Templates by BIGtheme NET

Drejtojeni gishtin nga vetja z.Xhafaj

Nga Ergys Mërtiri

Ministri Xhafaj, foli me dorë në zemër mbi dhembjen për humbjen e shoferit të tij, duke e trajtuar atë si një tragjedi familjare.

Ai tha se nuk do bëjë politikë në këtë ditë pikëllimi për familjen e të ndjerit, por në fakt nuk e la pa bërë politikë, kur i quajti hijena ata që, sipas tij, po e përdorin ngjarjen për të shtruar hipoteza me qëllime politike.

Në fakt, ministri duhet të kuptojë se nuk është personazh showbizi që të na ekspozojë gjendjen e tij shpirtërore si diçka me interes publik. Është ministër i brendshëm dhe është personi kryesor që përgjigjet për rendin dhe sigurinë këtu. Nëse ai bëhet objekt i goditjes së krimit, kjo nuk duhet të na prodhojë solidaritet për dhembjen e tij, por duhet të sjellë shqetësim mbi gjendjen e rendit.

Xhafaj duhet të kuptojë se dhembje të tilla shkaktohen çdo ditë në këtë vend ku rendi krimi shënon bilance lufte. Për këtë arsye, nuk ka vend aspak për empati, për sa kohë ai është përgjegjësi që duhet të japë llogari për gjithçka që ndodh me krimin. Kur drama ndodh pranë Ministrit të Rendit, ky nuk është moment solidariteti, por një arsye serioze për t’u shqetësuar mbi realitetin ku jetojmë.

Mbi të gjitha, nëse z. Xhafaj mërzitet me mediat që, sipas tij bëjnë politikë duke shtruar hipoteza e pista të pavërteta për ngjarjen, është, pikë së pari Policia e Tiranës, institucion nën varësinë e vetë z. Xhafaj, që e ka ushqyer në mënyrë qesharake dhe të turpshme këtë situatë, duke hedhur e para, pistën e vetvrasjes, gjë që krijon masivisht perceptimin se ajo po përpiqet ta mbulojë ngjarjen. Pra është vetë policia që zgjon pasiguri duke u ekspozuar e interesuar për të mbuluar të vërtetën, gjë që i hap udhë analizave të gjithkujt që përpiqet të tregonë papërgjegjshmërinë e saj.

Nuk mund të jemi kaq serbes kur shoferi i Ministrit të Rendit gjendet i vrarë në garazhin e Gardës së Republikës me një plumb në kokë në pikë të mëngjesit dhe policia thotë se mund të jetë vetëvrasje. Aq më tepër kur, kjo ndodh në një vend ku Ministri i Rendit, shofer i të cilit ishte i ndjeri, akuzohet për përfshirje në trafiqe, ku vetëm pak javë më parë, i vëllai u detyrua të shkojë të bëjë një burg, të cilit i fshihej prej vitesh, ndërsa paraardhësi i tij është në hetim për trafik ndërkombëtar droge.

Përpara se të ankoheni për mediat z. Xhafaj, drejtojeni gishtin nga vetja!

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto