Templates by BIGtheme NET

KORRIERI I EDI RAMËS – Dëshmia që zbardh rolin e Gjergj Bojaxhiut te Teatri

Në foto: Gjergj Bojaxhi në një darkë, ku shfaqen prezent dhe disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës

Altin Basha, së fundmi i perceptuar nga publiku, por edhe kolegë të tij si “tradhëtar” i kauzës së Teatrit Kombëtar pas publikimit të një fotoje të tijën me Erion Veliajn, Arben Derhemin dhe Alfred Trebickën, në një intervistë të sotme për gazetën “Panorama” ka dhënë një informacion të ri, të panjohur deri më tani.

Regjisori Basha ka rrëfyer për gazetaren Alma Mile në “Panorama” rrugën se si mbërriti në zyrën e kryebashkiakut për të diskutuar për teatrin, moment që u shit nga Veliaj si arritje e marrëveshjes me artistët.

Pikërisht në këtë rrëfim, Basha nxjerr një emër të ri negociatori për teatrin: ai është Gjergj Bojaxhi.

Rrëfen Basha:

“Me organizimin e takimit do të merrej Alert Çeloaliaj me Arben Derhemin; Ideja ishte që të vazhdonte dialogu. Alerti kërkoi kohë që të mblidhej kryesia e SASE-s dhe të zgjidhnin se kë do të kishin përfaqësues. Pasdite, Arben Derhemi më njofton se në takim do të shkonim unë, Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Alert Çeloaliaj. Ndërkohë Gjergj Bojaxhi, në emër të Aleancës më thotë se duhet futur në negociata një pikë tjetër, që ishte konkursi ndërkombëtar.”

Me të drejtë gazetarja Mile e pyet: “Konkurs ndërkombëtar, për çfarë?” ndërsa pas kësaj regjisori Basha nis e zbërdhen çdo komunikim me personazhin që del për herë të parë në skenë: Bojaxhiun.

“Jemi takuar me Gjergj Bojaxhi për të sqaruar këtë pikë, se çfarë parashikonte konkursi ndërkombëtar. Konkursi ishte i hapur për të gjitha alternativat: rikonstruksion; shembje dhe ringritje nga e para në formën që ka; konkurs për një projekt të ri; për një sallë në mes, duke ruajtur dhe dy anët ekzistuese. Konkursi e fuste në shinat e duhura dhe legale gjithë dialogun dhe ishte një ide e pranueshme për Aleancën”, tregon më tej Basha.

Gazeta “Panorama”, 13 korrik 2018

Ky rrëfim i Altin Bashës dhe pretendimi se Gjergj Bojaxhi kishte propozuar një konkurs ndërkombëtar, ku mbetej i hapur dhe opsioni i shembjes së Teatrit, është tepër interesant.

Së pari, për për faktin se Bojaxhi është shfaqur (bashkë me disa bashkëpunëtorë) si flamurtar për mbrojtjen e Teatrit, anulimin e projektit të kullave.

Por propozimi konkret që ka bërë Bojaxhi, e përfshin opsionin e shembjes së Teatrit.

Në këto kushte lind natyrshëm pyetja: Kush ja dha Bojaxhiut këtë opsion? Cilat ishin shtysat që e çuan atë të propozonte një konkurs ndërkombëtar që parashikonte dhe shembjen e Teatrit?

Ndonëse nuk mund të thuhet me siguri, se për llogari të kujt e bëri zoti Bojaxhi këtë propozim, rrethanat e zotit Bojaxhi janë tepër interesante dhe mund të jenë një orientim i mirë.

Gjergj Bojaxhi është një oligark i hidrokarbureve dhe kompania e tij e naftës është një ndër kompanitë logjistike me fitimet më të mëdha në Shqipëri.

Në këtë Shqipërinë e ngatërruar, ku ndërsimi ndaj qeverisë të rrezikon edhe sikur të kesh në pronësi një kioskë, Gjergj Bojaxhi pretendon se do bëjë oponencë duke pasur një aktivitet tregtar të rëndësishëm si kompania ‘Everest Oil’.

Është tepër interesante se si ky oligark nafte shfaqet në publik si i shqetësuar për mbrojtjen e Teatrit, ndërsa punët me kompaninë e naftës nuk duket se po i shkojnë keq.

Dy vite më parë zoti Bojaxhi u hetua nga policia e Saimir Tahirit për pastrim parash me kompani offshore dhe disa kohë ra në qetësi. Punët po i shkojnë sërish mirë.

Zoti Bojaxhi është pjesë e forumit ‘Për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore’ së bashku me Artan Lamen dhe Artan Shkrelin, dy drejtorë të Rilindjes, me të cilët Bojaxhi zgjedh shpesh të kalojë dhe fundjavat.

Ndaj dhe propozimi i tij për konkurs ndërkombëtar për teatrin, nuk është se mund të çudisë ndokënd, punët e naftës janë të ngatërruara, ndonjëherë duhet të bësh dhe korrierin te Teatri. / Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto