Templates by BIGtheme NET

Shkëmbim territoresh me Serbinë?! Përplasja Berisha-Thaçi

Një ide që po qarkullon së fundmi e bërë e ditur edhe nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka sjellë debat të gjerë në publik ku pjesë e tij janë bërë aktorë të shumtë në media, analistë, diplomatë, studiues apo edhe lidera politikë.

Përplasja më e fundit për këtë çështje ka ndodhur midis ish-Kryeministrit Shqiptar Sali Berisha dhe Presidentit aktual të Kosovës Hashim Thaçi.

Berisha në një pritje që organizoi me një delegacion të Partisë Demokratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, shkroi në Facebook se është kundër çdo ideje për shkëmbim territoresh të Kosovës dhe Serbisë.

“Personalisht unë kam qenë dhe jam gjithnjë për paprekeshmerinë e kufijve të Kosovës dhe çdo lloj coptimi, ndarje apo tregtie me territorin e saj dhe kundër çdo diskutimi për këto çeshtje. Mendoj se të njohësh të drejtën Serbisë, fuqisë qe humbur nga lufta, të paraqesë pretendime territoriale ndaj Kosovës është gabim i madh dhe historik, është në një farë mënyre një zhbërje e qëllimit dhe rezultatit të luftës dhe kapitullimit të Serbisë. Por kjo është edhe një zhbërje e Kosovës të çliruar në vitin 1999, të njohur në dokumentat ndërkombëtare dhe nga mbi 115 shtete përfshi këtu 95% të vendeve të lira të botës”- shkruan Berisha në Facebook.

Postimi i plotë i Sali Berishës:

Duket se këto fjalë të Berishës i cili ka kundërshtuar idenë e Thaçit për shëmbim territoresh e ka irrituar Presidentin e Kosovës, duke e bërë atë të shpërthejë në akuza dhe të kthehet mbarapa në kohë për të kujtuar histori nga Lufta në ish-Jugosllavi.

Thaçi në postimin e tij shpërthen në akuza ndaj Berishës dhe shprehet se Kosovës nuk i duhen këshilla prej të dëbuarëve me votë masive nga skena politike.

“Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike”- shkruan Thaçi.

Më tej ai bën edhe disa akuza duke thënë se Kosovës nuk i duhen këshilla “Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit”.

Kjo përplasje duket si e pa kërkuar nga Berisha i cili nëpërmjet postimit të tij nuk bëri akuza për tradhëti apo implikime të errëta në këtë tezë e cila po vlon në opinion e Ballkanit Perëndimor./Hashtag.al

Postimi i plotë i Hashim Thaçit:

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto