Templates by BIGtheme NET

Me një fjalë të vetme, kjo quhet diktaturë

Nga Ergys Mërtiri

Vajza e Roland Trebickës thotë se duhet një teater i ri, pastaj se si dhe ku, kjo është një çështje që i përket politikës për ta vendosur. Pra ne nuk kemi të drejtë t’i tregojmë Edi Ramës nëse duhet prishur apo jo teatri! Atë e di udhëheqja! Znj. Trebicka po na sugjeron që mbajtja e mëlçisë në qafë është kompetencë e ujkut dhe ne nuk na takon t’i ndërhyjmë!

E keni vënë re që të gjithë këta që e dredhin me pushtetin, mbajnë qendrime ekstremisht skrupuloze, deri në vetmohim, mbi hapësirën e kompetencave që iu ofron statusi i tyre? Janë bërë të gjithë ekspertë të promovimit të heshtjes publike dhe zgjerimit të hapësirës së moskompetencës abstenuese! Këta artistë po predikojnë sofizmin e ngushtimit ekstrem të hapësirës së tyre të gjykimit duke promovuar refuzimin e të drejtës për të dhënë një mendim përtej nevojës së tyre teknike për kushte më të mira pune!

Altin Basha dhe Bujar asgjeriu, por edhe shumë të tjerë më parë janë kujdesur të pohojnë se nuk janë arkitektë dhe iu takon ekspertëve të qeverisë të thonë nëse është e mundshme që godina rikonstruktohet. Genti Kame tha para disa ditesh që nuk mund të bëjë gjithologun për të folur për punë urbanistike, ndonëse i tha disa perla mbi nevojën që ky qytet të ketë kulla të larta. Gjithashtu edhe shumë aktorë të tjerë janë shprehur më parë se nuk është në të drejtën e tyre të gjykojnë nëse po bëhet apo jo korrupsion duke këmbyer teatrin me 6 kulla, pasi kjo është një çështje politike dhe politika nuk iu përket atyre.

Në fakt, pikërisht kjo gjuhë e drunjtë prej kodoshllëku diplomatik është mënyra më tipike e të qenit i zhytur kokë e këmbë në interesat e politikës. Politika kërkon pikërisht këtë, që artistët të ngushtojnë hapësirën e tyre mbi kompetencën e të folurit, në mënyrë që çështja ti mbetet ekspertëve të saj. Me këtë qeveria fiton të drejtën të bëjë çfarë t’i teket në këtë vend, pasi çdo paudhësi që bën, duhet të mbetet në diskutime teknike ekspertësh, që i detyron të gjithë të tjerët të mbesin abstenues.

Me këto pikëpamje ata sapo kanë shfyqizuar qytetarinë, si një instrument thelbësor për korrigjimin e politikëbërjes së një vendi demokratik. Madje ata shfuqizojnë edhe vetë demokracinë me këtë, pasi parimi i kompetencës shfuqizon të drejtën për të zgjedhur qeverinë me votë, nga gjithkush që nuk është politikan apo politolog. Debati mbi teatrin, në këtë rast mbetet të jetë një debat mes arkitektësh, në kullën e fildishtë të teknicienëve ku opinioni public nuk hyn dot dhe as që i takon të hyjë!

Me një fjalë të vetme kjo quhet DIKTATURË. Një sistem që përjashton publikun në emër të të drejtës së ekspertëve, është një teknokraturë që i përgjigjet më së miri sistemeve diktatoriale, madje edhe totalitare. Nga ky drejtim, mund të them se këta lloj artistësh bëjnë mirë që nuk flasin mbi thelbin e problemit dhe madje do të bënin edhe më mirë sikur të mos flisnin fare, as për pretendimet e tyre, brenda rrezes së ngushtë të kompetencës që i lejojnë vetes!

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto