga “Timbast” dhe “24Bast”, pra, transfertat bankare, por edhe shumat që secili ortak ka shënuar si të paguara për “kapitalin fillestar”, arrijnë në vlerën e rreth 1 milion eurove. Kjo shumë, as nuk është deklaruar dhe as nuk rezulton si e qarkulluar, në bazë të dokumentave zyrtare të dorëzuar në QKR. Pra, dyshimet krijojen që, me këtë manovër mund të jenë pastruar rreth 1 milion euro.

Të gjitha këto veprime krijojnë dyshime të forta se e gjithë skema është përdorur për pastrimin e parave, një mekanizëm i cili, siç rezulton nga investigimi i “Lajme.al” nuk është zbuluar ose, të paktën, nuk është raportuar në Prokurori nga ana e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Nga të gjithë të dhënat e siguruara, vijon të mbetet mister burimi, por edhe destinacioni i parave që i janë transferuar Alban Mësonjësit nga kompania qipriote dhe ajo panameze dhe shuma e parave që janë deklaruar si të depozituara për “kapital fillestar” të kompanive “Timbast dhe “24Bast”.

“Lajme.al”, në bazë të të dhënave që ka në dispozicion, ka krijuar dyshime të arsyeshme se të gjithë këto transaksione realizohen për llogari të një biznesmeni të fuqishëm, shumë pranë Partisë Socialiste, i cili ka selinë e tij qëndrore në një zyrë të rëndësishme në katet e larta të kullës “Sky Tower”, në Tiranë.

Kjo skemë ndoshta do të duhet të zbardhet nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Komisioni i Vetingut, për faktin se Ornela Rrumbullaku, bashkëshortja e Alban Mësonjësit, personit kryesor të kësaj skeme të dyshuar, është prokurore në Durrës,. Nga ana tjetër, investigimi i “Lajme.al” mund të shërbejë si një nxitje për Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku, të urdhërojë nisjen e hetimit pë vartësen e saj, Ornela Rrumbullaku.

Vini Re: Artikulli është pronësi intelektuale e “Lajme.al”

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto