Templates by BIGtheme NET

Kosova vendos tarifa doganore për Maqedoninë

Qeveria e Kosovës sot ka informuar ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, se ka vendosur një doganë prej 30 për qind për importet e produkteve bujqësore, si një masë e cila synon të mbrojë bujqit kosovarë.

Pas një takimi të realizuar sot në Shkup me ministrin për Zhvillim Rajonal të Kosovës, Rasim Demiri, Bekteshi tha se masat nuk paraqesin ndonjë luftë tregtare mes dy vendeve pasi të njëjtat nuk kanë të bëjnë vetëm me Maqedoninë, por me të gjitha shtetet të cilat eksportojnë produkte bujqësore në Kosovë.

Ministri Bekteshi tha se së shpejti do të komunikojë me anëtaret e CEFTA-s dhe me Sekretariatin e kësaj organizate në mënyrë që të analizohen ndikimet që kjo masë mund të ketë mbi ekonominë e Maqedonisë.

“Duhet të ulemi me palën kosovare dhe t’i analizojmë të gjitha mundësitë për mbrojtje të prodhuesve në Republikën e Maqedonisë dhe atë të Kosovës, por edhe tregtarët e të dyja vendeve që merren me tregtimin e këtyre produkteve. Sot do të takoj ministrin e Bujqësisë së Maqedonisë dhe drejtorin e Doganave ku do të bëjmë analizat për ndikimin e masave, dhe në ditët në vijim do të dalim në opinion”, tha Bekteshi.

Ministri për Zhvillim Rajonal të Kosovës, Rasim Demiri, u tha gazetarëve se vendimi i Qeverisë së Kosovës, nuk i është drejtuar vetëm Maqedonisë prandaj nuk pret masa reciproke si në rastin me Bosnjë e Hercegovinën, sepse doganat e zbatuara synojnë ekskluzivisht mbrojtjen e bujkut kosovar.

Vendimi i qeverisë është analizuar mirë, tha Demiri, për të shtuar se para vendosjes në zbatim, është menduar hollësisht nëse vallë do të jetë një vendim i drejtë.

“Ky vendim gjithsesi do të jetë në të mirën e prodhuesve tanë dhe se do të kenë një ndikim të përgjithshëm pozitiv, prandaj dëshiroj të përsëris se nuk ka asgjë të bëjë vetëm me Maqedoninë, por vetëm mbrojtjen e prodhuesve tanë”, tha ministri Demiri.

Në takimin e realizuar, siç tha ministri Bekteshi, dy ministrat kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe për aplikimin e përbashkët në fondet ndërkombëtare të cilat do të hapnin vende të reja pune.

Për sa i përket avancimit të bashkëpunimit tregtar, ministri kosovar Demiri, tha se vendi i tij tashmë ka dëshmuar një përkushtim, i cili më së miri manifestohet përmes ndërtimit infrastrukturor, siç është autostrada Prishtinë-Shkup, duke shpresuar se mbledhja e përbashkët e dy qeverive që pritet të mbahet së shpejti do të rezultojë me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi në këtë drejtim.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto