Templates by BIGtheme NET

Të vrasësh Gjyshin

Nga Arb Elo

Ruajtja a jo e teatrit nuk është çështje arkitektësh; ajo është çështje qytetare.

Madje diskutimi në këtë formë e zhvendos vëmendjen nga ajo që po ndodh realisht: vjedhja e pronës publike (truallit) për qëllime korruptive.

Truket që përdoren në këtë fushatë janë si të natyrës profesionale, të cilat publiku i paspecializuar nuk para i kupton dhe nuk ka as pse, si të natyrës mediatike, e jo së fundmi të asaj patetike.

Po i marr me radhë:

Truku profesional nis me »projektin« për teatrin e ri.

Derimë tani shihen në media vetëm vizualizime (renderime) të objektit e një skicë për vëllimet e objektit të ri, punë këto që mund t’i kryejë edhe një student arkitekture me një program vizualizimi 3D për një javë, të themi.

Por ky nuk është ky thelbi: truku këtu konsiston në gjymtimin që ka ndodhur pa nisur ende projekti. Trualli është ndarë qysh më parë dhe i vetmi kusht për të planifikuar »teatrin e ri« ka qenë ngjeshja sa më e mundur e tij në pjesën e përparme të truallit, për të gllabëruar sa më shumë të jetë e mundur nga ky.

Me të ndodhur kjo është e kotë të vazhdohet të flitet për objektin e ri dhe arkitekturën e këtij, aq më tepër kur bëhet fjalë për kartolina me ngjyra ku mungojnë (qëllimisht) hijet kërcënuese të kullave 20 a më shumë kate ngjitur me të.

Tha Ministrja Kumbaro e Kulturës për teatrin, mes të tjerash:

(…) në vlerësimin e Institutit të Ndërtimit, të bërë në fillim të këtij viti, theksohet se: Përtej ARKITEKTURËS, QË ËSHTË JASHTË TË GJITHA NORMAVE, përtej strukturës, që bën të pavlefshme çdo ndërhyrje (…)

Natyrisht që fjalia që kam shkruar me të shkronja të mëdha është një broçkull e padëgjuar dhe tregon më së pari injorancën e kujt është shprehur kësisoj për arkitekturën si të tillë.

Në njëfarë mënyre ajo ngërthen edhe problematikën e prishjes a jo të teatrit, një dilemë e shtruar dhe kjo së prapthi, pasi ajo duhej të ishte: ruajtjes a jo të tij.

Të thuash se arkitektura qenkësh jashtë normave është si të thuash se një roman qenkësh jashtë normave; kësaj i thonë jo vetëm të mos thuash asgjë, por të flasësh kodra pas bregut.

Ashtu si letërsia, bie fjala, është art i fjalës, arkitektura është art i ndërtimit ose: art i organizimit të hapësirës. Dhe jo vetëm kaq, natyrisht. Ndaj ajo nuk ka se si të ketë NORMA.

Mirëpo nëse i qasesh kaq jangllësh kësaj teme qysh pa nisur akoma argumentimin, gjithçka vjen më pas do të jetë pa lidhje.

Dhe ashtu është: Kumbaro ngatërron muret perimetrale prej pupuliti me arkitekturën, ngatërron strukturën me konstruksionin e me radhë, për të dalë natyrisht te kostot që qenkëshin shumëfish më të larta, nëse objekti do të ruhej.

Edhe ky një budallallëk me okë, pasi për të folur për kostot e një objekti të ri më së pari duhen bërë publike planet e këtij e kjo nuk bëhet me vizualizime nga perspektiva e zogjve.

Ka fort të ngjarë që shpenzimet për objektin e ri t’i kalojnë njëzetfish a më shumë kostot për ruajtjen e të vjetrit. Me gjasë në llogaritjet diabolike të kësaj natyre përfshihen edhe kostot e truallit, e kjo pastaj jepet si argument, si diçka e dhënë, si fakt.

Por natyrisht që çdo arkitekt e di se këto të dhëna janë të manipulueshme lehtë; mjafton të shihen për këtë tejkalimet e vazhdueshme të buxhetit fillestar nga “yjet” e arkitekturës botërore për ta kuptuar këtë.

Filarmonia e re në Hamburg, sa për të marrë një shembull, kushtoi 11,24 herë më shumë se 77 milionë eurot, që ishte shuma e planifikuar.

Sidoqoftë, Kumbaro ngatërron objektin me subjektin e këtij dhe ky i fundit nuk gjendet as në mure, as në bazamente e as në shifra.

Për ta thjeshtuar disi bisedën për miqtë që nuk janë të fushës, po marr një shembull vulgar: kemi një sëpatë të vjetër që ka qenë e prindërve në shtëpi e tehu i saj nuk pret më mirë, apo bishti i është krisur.

Nëse i ndërrojmë bishtin sëpatës me një të ri, ia mprehim tehun, e përdorim kështu për disa breza, pastaj në një kohë tjetër, i blejmë një teh të ri, ngrihet pyetja: a është kjo po ajo sëpatë e vjetër?

Ndërsa truku mediatik ndodh kur profesionistët e një fushe tjetër, të aktrimit, fjala vjen, binden nga argumentet që sillen nga një tjetër profesion, të cilin nuk kanë se si e pse ta kuptojnë, ndërkohë që specialistët e ndërtimit të qeverisë nisin e flasin për të tjera fusha, si arkitektura apo kultura, fjala vjen.

Nuk mund të mungojë këtu patetika e rëndomtë, nganjëherë morbide, e tabloidëve tanë dhe vetëm e tyre, parë që medie serioze mungojnë ose numërohen me gishta, e llojit:

Kadri Roshi ëndërronte për një teatër të ri… Aktori i madh Robert Ndrenika tha: ju bëj të ditur se nuk jam Jezu Krishti, bile as Barabai… apo: Luftar Paja për teatrin, etj.

Për fat të keq kësaj patetike nuk i shpëtojnë as kundërshtarët e prishjes së teatrit: Lulzim Basha kërcënon arkitektin si persona non grata në mëmëdheun nga i cili po largohen përditë me mijëra, një arkitekt garanton me jetën e tij, një aktor bën thirrje për luftë se e ka pasur të atin oficer e të tilla emocione të panevojshme për audiencën.

E megjithatë: Argumentimi i atyre që duan të shembin teatrin – nënkupto: duan të zhvasin truallin e tij për arsye përfitimi – mund të krahasohej fare mirë me:

Vrasjen e gjyshit për të lindur një fëmijë.

Një teatër i ri mund të ndërtohej kudo: mirëpo ç’lidhje ka kjo me ruajtjen e të vjetrit? Pse duhen vënë përkundër ngritja e një objekti të ri dhe shembja e një tjetri të vjetër?

Pse duhet vrarë gjyshi pra, për të lindur një nip?

Këtë vetëm Rilindja e di. Dhe mafia e ndërtimeve.

VINI RE: Ky shkrim është konceptuar enkas për Hashtag.al.

 

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto