Templates by BIGtheme NET

Borxhet e Top Channel kompromentojnë ‘Raiffeisen Bank’ dhe një gjykatës në Tiranë

Një kompani furnitore ka paditur Top Channel për një borxh prej afro 47 milionë lekësh, por pamundësia e televizionit për të bërë pagesën ka çuar në kompromentimin e bankës ‘Raiffeisen’ dhe gjykatësit Ervin Pollozhani.

Historia zbulohet nga dy kallëzime penale të depozituara 48 orët e fundit.

Fabula është e thjeshtë: borxhi që TCH i ka një kompanie që i ka ndërtuar skenat e spektakleve këtij televizioni, po zvarritet dhe po zvarritet, me të vetmin qëllim për të mos u paguar.

 “New Vision”, një kompani me 18 punonjës ka punuar si furnitore e Top Channel, duke bërë një punë prej 47 milionë lekësh.

Administratori i kompanisë i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, pas refuzimit të pagesave nga TCH duke kërkuar lëshimin e urdhërit te ekzekutimit të faturave. Në maj, gjykata ka lëshuar urdhërin e ekzekutimit dhe është vendosur që ta ekzekutojë shoqëria përmbarimore “AB” sh.p.k.

Përmbaruesi gjyqësor privat fillimisht ka lajmëruar debitorin për një pagesë vullnetare, duke dhënë një afat 10-ditor, por TCH shpërfilli pagesën.

Përmbaruesi vendosi në këto kushte sekuestro konservative e ekzekutive mbi llogarinë e debitorit TCH, përkatësisht në llogarinë bankare pranë bankës “Raiffeisen”.

Por punonjësit me nivel drejtues të bankës, kanë refuzuar kalimin e vlerës monetare.

Banka “Raiffeisen” ka refuzuar të kryejë ekzekutimin, pikërisht kur televizioni “Top Channel” i ka drejtuar një kërkesë gjykatës për të pezulluar veprimet e përmbaruesit, kjo kërkesë u shqyrtua nga gjykatësi Ervin Pollozhani në rrethana tepër të dyshimta, pasi kompania furnitore kërkoi përjashtimin e këtij gjykatësi si person në konflikt interesi me çështjen. (Sepse gjyqtari Pollozhani ka dhënë dorëheqjen dikur nga një tjetër gjyq i TCH, nga gjyqi kryesor, ai mbi pronësinë e këtij televizioni.)

TCH ka paditur furnitorin dhe shoqëritë përmbarimore në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë duke kërkuar pezullimin e veprimeve përmbarimore por dinamika në këtë gjykatë nxjerr zbuluar ngutin e gjykatësit Pollozhani për të mbaruar punë shpejt e shpejt, edhe pse i dyshuar në shkelje të rëndë të ligjit.

Gjykatësi Pollozhani ka vendosur në favor të “Top Channel” duke dalë me një vendim, ende pa u shqyrtuar kërkesa për përjashtimin e tij.

Këtë vendim të Pollozhanit avokati i kompanisë furnitore Edmond Janushaj e ka cilësuar si një akt kriminal.

“Vendimi i Ervin Pollozhanit është akt i pastër kriminal. Ai nuk kishte asnjë të drejtë për të dhënë vendim ende pa përfunduar shqyrtimi i kërkesës për përjashtimin e tij. Nga ana tjetër ky gjykatës ka pezulluar veprimet përmbarimore në kundërshtim me të gjitha principet e të drejtës tregtare, duke shkelur çdo dispozitë ligjore, që si rregull ky gjykatës duhet të garantojë”, – u shpreh avokati Janushaj.

Kompania furnitore ‘New Vision’ i është drejtuar me një denoncim Bankës së Shqipërisë, për të marrë masa ndaj bankës ‘Raiffeisen’, ndërsa kjo e fundit dyshohet se ka shkelur në mënyrë arbitrare detyrimet ligjore.

Nga ana tjetër kompania furnitore ka depozituar në prokurori dhe një kallëzim penal në prokurori ndaj gjykatësit Ervin Pollozhani për shpërdorim detyre.

E gjithë kjo histori e konsumuar orët e fundit, është treguesi i radhës se televizioni “Top Channel” përveçse gjendet në vështirësi financiarre, si kurrë më parë ka nisur të anulojë kontratat dhe borxhet që u ka furnitorëve të vet, duke ushtruar një ndikim okult dhe shatazhues mbi bankat dhe gjykatat.

Një ndikim i paprecedent, që tashmë ka kompromentuar dhe bankën më të madhe në vend, ‘Reiffeisen Bank’ si dhe ka detyruar gjyqtarin Ervin Pollozhani të japë një vendim të jashtëzakonshëm, që mund të rezultojë ‘vetëvrasje profesionale’ për të. / Hashtag.al

Ankimimin në Bankën e Shqipërisë e lexoni këtu

Kallëzimin penal ndaj gjykatësit Ervin Pollozhani e lexoni këtu

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto