Templates by BIGtheme NET

Përplasjet dhe batutat – Gjithçka ndodhi në dëgjesën për Teatrin Kombëtar

Me debate dhe batuta është shoqëruar dëgjesa e sotme publike mes kryebashkiakut Veliaj dhe ministres Kumbaro me artistët lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar.

Kundër prishjes së Teatrit Kombëtar ishin: Robert Ndrenika, Robert Budina, Alert Çeloaliaj, Arben Derhemi, Reshat Arbana, Alfred Trebicka e Altin Basha.

Pro prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një të riu ishin: Laert Vasili, Luftar Paja, Erjon Isai e Hervin Çuli.

Kurse një pjesë artistësh preferuan të mbajnë qëndrim neutral në diskutim: Helidon Fino, Kastriot Çaushi, Genc Fuga, Petrit Malaj e Artan Imami.

Aktori Mirush Kabashi e ka preferuar të bojkotojë ftesën e Veliajt për dëgjesën publike.

Në hyrje të saj, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se kjo do ishte vetëm seanca e parë mes një turi seancash që do zhvillohen për çështjen në fjalë.

Aktori Robert Ndrenika u shpreh se është i bindur se se në ndërtimin e Teatrit Kombëtar me koncesion ka hile brenda dhe se është për rikonstruksionine teatrit duke ruajtur identitetin e tij.

“Kam vuajtur shumë gjatë kësaj kohe, kam parë projektin, kam dëgjuar komunitetin, por kam vuajtur me atë partneritetin publik-privat. Sepse e dhashë shtëpinë tek një partneritet publik-privat dhe kam ndenjur tre vjet gjyqeve.”

Kurse regjisori Budina tha se kishte bindjen se në diskutimin e Veliajt nuk kishte sinqeritet, duke iu referuar asaj që kishte ndodhur deri tani.

“Nuk jeni i sinqertë në atë që thoni, me vjen keq po nuk jeni i sinqertë. Sepse ai ligji që bëni ju shkel 17 ligje të tjera dhe me vjen keq për shtetin tim. Të bëhet një ligj kontratë, jam shumë i çuditur.”

Arben Derhemi tha se pavaarësisht se Teatri Kombëtar ishte Jeruzalemi i artistëve dhe ata nuk do lëshonin asnjë centimetër të tij.

“Ne nuk cedojmë asnjë centimetër të Teatrit Kombëtar, është vend i shenjtë. Ai nuk do të cënohet, e ka thënë edhe Ndrenika është Jerusalem. Aty fillon dhe aty mbaron konsensusi me ne. Në rast se bisedimet fillojnë në momentin që territori nuk cënohet, ne aty po deshe ulemi dhe hamë ndonjë darkë e pimë ndonjë gotë verë.” tha Derhemi.

Më tej fjalën e ka marrë aktori Laert Vasili i cili është përfshirë në replika me Derhemin duke mi thënë se teatri nuk është vetëm i tironsve, por i të gjithëve.

“Teatri kombëtar nuk është i tironse lale po i gjithë shqiptarëve. Racizmi këtu është më i frikshëm se racizmi që kam  ndjerë në Greqi. Nëse nuk doni të flasim për teatrin të flasim për balonë tauke, balonë tabake. Na lini të vdesim nga tuberkulozi, nga asbesti dhe të shkojmë të performojmë në Sharrë. Nëse nuk e doni teatrin, mos e bëjmë. Le të sëmuremi këtu nga tuberkulozi e sëmundjet e tjera.” – tha Vasili.

“Është konfliktualitet i shëmtuar. Do fitojmë çdo betejë nëse fitojmë betejën mes vete. Unë them që teatri duhet të mbetet aty. Nëse territori aty qenka i bashkisë, le t’ia lëjë bashkia teatrit këtë tokë. Bëni një gjë të bukur se ato kullat do na duket sikur do bien mbi kokën e artistëve dhe godinën e teatrit.” – ka deklaruar aktori Reshat Rabana.

Një tjetër përplasje ka qenë ajo mes aktorit Luftar Paja dhe avokates Mirela Jorgo, që u prezantua si përfaqëuese e sindikatës së artistëve.

Luftar Paja tha se artistët nuk duhet të merren me llaç e me tulla por me cilësinë e artit dhe të aktorëve. Por menjëherë ka ndërhyrë Jorgo e cila ka thënë se çështja kryesore ishte pikërisht ky projekt dhe mosgllabërimi i tokës së Teatrit Kombëtar nga koncesionari.

Paja: “Ne jemi artistë dhe nuk duhet të merremi me llaç e me tulla. Na na intereson cilësia e artit duke filluar që nga cilësia e universitetit. A kemi ne një Romeo dhe një Zhuljetë që të ngjitet aty në skenë. Këto diskutimet e tjera nuk na përkasin”.

Jorgo: “Zoti Paja të kam zemër se jam vajza e mikut tuaj, por e gjithë çështja është për metrat, ato që kërkohen të gllabërohen.”

Paja: “Bëji të fala mikut tim. Ka gjithë mbështetjen time. Paja: Unë nuk merrem me metrat e gllabëruara, ata t’i gllabërojë drejtësia. Unë flas poër ata që u takojnë artistëve, të mos merremi me llaç e tulla.”

Kryebashkiaku Veliaj nuk ka harruar të shigjetojë edhe të rinjtë e FRPD-së për incidentin që ndodhi në hyrje të dëgjesës kur u qëllua me vezë.

“Me atë nishan që ju ka çu Luli s’keni gjë në vijë. Hodhët 10 vezë nuk më zuri asnjë.” /Hashtag.al

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto