Templates by BIGtheme NET

Aktorët e mëdhenj që kundërshtojnë Ramën-Shembja e teatrit është krim

“Shembja e teatrit është krim”.  Me këtë thirrje kanë protestuar për muaj të tërë artistë të njohur dhe kanë dalë kundra shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ata kanë protestuar kundër Erion Veliajt dhe Edi Ramës që teatri të mos jepet me PPP (Partneritet Publik Privat), dhe as të shembet godina ekzistuese. Madje propozuan edhe projektin e tyre të hartuar nga Bujar Kapexhiu, por përsëri Rama dhe Veliaj nuk u bindën. 

Nuk dorëzohen dhe kanë deklaruar se qeveria nuk mund të shembë një godinë që mbart histori dhe vlera, për të ndërtuar kulla.

“Shembja e teatrit është krim”, kështu brohorasin në çdo protestë. Këta janë Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Bujar Asqeriu, Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Robert Budina dhe Kastriot Çipi. 

Robert Ndrenika

Artisti i madh Robert Ndrenika ka qenë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar që para se Rama të miratonte këtë projekt. Nuk ka munguar as në protestat e organizuara nga artistët dhe nuk ka hezituar në asnjë moment ta kundërshtojë fort këtë projekt.

Madje sot ai ka bërë debat edhe me Erion Veliajn gjatë dëgjesës. Ndrenika tha se ishte dakord me propozimin për riparimin e Teatrit Kombëtar, por me kusht që projekti të ruante indentitetin.

“Mendoj se nuk ka ndonjë gjë të keqe. Siç është ai pazari i vjetër, që e ruan atë, pra, është i dikurshmi po i rregulluar, nuk i vjen më era. Pra, edhe ky i yni, që është monument kulture me atë oborrin, pishat. Kam bindjen Erjon se të kanë gënjyer me ato 30 milionë eurot se maksimumi mund të duhen 10 milionë euro.”, tha ai.

Reshat Arbana 

“Kullat do na duken sikur na bien mbi kokë’. Kështu ka deklaruar Reshat Arbana në lidhje me projektin e teatrit që ka miratuar qeveria Rama. 

Ai ka protestuar kundra shembjes së teatrit dhe këtë e ka thënë edhe sot. 

“Është konfliktualitet i shëmtuar. Do fitojmë çdo betejë nëse fitojmë betejën mes vete. Unë them që teatri duhet të mbetet aty. Nëse territori aty qenka i bashkisë, le t’ia lëjë bashkia teatrit këtë tokë. Bëni një gjë të bukur se ato kullat do na duket sikur do bien mbi kokën e artistëve dhe godinën e teatrit.” – ka deklaruar aktori Reshat Arbana. 

Mirush Kabashi dhe Bujar Asqeriu

Aktorët Bujar Asqeriu dhe Mirush Kabashi e kanë bojkotuar ftesën e Veliajt për dëgjesën publike sot.  Por edhe këta dy artistë janë kundra shembjes së Teatrit Kombëtar. 

Çështja e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar i ka futur ata në debat edhe me Hervin Çulin, drejtorin e Teatrit Kombëtar. 

Mirush Kabashi deklaroi pak ditë më parë se në Teatrin Kombëtar ka censurë politike dhe ideologjike dhe se klasa politike ndërhyn në të.

“Politikën e artit e vendos qeveria në mbledhjen e saj, ndërsa drejtorët e artit i vendos kryeministri, ndërsa ministri i kulturës  vendos bordin artistik. Atëherë a ka më shumë politizim se kaq. Pra ata përcaktohen nga njerëz politik. Drejtori i Teatrit të Tiranës më kërkoi pjesën e Gomari i Babatasit për të parë nëse ka ndonjë alegori që bie ndesh me linjën politike”, tha ai.

Menjherë reagoi keq Hervin Çuli.” Hahahaha! Zotëria “hani pini dhe rrëmbeni”, pasi “grabiti” për 15 vjet rrogën në Teatrin Kombetar, ka filluar të recitojë patologjikisht mediave gjoja se i dhemb shpirti për godinën e Teatrit Kombëtar. “, tha për Kabashin ky i fundit. 

Kastirot  Çipi

Regjisori Çipi ka qenë ndër ata që ka denoncuar me foto mënyrën sesi sipas tij po mashtrohet që të shembet Teatrit Kombëtar. Nuk kanë munguar edhe përplasjet me Hevin Çulin. Jo një natë më larg ai i tha Çulit që të mos bëhej vegël e Ramës dhe Velijat. Por drejtori i Teatrit Kombëtar u shpreh se nuk është vegël e askujt. 

“I nderuar Kastriot s’jam e s’kam për të qenë kurrë vegël e askujt dhe e emocioneve personale të askujt. Sa metra katror ka teatri është me letra dhe nuk e ndryshon dot as Veliaj as Çuli as Cipi.”, tha Çuli. 

Robert Budina

Regjisori Budina deklaroi në diskutimin me Veliajn nuk kishte sinqeritet, duke iu referuar asaj që kishte ndodhur deri tani.

“Nuk jeni i sinqertë në atë që thoni, me vjen keq po nuk jeni i sinqertë. Sepse ai ligji që bëni ju shkel 17 ligje të tjera dhe me vjen keq për shtetin tim. Të bëhet një ligj kontratë, jam shumë i çuditur.”, tha ai ndaj Veliajt. 

Arben Derhemi

“Rama nuk ka identitet, t’i verë gishtin kokës”. Në çdo protestë Derhemi ka ngritur zërin kundër këtij projekti që sipas tij po shkatërron godinën ekzistuese dhe për këtë Rama duhet t’i verë gishtin kokën. 

Sot Arben Derhemi tha se pavarësisht se Teatri Kombëtar ishte Jeruzalemi i artistëve dhe ata nuk do lëshonin asnjë centimetër të tij.

Alfred Trebicka

“Mendimi im është që ndërtimi, restaurimi apo bërja e ribërja e një institucioni siç është Teatri Kombëtar, apo edhe institucione të tjera si Teatri Kombëtar, të përmasave të tilla duhet të jenë plotësisht nisma dhe vepra të shtetit.

Në këto nuk ka punë privati. Sepse bashkëpunimi i tillë është problematik. Në rastin konkret ky bashkëpunim do ketë këto pasoja. Nuk ka privat në botë që e bën për hobi një sipërmarrje të tillë. Po pra, po bashkëpunimi është i rrezikshëm në rastin konkret, sepse të merr territor”, është shprehur ai më parë. Ai ka theksuar në protesta se teatri është lënë qëllimisht të rrënohet që të shembet nga qeveria.                                                                                                                                                                                                         Luftar Paja

Por ndryshe nga kolegët e tij, aktori Luftar Paja është shprehur pro shembjes së Teatrit. Në fjalën e tij gjatë dëgjesës publike të aktorëve me kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj dhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro është shprehur pro shembjes së Teatrit dhe ndërtimit të një teatri të ri.

Në fjalën e tij, Paja është shprehur se problemi nuk qëndron tek Teatri por tek artistët e rinj. Sipas Pajës faji qëndron tek të rinjtë  që nuk janë të aftë t’i japin audiencës atë që meritojnë.

Dëgjesa që Veliaj orkestroi sot nuk bindi asnjë prej artistëve për të ndryshuar mendim. Nuk bindi as shqiptarët që e ndiqnin nëpërmjet regjisë së ekipit të tij.

Lajm sot bënë vezët që iu hodhën para se të hynte në ambientet luksoze të ‘Plazës’. /Hashtag.al 

Dëgjesa sot e Veliajt me aktorët

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto