Templates by BIGtheme NET

Pse vendimi i Metës ka rëndësi, edhe pse nuk e shpëton teatrin

Vendimi i sotëm i presidentit Meta për kthimin e ligjit të teatrit, nuk do të thotë se Teatri Kombëtar do i shpëtojë prishjes, duke qenë se sipas Kushtetutës, presidenti ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë dhe dekreti i tij e humbet fuqinë pas rivotimit në Kuvend nga shumica e deputetëve.

Pas kësaj, nëse ligji rivotohet në Kuvend, atëherë hyn në fuqi automatikisht, duke i hapur rrugën prishjes së Teatrit Kombëtar.

Çfarë thotë neni 85 i Kushtetutës

  • Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë.

  • Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Megjithatë vendimi i tij është i rëndësishëm për disa arsye të cilat do i shpjegojmë më poshtë një e nga një

-Kemi një institucion mbi palët që arsyeton duke garantuar deri në fund Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

-Tregon se institucioni i Presidencës ka shfaqur pavarësi totale nga Kryeministria, pra kemi një institucion që funksionon, që korrigjon Kryeministrin kur ndërmerr iniciativa. Një institucion që bën mirë kontrollin e tij.

-Tregon se zëri i protestës në Shqipëri (në këtë rast protesta e pandalur kundër shembjes së Teatrit Kombëtar) ka patur një bazë të arsyeshme, duke konverguar me vendimin e garantuesit të kushtetutës-Presidentit.

-Mbrojtja e pronës publike ka arritur një tjetër nivel ndërgjegjësimi qytetar por edhe reagim institucional, që këto iniciativa të kujtdo që drejton qeverinë tashmë duhen ndalur-nuk është parë në rastin e PPP-ve për hidrocentralet, hemodializën, checkup-in etj (Rasti i revoltës për tarifën Durrës-Kukës është krejt ndryshe sepse prekej xhepi drejtpërdrejt).

-Shqiptarëve nuk u ka humbur nervi i reagimit për një çështje që garantuesi i Kushtetutës, kreu më i lartë i shtetit e quan të drejtë: hedhjen në kosh të këtij ligji.

Çfarë tregon argumentimi që bën kreu i shtetit?

  1. Institucioni më i lartë i shtetit tregon zyrtarisht se ligji është antikushtetues. Pikë. Ky konkluzion i argumentuar hedh poshtë çdo fjali konstatuese të kryeministrit apo kryebashkiakut se ligji është i drejtë.
  2. Në Shqipëri kryeministri i pari shkel parimin e barazisë para ligjit.
  1. Sistemi është kthyer në një moment kur me ligje të rrezikshme vihet në pikëpyetje garancia juridike në Republikën e Shqipërisë. Një qytetar në Shqipëri ndesh nëpërmjet këtij precedent, pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave private të gëzimit të pronës por edhe gëzimit të pronës publike.
  2. Tregon se mungesa e Gjykatës Kushtetuese po kthehet në rrezik. Mungesa e saj krijon terren për miratimin e çdo ligji të tillë antikushtetues.  /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto