Templates by BIGtheme NET

Të përçudnosh qendrën

Nga Arb Elo

Debati për teatrin po zhvendoset qëllimisht nga ata që janë për prishjen e tij në detaje që synojnë të kamuflojnë përçudnimin që do t’i ndodhte qendrës së Tiranës nga kullat që janë pjesë e këtij plani e për të cilat flitet aq pak, ndërkohë që e gjithë mësymja në truallin e teatrit bëhet pikërisht për ngritjen e tyre.

»… jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, në truallin e tij dhe pa cenuar asnjë centimetër të kësaj prone.« – shkruajnë një grup artistësh në peticionin e tyre drejtuar presidentit Meta.

Lind këtu pyetja: pse duhet ndërtuar atëherë teatri i ri pikërisht aty?

Dhe kjo pyetje nuk ka përgjigje, sepse arsyeja është e thjeshtë: për të ngritur kullat po aty, që janë pjesa e luanit në investim, ndërkohë që teatri i vjetër duhet prishur vetëm për shkak të planimetrisë së vet të zgjatur, e cila bëhet pengesë për zhvatjen e truallit.

Natyrisht që me paratë që do të hidheshin për të ndërtuar teatrin e ri mund të restaurohej me të gjithë parametrat modernë i vjetri, mund t’i shtoheshin këtij ambiente deri edhe nëntokësorë: opsionet këtu janë të shumta, mirëpo çështja nuk shtrohet fare në mënyrë të tillë për zgjidhje, pasi, si ç’shkrova, tjetërkund fle lepuri.

Mjaft të shohësh fotografinë që kam postuar në krye e të përfytyrosh se ç’do t’i ndodhte qendrës së Tiranës, nëse në zonën e shenjuar me të kuqe do të ngriheshin kulla 20 katëshe.

Nuk e di në i kanë mashtruar, i kanë blerë apo i kanë kërcënuar (mbase me ndonjë dosje) ata aktorë që paskan nënshkruar këtë peticion të turpshëm, mirëpo ndërsa teatri në njëfarë mënyre mund të ishte deri diku kauza e tyre, shkatërrimi i qendrës është çështje qytetare dhe tregues i qartë i brutalizmit dhe babëzisë së atyre që po na qeverisin ne e të kaluarën tonë.

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto