Templates by BIGtheme NET

Pse njerëzit nuk u bashkohen protestave për teatrin

Nga Valbona Sulçe

Sepse njerëzit nuk kanë teatër. Në vend të teatrove, japin “shfaqje” politikanët dhe ministrat.

Kjo foto është marrë nga turi i llogaridhënies në Lushnje. Me gjasë duhet të jetë qendra kulturore Vaçe Zela, pasi nuk gjeta referencë në asnjë artikull lidhur me vendin ku mbahej aktiviteti (mesa duket detaj i parëndësishëm).

Duket një sallë e mirë, nga ato që ëndërrojnë të gjithë artistët nëpër shfaqje, sidomos se është e mbushur plot. Nuk i di parametrat teknike- akustike e plot te tjera, por kur mendoj që Kukësi nuk e ka një sallë të tillë, edhe pse e kërkon prej vitesh, mendoj që është një aset për qytetin.

Qytetet tona, me përjashtime të vogla, lëngojnë nga një “thatësirë” e gjatë artistike. Shfaqjet me pikatore që vijnë nga Tirana nuk mund ta përmbushin nevojën e njerëzve për art.

Do ishte interesante të dinim p.sh kur është vënë shfaqja e fundit në këtë skenë, të kishim një kalendar aktivitetesh të publikuar diku (po kërkoj shumë, ë?)

Ndaj lobimi për Teatrin Kombëtar në Tiranë duhet të shoqërohet me lobimin për më shumë investime për teatrin në përgjithësi, jo vetëm në kryeqytet.

Çfarë mund të presësh nga një popull që mëngjes, drekë, darkë “ha” politikë, “pi” politikë, “vjell” politikë? Si mund të zhvillojë ai ndjeshmërinë ndaj çështjeve sociale nëse nuk ka teatër, nëse nuk konsumon art?

E kam dëgjuar dhe këtë shprehjen tjetër që “komedia është zhanri që ecën më shumë se ky popull ka nevojë të qeshë!” Po, po ky popull ka nevojë të mendojë në rradhë të parë.

Dhe mendimin e zhvillon drama, letërsia. Një popull që nuk mendon, vdes! Kaq e thjeshtë është! Mbro teatrin, investo për kulturën.

Vini re: Marrë nga Valbona Sulçe- blog personal

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto