Templates by BIGtheme NET

Dy episode mbi korrupsionin dhe kotësinë e vettingut

Nga Anila Hoxha

I kam ndjekur me shumë vëmendje 14 seancat e vettingut dhe deri tani shoh që kontrollet ndaj njerëzve të drejtësisë janë katandisur në mbledhje-zbritje të ardhurash e shpenzimesh. Prisja më shumë.

Por mos të paragjykojmë e le mos ta ngremë këtu pikëpyetjen “a po gjykon vettingu me standart të dyfishtë?”. Sepse tani është me vend të shkruaj për diçka tjetër.

Prej kohësh kam anketuar avokatë e të pandehur ose hallexhinj gjykatash. Avokatët e dinë pyetjen time: Kush nuk të ka marrë lekë? Kush të ka marrë lekë?

Ndoshta edhe vettingasit duhet ta ngrenë këtë pyetje, në formën e hetimit të thelluar që ata thonë. Ndoshta ekzistojnë avokatët që mund të bëhen “të penduar”.

Rasti 1- Një kafe 50 mijë euro

Para pak vitesh po ndiqja rastin e trafikut të 9 kg heroinë, të sekuestruar në portin e Durrësit. Droga u kap në makinen tip ‘Ford’ me targa KJ… procesi shtyhej pambarimisht dhe në krye të 3 muajve në një bar, njëri nga të arrestuarit kryesorë më përshëndeti nga tavolina ku ishte ulur. U befasova. Nuk e dija që ishte liruar.

U ula bashkë me të dhe pyetja e parë që më erdhi ishte “si dole?”. Personi qeshi dhe më tha “çështja u pushua”. Më tregoi se kishte mungesë provash dhe për këtë gjë e kishin ndihmuar 50 mijë euro.

Kishte marrë avokat, por avokati se kishte kapur filmin. Atëherë trafikanti përmes kushëririt të tij ishte lidhur me kushëririn e parë të prokurorit , i cili pasi kishte bërë me shenja pazarin i kishte thënë  “takohemi në x vend ose në Petrelë”.

Kafja kuptohet ishte mbyllur me 50 mijë euro. Trafikanti doli. Dy të tjerët që ishin arrestuar me të kaluan në Durrës, sepse nuk kishte më trafik droge. Ata dy të tjerët duruan edhe 6 muaj në burg e më vonë edhe ata dolën. Nuk di të them saktë nëse heroina doli e pastër apo e përzier me paracetamol…

Rasti 2 – Rrëfimi bio i një avokati

Prokurori X nga i njëjti qytet me të arrestuarin i tha avokatit se nuk ishte serioz në kërkesat që bënte. Klienti në fjalë ishte arrestuar për hashash, sepse sipas përgjimeve, rezultoi të përdorte një banesë të vjetër si objekt strehimi për drogën që trafikohej për në Greqi.

Droga i përkiste disa të tjerëve që nuk u gjetën. Avokati ” i hallexhiut” pas bisedës juridike me prokurorin, kuptoi se duhet të ndërronte rrugë.

Por për këtë gjë duhej benzinë.

“Sa kushton t’i japim gaz” – i tha?

Prokurori ngriti njërën dorë me katër gishta. Do të thoshte 40 mijë euro. Nuk do ta harroj pamjen e familjarëve kur u thashë çmimin – rrëfehet avokati.

Më kërkuan kohë të mblidhnin borxhe. Me shtrëngime e gjithë sa mblodhën ishin vetëm 20 mijë euro.

Ju luta prokurorit, vazhdon më tej avokati , që të bënte një lëshim. Dhe ai u tregua human, më kërkoi t’ia dorëzoja 20 paradhënie, dhe të tjerat 3 ditë para pushimit. Ashtu ndodhi.

Kur shkova në paraburgim për t’i dhënë lajmin klientit, për t’i thënë që do lirohej, ai me sytë e enjtur klithi:

“Përse nuk më solle dhe një litar të varesha?” Ai u lirua vërtetë dhe megjithëse kanë kaluar vite, akoma po shlyen borxhet.

Prokurori? Ka ngritur një varg biznesesh nëpër Shqipëri që nuk janë në emrin e tij. Por të dikujt tjetër. Dhe kur të kontrollohet bëj be’ për Zot që do dalë me kredi ose me ndonjë borxh!

***

Me këto duhet të merret vettingu dhe jo me mbledhje-zbritje-shumëzim-pjesëtim. Ju dhamë besim. Por kujdes, njerëzit i njohin njerëzit dhe e dinë kush është çfarë.

Jepuni vendin e nderuar atyre që po ndeshen dhe janë ndeshur me krimin dhe kurrë nuk kanë qenë të preferuarit e askujt. Atyre ju përulem. Sepse i njoh me emra e mbiemra. Ata që kanë dhënë drejtësi! Dhe nuk kanë bërë pazar.

Rasti 3?

E vazhdojmë një ditë tjetër më mirë, sepse në Shqipëri ka një shprehje të dashur të huaj të ONM-së: “Kush di të vjedhë, di edhe të fshehë”.

VINI RE: Ky shkrim u publikua me lejen e autores. Anila Hoxha është një gazetare e Top-Channel, ajo raporton prej vitesh zhvillimet në gjykata dhe prokurori.

Titulli është redaksional.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto

ăn dặm kiểu NhậtResponsive WordPress Themenhà cấp 4 nông thônthời trang trẻ emgiày cao gótshop giày nữdownload wordpress pluginsmẫu biệt thự đẹpepichouseáo sơ mi nữhouse beautiful