Templates by BIGtheme NET

“Fusha” kryeson listën e bizneseve, që kanë fituar kontrata nga Bashkitë në periudhën 2017-2018

Open Data Albania po hulumton mbi Renditjen e Bizneseve Kontraktore me Njësi të Qeverisjes Vendore, sipas vlerës së kontratave të fituara në prokurime publike.

Renditja shfaq 50 subjekte ekonomike, të cilat në tre vitet e fundit kanë marrë vlerën më të lartë të tenderave nga Bashkitë. Të dhënat përkojnë me tërësinë e kontratave të dala nga procesi i prokurimit publik për periudhën Korrik 2015 – Korrik 2018. Tabela me vlera renditëse gjenerohet si pjesë e sistemit të të dhënave në databazën Open Procurement Albania.

Në këtë databazë janë ruajtur dhe mirëstrukturuar informacione për çdo procedurë tenderimi të realizuar nga Bashkitë apo institucione dhe ndërmarrje në vartësi të tyre, nga korriku 2015 dhe në vijim. Në korrik të 2015 filloi funksionimi i gjashtëdhjetë e një bashkive sipas ndarjes së re territoriale dhe administrative. Sistemi mundëson informacion  të tenderave të çdo bashkie apo institucioni nën vartësi, dhe listën e tenderave sipas llojit të kontratës.

Filtrat e kërkimit në databazë bëjnë të mundur edhe listimin e tenderave sipas operatorit fitues, vlerës së kontratës apo numrit të operatorëve pjesëmarrës në garë.

Në këtë hark kohorë korrik 2015 – korrik 2018, operatorët apo  bizneset me vlerë më të lartë të kontratave të fituara  në tenderime nga bashkitë janë operatorët: FUSHA shpk; G. P. G COMPANY SHPK; SALILLARI SHPK; ALKO-IMPEX GENERAL Constuction shpk; Vëllezrit Hysa shpk, Victoria Invest shpk  etj. Një vizualizim mbi renditjen sipas vlerave e gjeni në faqen e parë të Open Procurement Albania për njësi të Qeverisjes Vendore. Ky vizualizim gjenerohet çdo ditë sipas vlerave të kontratave të saposhpallura.

Artikulli që po publikojmë përkon me të dhëna deri në datën 20 korrik 2018.

Renditja kryesohet nga Fusha shpk, një shoqëri e cila në tenderat ku ka konkurruar si e vetme dhe jo në bashkim operatorësh me një shoqëri tjetër, shënon 36 raste (kontrata fillestare dhe shtesa) ku është njoftuar fituese.

Vlera të ofertave të saj, si oferta të shpallura fituese është tre pikë shtatëdhjetë e tetë miliard lekë (3 782 488 740 lekë). Kontratat e saj kjo shoqëri biznesi i ka fituar në tenderime të 3 Bashki të ndryshme. Konkretisht me bashki Vorë janë gjashtë kontrata; me Bashkinë Tiranë janë njëzet e tetë kontrata dhe Bashkinë Roskovec dy kontrata.

Fusha shpk na shfaqet e suksesshme edhe në rastet kur ka konkurruar si bashkim operatorësh me subjekte të tjera. Rasti kur dy operator paraqiten si një ofertues në tender.

Firma Fusha shpk ka bashkëpunuar dhe fituar tendera në bashkëpunim me të paktën dhjetë shoqëri të tjera biznesi. Në rastin e këtyre kontratave nuk kemi të qartë vlerën e kontratës që kontraktohet drejtpërdrejt tek kjo shoqëri.

Subjekte biznesi që kanë funksionuar si operator (ofertues) në bashkëpunim me shoqërinë Fusha shpk janë : Alba Konstruction shpk; Gjoka Konstruction; ED Konstruksion; Hostoci Shpk; Besta shpk; Everest Shpk; Colombo shpk; Totila; ArkonStudion; Green Farm.

Një pasaportë me të dhëna të kësaj shoqërie dhe profilin e saj si kontraktor në tendera me njësi të qeverisjes vendore, ju mund ta gjeni tek portali për Shoqëri Biznesi (link këtu pasaportën e Fusha shpk).

Vendi i dytë pasohet në renditje nga shoqëria G.P.G Company shpk. Kjo shoqëri ka njëzet e dy kontrata ku është njoftuar fituese (pa bashkim operatorësh apo bashkëpunim me shoqëri të tjera) me një vlerë kontrate (oferte) pa TVSH prej një pikë shtatëdhjetë e shtatë miliard lekë  (1 769 315 155 Lekë).

Numri i bashkive ku G.P.G Company ka fituar kontrata është 14 dhe bashkitë janë Kukës; Mirditë; Tiranë; Kavajë; Peqin; Korçë; Tepelenë; Libohovë; Delvinë; Finiq dhe Konispol. Shoqëria ka fituar edhe kontrata të tjera por ato si pjesë e bashkimit të operatorëve.

Bashkim operatorësh është rasti kur dy apo më shumë kompani kanë marrëveshje dhe konkurrojnë si një ofertues i vetëm. Shoqëritë me të cilat ka bashkëpunuar G.P.G Company janë Modeste shpk; B93 shpk; AD-Star shpk; Leon Konstruksion; Boshnjaku; Everest; R.S & M shpk; Xhimo & Kleo shpk etj. Kjo shoqëri është themeluar në vitin 1996. 

Salillari është numri tre në renditjen BIG sipas vlerave të kontratave të fituara tenderime me Bashki. Kjo shoqëri ka fituar si subjekt pa bashkëpunime me subjekte ekonomike të tjera, një numër prej 19 kontratash të cilat kanë vlerë pa TVSH prej  një pikë pesëdhjetë e shtatë miliard Lekë (1 570 604 436 Lekë).

Subjekti ka kontrata të fituara me tetë bashki e konkretisht: Bashkia Vorë katër kontrata; Bashkia Tiranë gjashtë kontrata; Bashkia Rrogozhinë një kontratë; Bashkia Maliq një kontratë; Bashkia Fier një; Bashkia Kuçovë një kontratë dhe Bashkia Himarë dy kontrata. Shoqëria Salillari ka fituar kontrata edhe në bashkëpunim me subjekte të tjera ekonomike duke konkurruar me një ofertë te vetme si një operator i caktuar. Këto bashkëpunime janë me shoqëritë Vashtemia; Rosi: Buldings Construction etj.

Shoqëria që mban vendin e katërt është ALKO-IMPEX General Construction me një vlerë kontratash pa TVSH prej një pikë dyzet e pesë miliard lekë (1 458 696 237 Lekë). Kjo shoqëri ka 25 kontrata me 7 bashki të ndryshme. Në vendin e pestë renditet shoqëria Vëllezrit Hysa me një vlerë kontratash pa TVSH prej një pikë tridhjetë e katër miliard lekë (1 340 306 952 Lekë).

Këto kontrata janë lidhur me 8 njësi të ndryshme të qeverisjes vendore. Edhe shoqëria Vëllezërit Hysa ka një numër të madh kontratash të fituara duke marrë pjesë në tender si bashkim operatorësh me shoqëri të tjera biznesi. Pasaporta e kësaj shoqërie në portalin për Shoqëri Biznesi ka më shumë informacion pozicionin e saj si kontraktor pranë njësive të qeverisjes vendore.

Lista e 50 shoqërive të renditura me sipas vlerës së kontratave me Bashki është e afishuar në faqen e parë të portalit

Databaza për Prokurime Transparente është ndërtuar si një instrument watchdog për transparencë me tendera dhe kontrata të njësive të qeverisjes vendore. Ajo funksionon sipas parimeve dhe standarteve për Open Cotracting Partnership. Databaza mirëmbahet nga një ekip pune pranë organizatës joqeveritare AIS. Të dhënat janë të hapura, të lehta për tu gjetur, përdorur dhe ripërdorur pa kufizime.

Burim informacioni për databazën janë publikimet qeveritare si: Faqe zyrtare e Agjencisë së Prokurimeve Publike APP, seksionet Njoftime, Regjistër Parashikimesh dhe Realizimesh; Buletini i Njoftimeve Publike, publikim javor me të dhëna për prokurimet dhe procedurat publike; Web i Komisionit të Prokurimit Publik KPP; Publikime në faqen e Ministrisë së Financave mbi Transaksione Thesari; dhe të dhëna nga Qendra Kombëtare e Biznesit. 

VINI RE: Ky material është pronësi intlektuale e Open.data.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto