Templates by BIGtheme NET

Media italiane: Projekti i teatrit nga sulltani Rama, për interesa të errëta

Për nga përkufizimi, teatri është art dhe kulturë, por kur bëhet fjalë për një godinë historike si Teatri Kombëtar në Tiranë, futen në lojë edhe rrethana të tjera si kujtesa e një epoke dhe identiteti i një populli.

Nëse pastaj bëhet fjalë për popullin shqiptar, që ka qenë përherë i lidhur me atë italian, atëherë kjo gjë kthehet në simbol dhe simbolet nuk mund të fshihen me një të rënë të lapsit të pushtetarit të radhës dhe në emër të interesave të errëta e të dyshimta.

I lindur në vitin 1938 si “rrethi italo-shqiptar”, i projektuar nga arkitekti-inxhinier Giulio Berte, ndërtesa në sheshin Skënderbej ku sot ndodhet Teatri Kombëtar ishte një nga ndërhyrjet e para urbanistrike italiane në Shqipëri, para se vendi të pushtohej nga fashistët në vitin 1939.

Parlamenti shqiptar i shtyrë nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, votoi një ligj special për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Në vend të tij është parashikuar të ngrihet një projekt i stararkitektit danez, i financuar nga biznesmenë privatë por i kritikuar ashpër nga artistët, opozita politike dhe qytetarët që nuk kanë ngurruar të zbresin në shesh prej kohësh për të mbrojtur një pjesë të kujtesës së tyre (dhe tonës) historike.

Godina në fjalë është ndërtuar me materiale të parafabrikuara në Milano: çimento e përzier me fibra plepi dhe alga deti, një prodhim me emrin tregtar “populit” dhe i përdorur gjerësisht deri në fund të viteve ’70 të shekullit të shkuar, sot nën akuzë. Për autoritetet shqiptare, është i papërdorshëm, i ndotur prej amiantit dhe sipas thënies së kryeministrit Rama “nuk ka as standartet e një teatri lokal”.

Në fakt një studim i Universitetit Politeknik të Barit në vitin 2008 nxirrte në pah vlerën domethënëse historike-dokumentare të godinës, për shkak të kërkimeve eksperimentale mbi këto materiale të kryera në periudhën autarkike por edhe për “karakterin arkitektonik dhe rolin urban të interesave të mëdha: një lloj ishulli, i larguar nga kuptimi i tij dhe që rezistoi në vitet ’90 edhe ndaj ndërtimeve spekulative”.

Është me të vërtetë e pakuptimtë që një shembull i arkitekturës industriale dhe i racionalizmit italian të përpara 1900-ës, rrezikon të shembet në vend që të restaurohet.

Ka kohë që qendra italiane e Tiranës po shuhet në emër të projekteve madhështore të sulltanit të ri, Rama, i besuari i biznesmenëve privatë të fuqishëm ekonomikisht.

Në vitin 2011 u shkatërrua kopshti i rënë i Giulio Berte (i vitit 1935), pastaj stadiumi monumental i projektuar nga Gherardo Bosio (1939-1941), i shkatërruar në themele në vitin 2017; tani Teatri Kombëtar, që i shpëtoi  Luftës së Dytë Botërore dhe diktaturës së gjatë komuniste, që do kishte pasur në fakt arsye ideologjike për ta rrafshuar.

“Në Tiranë, e shkuara nuk ekziston.” – perifrazonte Idro Montanelli, profet i trishtë i masakrës së ditëve të sotme. Në vend të Teatrit Kombëtar, projekti i ri i teatrit i ngjan formës qesharake të papijonit dhe do zërë vendin e Teatrit Kombëtar në qendër të kryeqytetit shqiptar.

Projekti që do kushtojë qindra milionë euro është kritikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga një rreth intelektualësh besnikë ndaj kulturës, që kanë ftuar qeverinë shqiptare të mos e hedhë firmën mbi kontratë, duke qenë se koncesioni është dhënë pa një analizë të qartë mbi kostot dhe përfitimet.

Presidenti i Republikës, Meta, e ka kthyer sërish në parlamentin ligjin special. Ndërkohë në vend vijojnë protestat edhe nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me anë të një peticioni në adresën “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” https://www.facebook.com/232465630646137/posts/prej-disa-dit%C3%ABsh-aleanca-p%C3%ABr/285405975352102/

Ajo që habit është moskokëçarja e plotë e qeverisë italiane, që do ketë një rol kyç ne futjen e vendit të vogël ballkanik në Bashkimin Evropian.

Kush shkatërron kujtesën dhe të shkuarën e tij është i dënuar me harresën dhe humbjen e së ardhmes. /Hashtag.al

*Për njohuri më të thella: “Tracce dell’architettura italiana in Albania. 1925-1943”, A. Vokshi, Universiteti i Firences 2012.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Corrierenazionale.net

 

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto