Templates by BIGtheme NET

Ç’PO NDODH ME TOP CHANNEL?  – Televizioni akuzon drejtorët e vet në gjykatë

Një gjyq ndërmjet televizionit Top Channel dhe një kompanie furnitore, ka zbuluar një detaj të pazakontë, televizioni Top Channel ka akuzuar tre drejtues të vet për manipulim faturash dhe shpërdorim detyre.

Gjyqin me kompaninë furnitore, Hashtag.al e ka raportuar dhe më herët (lexoje këtu), por duket se televizioni për të shmangur përgjegjësinë e pagesave të prapambetura, ka zgjedhur të bëjë ‘kokë turku’ tre drejtuesit teknikë, ndërmjet të cilëve Bashkim Meminaj dhe Redi Neziri.

Në kërkesën që Top Channel ka dërguar në gjykatë, me qëllim bllokimin e veprimeve përmbarimore, shkruhet se këta tre drejtues kanë firmosur fatura tatimore jashtë kompetencave të tyre dhe për këtë arsye Top-Channel refuzon të njohë detyrimet ndaj kompanisë furnitore.

Top Channel nuk ka ngritur padi penale ndaj punonjësve të saj, por përmendja e tyre zyrtarisht si persona që kanë firmosur fatura tatimore jashtë kompetencave, i vendos automatikisht para përgjegjësisë ligjore (nëse është e vërtetë).   

Ç’po ndodh?

Ndonëse ka akuzuar tre drejtuesit e vet teknik, Top Channel duket se e ka si pretekst akuzën ndaj tyre për të ndalur pagesat ndaj furnitorëve.

Por sajimi i skemave dhe justifikimeve të tilla në gjykatë, nuk shpalos vetëm problemet financiare të këtij televizioni, por shpalos mbi të gjitha degradimin e frymës së stafit dhe goditjes së drejtuesve kyç, apo dhe largimit nga puna të personazheve kyçe të këtij televizioni.

Gjyqi për pronësinë e televizionit dhe më pas gjyqet me furnitorët, janë sot çështja më delikate që po trajtohet në gjyqësorin shqiptar.

Institucioni i gjyqësorit nga ana tjetër është përfshirë në një seri skandalesh me gjyqin e aksioneve të këtij televizioni, palët janë kompromentuar, ndërsa një luftë shtrigash ka nisur për të vënë gjyqtarët nën kontroll.

Vetëm pak kohë më parë Drejtori i Përgjithshëm i TCH, Ben Blushi, u filmua në një takim informal me gjyqtarin Dvorani, një ditë para seancës gjyqësore, por kjo është vetëm pjesa e dukshme e një historie më të komplikuar që po luhet nën rrogoz.

Një burim i mirëinformuar i tha Hashtag.al, se në rrethet e gjyqtarëve është lakuar shpesh emri i zotit Ëngjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, si një zyrtar që mund të ketë influencuar gjyqtarët në favor të zonjës Vjollca Hoxha.

Vettingu po qëndron si ‘shpata e Demokleut’ mbi kokën e gjyqtarëve, ndërsa zoti Agaçi dyshohet se ka një kontroll të fortë në disa prej organeve që merren me zbatimin e vettingut.

Nga ana tjetër, emërimi i Ben Blushit si Drejtor i Përgjithshëm po shihet si një emërim nën garancitë e biznesmenit Samir Mane, ky i fundit dyshohet se ka kontribuar muajt e fundit me fonde televizionin e gjendur në vështirësi. Më herët dyshohej se Blushi mund të ishte një influencë e Bechettit.

Nga ana tjetër duket se vështirësitë financiare dhe gjyqet po shkaktojnë dy efekte paralele.

Së pari po degradojnë strukturën dhe frymën e stafit të këtij televizioni dhe po e zhysin në borxhe.

Kjo situatë amullie dhe borxhesh, pritet të sjellë efektet vijuese në varësi të vendimit të gjykatës, ku palët që po e ndihmojnë sot financiarisht dhe politikisht zonjën Hoxha, presin që ajo të fitojë gjyqin, për t’i kërkuar më pas në këmbim kthimin e borxheve, e nëse Vjollca Hoxha nuk do i ketë paratë që u detyrohet, atëherë kontribuesit e sotëm, me gjasë do ia marrin borxhin në formë aksionesh, duke u bërë pronarët e nesërm të këtij televizioni.

Një skenar tepër i mundshëm, por vetëm në rastin kur zonja Hoxha e fiton gjyqin e pronësisë. /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto