Templates by BIGtheme NET

Në vend të një bisede me Komisionerin Hahn

Nga Oerd Bylykbashi

Komisioneri Hahn tha sot se vetingu po ecte mirë, por tha edhe se do te ishte dizaster, nëse, për shkak të vettingut, shqiptaret të mbeteshin pa gjyqtarë. Une nuk pata rastin ta takoj, po disa gjera po i them këtu.

Ka të drejtë, dizaster ‎epokal është! Dhe, në fakt, po ndodh! Nuk është hipotetik.

Sot nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, por vetëm një anëtar të saj nga nëntë që duhet të kishte.

Sot nuk kemi Gjykatë të Lartë, por vetëm 7 anëtarë nga 19 që duhet të kishte. Deri në fundjavë nuk është çudi të mbeten vetëm 5.

Në fakt gjërat duhen parë të lidhura në sistem se jo më kot quhet Sistem Drejtësie.‎

Vettingu nuk është reformë, sepse vettingu vetëm spastron. Në teori heq pjesën e keqe apo të sëmurë. Por nuk është reformë, sepse krijon gropë në sistem, nuk ndërton sistem të ri.

Nëse boshllëku që krijon vettingu plotësohet me avokatë që kanë bërë sekserin e korrupsionit, ish hetues, prokurorë e gjyqtarë të komunizmit, që u hoqën dikur, sepse kishin dënuar me burgim për politikë, apo juristë pa eksperiencë, vettingu nuk ka bërë asnjë punë!

Aq më keq, nëse boshllëku që krijohet mbushet me gjyqtarë e prokurorë që do Rama, që i binden dhe i betohen atij se do t’ia shpërblejnë nderin, duke mbyllur në te ardhmen çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku janë përfshire vetë Rama dhe ministrat e tij.‎

Vettingut duhet t’ia vemë më pas fajin për kapjen politike të Drejtësisë?

Sigurisht jo! Përgjegjës është Rama që po e përdor si thikë, si dhe ata që mbrojtën kapjen politike nga Rama.

Komisioneri Hahn tha se i duhet hapur rruga ndryshimeve të ligjit për Shkollën e Magjistraturë‎s që të zgjidhet ngërçi.

Përsëri e kanë gënjyer!

Rregjistrimi në shkolle i studentëve të rinj nuk është reformë, është rutinë dhe nuk zgjidh gabimet apo fajet e rënda konceptuale të reformës.

Boshllëku, që Komisioneri e quajti dizaster, nuk mund të mbushet dot nga rekrutimi i studentëve.

Duhen tre vite që ata që do te rekrutohen të mund të quhen gjyqtarë e prokurorë, por do të jenë pa eksperiencë. E vetmja eksperiencë do të jetë ajo që do t’i japë linja politike që kontrollon sot Magjistraturën.

Komisioneri u çudit se pse duhet të miratohet me 3/5 një ligj për një shkollë, qoftë kjo e Magjistraturës.

Ka shumë të drejtë të habitet.

Para dy vitesh duhej shumice e thjeshte. Por ata që e genjyen nuk i thonë kurrë të vërtetën‎.

Opozita e kundershtoi që Shkolla e Magjistraturës të futej në Kushtetutë, sepse nuk është organ kushtetues dhe nëse do të lindte nevoja për ndryshime, do të bllokohej meqë do të nevojiteshin 3/5.

Por ustallarët e lartë të reformës së Ramës pikërisht këtë donin.

Pasi Rama kapi edhe Shkollën e Magjistraturës, e futi në Kushtetutë vetëm e vetëm që çdo ndryshim më pas të ishte i pamundur pa votën e tij.

Pra sa kohë do ta kontrollonte, do të bllokonte me minorancë bllokuese siç bënte atëherë kur ishte në opozitë.‎

Askush nuk i’a shpjegoi Komisionerit që ky ishte një instrument kapjeje.

Komisioner, më parë ishte ligj i thjeshtë dhe opozita ashtu donte të mbetej. Po të mos donte Rama të çimentonte kapjen e sistemit, sot nuk do të çuditeshe.

Duhet t’u kerkosh llogari edhe atyre që këshilluan ustallarët e Ramës!

Por më e rëndesishmja është që as vettingu dhe as regjistrimi i studentëve të ardhshëm nuk janë reformë.

Vettingu është si kemioterapi që ndoshta të shpëton.

Regjistrimi i studentëve në magjistraturë është rutinë që ka 20 vjet që ndodh.

Reformë do të thotë të ngresh institucionet e reja ‎të drejtësisë që do të zëvendësojnë të vjetrat.

KLD është drejt fundit, por KLGJ dhe KLP që do ta zëvendesojnë as që duken në horizont.

Janë bllokuar, sepse 6 gjyqtarët dhe 6 prokurorët që duhen emeruar, nuk dihet kur do të zgjidhen! Gjithmonë, nëse vetingu do të lerë ndonjë në këmbë.

Pa u ngritur KLGJ dhe KLP nuk emërohen dot gjykata e posaçme antikorrupsion, SPAK dhe BKH.

Pra Rama dhe ministrat do të vazhdojnë të livadhisin. Pa KLGj e KLP as ata magjistratët e rinj nuk emërohen dot, siç thotë Kushtetuta e 2016.

Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese.

Nuk kemi Gjykatë të Lartë.

Nuk kemi Prokuror të Përgjithshëm, siç kërkon Kushtetuta.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është paralizuar nga vettingu dhe pa të nuk kemi kandidatë për në Gjykatë Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë që do të hetojë shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pra nuk kemi asnjë kolonë të sistemit të drejtesisë. Nuk kemi Sistem Drejtësie dhe nuk dihet për sa kohë nuk do ta kemi.

Ta quash këtë dizaster si progres të reformës në drejtësi siç thotë Rama, është fiks si përralla e Mbretit Lakuriq. E për këte nuk e ka fajin thika e mprehtë e vettingut, por dora vrasëse e Kryeministrit, që e përdor atë thikë për të kapur pushtetin gjyqësor e ta përdorë këtë pushtet si imunitet për paudhesitë e tij.

Zoti Komisioner, ju kujtohet paragrafi i famshëm 88 i Komisionit të Venecias? Për atë luftoi Opozita në 2016, sepse pengonte kapjen politike të Drejtësise. Këtë e mbeshtetët edhe ju dhe znj. Nuland. Kjo çoi në marrëveshjen për Kushtetutën më 22 korrik 2016.

Sot reforma‎ në drejtësi ka dalë nga të gjitha shinat dhe treni ka ngecur në zhavorr.

Zoti Komisioner, pa e rikthyer trenin në shinat e Kushtetutës, siç u vendos me konsensus, do të vazhdoni të habiteni!

 

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto