Templates by BIGtheme NET

Thaçi: S’do ketë ndarje, shkëmbim territoresh e autonomi për serbët. Referendum për Luginën

Presidenti i Kosovës, Hashi Thaçi, ka dhënë një konferencë për mediat sot për të sqaruar gjithë zhurmën e ditëve të fundit në mjedisin politik kosovar e shqiptar.

Ai ka theksuar se në deklaratën e tij më herët për korrigjim kufijsh nuk nënkuptohej ndarja, shkëmbimi i territoreve apo autonomia e ndonjë pjesë të Kosovës.

“Nuk kam thënë kurrë për ndarje, shkëmbim territoresh apo autonomi, ato nuk janë në adresën time sepse nuk e kam thënë një gjë të tillë. Askush të mos bjerë pre e lajmeve të fabrikuara për qëllime të caktuara. Askush nuk do cënohet dhe nuk do ketë as shkëmbim territoresh me Serbinë dhe as ndarje të Kosovës.” – theksoi Thaçi.

Më tej ai ka thënë se nuk heq dorë nga referendumi për bashkimin e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

“Qytetarët në Luginën e Preshevës duhet të gëzojnë të drejtat e tyre dhe pse jo të bashkangjiten me Kosovën. Deri tani nga lugina janë larguar 12 mijë persona e mendoni çfarë mund të ndodhë pas 3 dekadash. Politika duhet të respektojë vullnetin e qytetarëve. Banorët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duhet të respektohen. Kjo kërkesë do zyrtarizohet në rrafshin ndërkombëtar. Kosova nuk shfaq pretendime territoriale ndaj askujt. Por do ketë një referendum për bashkimin e Preshevës, Medvegjëc dhe Bujanocit me Kosovën.” – shtoi Thaçi.

Teksa u ndal tek zhurma mbi deklaratën e tij për “korrigjim” e kufirit, Thaçi e përsëriti se korrigjim duhet të ketë pasi bëhet fjalë për një kufi të gjatë me Serbinë që duhej saktësuar.

“Synimi nuk është ndryshimi i kufijve, është korrigjimi i tyre, kemi 400 km kufi që duhet të saktësohet me kufirin e Serbisë. Ky proces duhet të jetë i rregullt dhe transparent për llogaridhënie, ndaj shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Nëse ndodh pajtueshmëri e dyanshme, askush s’do të jetë kundër. Koha e luftës ka përfunduar, nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë autonomi. Korrigjim mund të ketë”, tha ai

Thaçi ka deklaruar se Kosova është e gatshme të ndryshojë Kushtetutën e saj nëse vendoset për bashkimin e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

“Nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë autonomi dhe shkëmbim. Kushdo që të ngrihet, qoftë Vuçiçi apo Daçiçi. Kosova nuk shfaq pretendime territoriale ndaj askujt. Nëse është e nevojshme ndryshimi i Kushtetutës për bashkëngjitje të Medvegjes, do e ndryshojmë. S’ka të keqe këtu. Nëse Kuvendi i Kosovës nuk është i gatshëm të dekretojë, atëherë nuk është kategori kushtetuese”, theksoi Thaçi. /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto